Vret mikun Ditën e Verës, e grabit dhe i shkon në varrim

Ngjarja ngjan si një histori e vërtetë filmash triller. Vrasësi i hyn në “zemër” viktimës, ndajnë bashkë momente të bukura gëzimi, krijon besim e më pas e vret pabesisht për t`i grabitur kursimet e të birit.

Më tej, sikur të mos kishte ngjarë asgjë, merr pjesë qetësisht në varrim, duke i dhënë lamtumirën e fundit, madje me dhimbje e lot ndër sy!!! Kjo ngjarje drithëruese ndodhi në fshatin Shalës të Cërrikut, ndodhi pikërisht në “Ditën e Verës”, kur të gjithë njerëzit kishin dalë të festonin. Edhe në familjen Shinkolla kishte festë, por një festë me skenar makabër që i mori jetën kryefamiljarit Bajram Shinkolla. 56-vjeçari kishte zbritur në qendër të fshatit për të blerë një arkë me portokalle ndërsa nusja e djalit bashkë me nipin ishin nisur për në Elbasan për të marrë pjesë në festime. Vrasësi duket se ka llogaritur gjithçka. Bajram Shinkolla u gjend i vdekur në kuzhinë mesditën e 14 marsit. Fillimisht ngjarja u klasifikua nga policia si vetëvrasje, ndoshta qëllimisht për motive hetimi, por familjarët dhe të afërmit e kanë kuptuar që ishte një vrasje dhe të gjithë ditën e mortit për këtë pëshpëritnin.

Rrëfehet nusja e djalit

 Alma Shinkolla tregon se si e ka gjetur vjehrrin e saj të vrarë në kuzhinë. “Bashkë me motrën që është e martuar këtu në këtë fshat u nisëm për në Elbasan për të festuar ‘Ditën e Verës’. E kishim lënë që të iknim bashkë. Për këtë njoftova më parë bashkëshortin tim që punon në Greqi dhe ai më tha shko. Para se të nisëm i bëra gjërat gati babait. Një pjatë me ballakume, ca vezë, ca arra, qumështin. Ja lashë aty para se të ikja. Por babai më tha se do të zbriste në fshat të blinte një arkë më portokalle. I thashë që mos ik se ke bagëtitë. Por ai u nis. Doli para meje. Shkuam në Elbasan, u ulëm në lokal, pamë festimet, dërgova djalin tek lojërat për fëmijë që të argëtohej dhe nga ora 12.30 u nisa për në shtëpi. Motra tjetër bashkë me bashkëshortin u nisën për në Gjinar, tek familja e prindërve të mi. Ndërsa unë me djalin në shtëpi. Kur arrita në shtëpi pashë derën të mbyllur. Trokita disa herë por nuk po e hapte njeri. I thërrita babait, i rashë derës me forcë, por ai nuk po përgjigjej. Mora një karrige për të parë çfarë ka ngjarë. Pashë nga dhoma e vjehrrit dollapët e hapura, varicet e shqyera të hedhura për tokë. Pastaj mora sërish karrigen dhe shkova tek dritarja e kuzhinës. Aty pashë se ai ishte shtrirë në dysheme. Pashë edhe gjak. U trem ba shumë. S’po dija çfarë të bëja. Mora në telefon burrin dhe ai më tha:- mos bëj asgjë, por njofto policinë. Ashtu bëra! Njoftova policinë e cila erdhi menjëherë në banesë. Gjetëm një palë shkallë të gjata dhe unë hyra nga dritarja e banjës për të hapur derën. Hapa derën dhe hynë policët. Nuk hyra në dhomën ku ndodhej babai. Ata njoftuan shokët e tyre të cilët erdhën dhe kryen dhe më pas e nisën për në Elbasan. Kur hyra në kuzhinë tavolina ishte ende e shtruar. Aty ndodheshin dy gota rakie, arrat, vezët e ballokumet. Më vonë mora vesh se në sobë policët kishin gjetur edhe një celular. Kur na erdhi kufoma në shtëpi mësuam se kishte të çara prapa kokës. Ai ishte mbledhur me fashë. Të gjithë njerëzit pëshpëritnin vrasjen”.

I biri

 Ndërsa 30-vjeçari, Andi Shinkolla, ka 11 vjet që shkon në Greqi. Ai është djali i vetëm i familjes. Ka edhe tre motra të cilat janë të martuara. Banesa është shumë e vjetër, familja jeton në varfëri ndaj edhe Andi ikën e punon me sezone në Greqi. Ai tregon: “U nisa në Greqi në janar të këtij viti. Punoj në bujqësi në një fshat të Katerinës. Më 14 mars, pasdite më merr në telefon shefi i policisë. Më tha duhet të vish pasi babai ka ndërruar jetë. U nisa me taksi dhe erdha. Gjithçka kishte përfunduar. Im atë kishte vdekur. E pashë dhe kuptova që e kishin vrarë. Ai kishte një gropë të thellë pas koke. E kishin qëlluar pabesisht nga prapa”. Ndërsa mësohet se e ëma e viktimës, Adile Shinkolla është 97 vjeçe. Ajo ende nuk e di se i ka vdekur i biri, ndonëse ka qenë në banesë atë ditë. E moshuara jeton në katin e parë dhe nuk dëgjon mirë. Ajo nuk e di çfarë ka ndodhur. Familja Shinkolla ka përjetuar tragjedi pas tragjedish. Para tre vitesh gjen të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë bashkëshorten e tij Shqipen. Atë e bir kanë qenë të pranishëm në varrim. Andi kujton një detaj, i cili i ka ngjallur shumë dyshime atë çast. “Ishim mbledhur të gjithë baxhanakë dhe dhëndurë. Po bisedonim se si mund ta kishin qëlluar. Unë thashë: E kanë qëlluar pas koke me çekiç ose me pinca. E kishte gropë kokën prapa. Në atë çast Iliri u drodh. Ai nuk u ndje mirë”. Por ndërsa ishte në tavolinë me vrasësin një koincidencë mund t`i kishte shpëtuar jetën Bajram Shinkollës. Atë e ka marrë në telefon për ta uruar një nga dhëndurët që rri në Itali. Ai e ka përshëndetur, ka dëgjuar zhurma njerëzish por nuk e ka pyetur se me kë ishte. “Nëse babai do t`i kishte treguar Altin Tafanit se me kë ishte, ata nuk do ta kishin varë se zbuloheshin”, thotë Andi. Edhe nusja e shtëpisë ka dyshime të forta se vjehrri është vrarë nga bashkëshorti i motrës së saj. “Unë mendoj se ata e kanë vrarë. Ata nuk ndjeheshin mirë në varrim. Unë e konstatova këtë gjë. Pastaj fakti që gjetën të hollat në rrënjët e ullirit, celularin. Kush ja tregoi policisë. Ata i kanë treguar se ku fshihen lekët. Para ca ditësh babait i humbi celulari. Një celular u gjend nga policia në sobën e zjarrit. Ata e dinë se kush e vrau. Por ne kemi dyshime të forta se ata janë vrasësit”.

Baxhanaku i dyshuari për vrasje

 Në komunikatën e policisë thuhet se pas një punë investigative, nisur nga provat dhe nga të dhënat e ekspertizës mjekësore rezulton se shtetasi Bajram Shinkolla është vrarë. Më pas autorët kanë tentuar ta maskojnë vrasjen duke inskenuar vetëvrasje. Autorë të ngjarjes dyshohet se janë shtetasit Naim Çekrezi 56 vjeç dhe Ilir Çekrezi 25 vjeç, tashmë të shpallur në kërkim. Pjesëtarët e familjes Shinkolla kanë dyshime të forta se vrasës së Bajram Shinkollit janë atë e bir. Madje 25-vjeçari Ilir Çekrezi, sipas tyre, është i përfshirë direkt në vrasje. “Unë kam dyshime të forta se ata më vranë babanë. Para një vit e kusur, i dhashë 840 mijë lekë dhe më tha se do m`i kthente shpejt. Por nuk mi ktheu. Prit e prit dhe vetëm më gënjente. Para disa kohësh babai mori këstin e disa të hollave. Nuk di se si ishte takuar në Cërrik me baxhanakun dhe kishin pirë atje. Pastaj erdhën të dy dhe po pinin edhe në lokalin e lagjes. I fola tim eti të vinte në shtëpi. Nuk më pëlqente tipi i baxhanakut tim. Ai na kishte borxhe dhe i ishte vardisur babait duke i kërkuar para sërish. I thashë të mos i jepte më. Donte t`i zhvaste para. Personalisht nuk kisha mendim të mirë për të. Gjithsesi, gjithçka fitoja ja jepja babait. Donim të kursenim të ndërtonim një shtëpi të re, pasi kjo që banojnë në të është shumë e vjetër”.

Policia dokumenton krimin

Paraditen e 14 marsit Bajram Shinkolla është kthyer me një arkë me portokalle në shtëpi. Në katin e parë ndodhej e ëma e zhytur në pleqëri të thellë që nuk dëgjon, por edhe nuk sheh mirë. Ende nuk dihet nëse vrasësit kanë ardhur bashkë me Bajramin apo e kanë gjetur atë në shtëpi. Por duket se vrasësi ka qenë njeri i besuar pasi është futur brenda dhe ka qëndruar me Bajramin në kuzhinë. Aty kanë nisur të kthejnë nga një gotë raki. Në tavolinë ka pasur edhe arra, ballokume vezë dhe ziarete të Ditës së Verës. Nuk dihet se kanë qëndruar bashkë apo sa kanë pirë. Një version është ai që në vrasje mund të kenë marrë pjesë 2 persona. Njëri pinte raki me Bajramin dhe tjetri zbrazte valixhet në dhomën tjetër. Një version tjetër është se vrasësi, pasi e ka trullosur Bajramin me alkool ka shfrytëzuar rastin dhe e ka qëlluar atë direkt pas koke me çekiç, daltë apo pinca kur ai është ngritur për të marrë shishen e rakisë. Por duket se goditja ka qenë e fortë dhe vdekjeprurëse. Sepse Bajram Shinkolla fill pas kësaj ka rënë me kokë në çimenton e dyshemesë dhe i është nxirë edhe një pjesë e syrit. Familjarët tregojnë se plaga në kokë ka qenë e thellë dhe fatale. Më pas autori ose autorët mund të kenë shkuar dhe kanë hapur me forcë valixhet ku kanë grabitur të hollat dhe valutën.

“T`i varin, burgu s`është asgjë”

 Familjarët e Bajram Shënkollit kërkojnë ndëshkim maksimal për autorët. I biri Andi pohon: Burgu nuk është asgjë. Ata duhet të torturohen e më pas të varen në litar. Kjo me burg nuk është zgjidhje. Shihni sa ngjarje kanë ndodhur kështu. Vrasin dhe pastaj rrinë në burg, Po ne familjarët sa vuajmë ne. Ndaj kërkoj ndëshkim maksimal për ata. Mua nuk më kthehet më babai. E vranë pabesisht. E masakruan pas shpine. Ashtu duan edhe unë të vuajnë ata”. Vëllai i Bajram Shinkollës, Petrit Shinkolla gjithashtu kërkon ndëshkim të rëndë për fajtorët. “Mua nuk më hiqet nga mendja ajo që pashë tek vëllai. Ata e kishin qëlluar me një çekiç pas koke, duke ja bërë gropë. Nuk ka mëshirë për njerëz të tillë. Shoqëria ka vetëm dëm prej tyre. Ata nuk bëhen njerëz. Do bëjnë sërish vrasje për të grabitur. S’ka mëshirë varje në litar”. /Shekulli

Antibiotikët bio që nuk skadojnë

Është një realitet i trishtë që muajt e ftohtë bashkohen me të ftohtët e gripin, por është një fakt.

Madje edhe më të fiksuarit ndaj higjienës dhe dizinfektantëve të duarve nuk i shpëtojnë dot virozave, duke u palosur në shtrat për ditë të tëra të sëmurë nga gripi. Mundësia për t’u sëmurë varet më shumë nga gjendja juaj shëndetësore sesa nga sa herë i lani duart apo i dizinfektoni, por kjo s’do të thotë që s’duhet të bëni kujdes ndaj ambientit. Kur vjen puna për t’u mbrojtur nga sëmundjet kujdesi nuk është asnjëherë i tepërt. Nëse plani juaj për të mos u sëmurë këtë dimër fillon dhe mbaron me të konsumuarit të një gote më shumë lëng portokalli, ndoshta bëni mirë ta rimendoni këtë strategji. Çaji mbetet ilaçi kryesor për të gjithë, por cili çaj funksionon më mire?

Çaji i Malit

Të gjithë e kemi shijuar çajin e malit, një tisanë unike e shumë e shëndetshme, thesari i paçmuar nga i cili mund të përfitohet, jo vetëm duke e konsumuar. Çaji i malit është një bimë e egër, që rritet në lindje të Mesdheut, veçanërisht në Ballkan. Ashtu siç edhe emri e tregon më së miri, në male në lartësi që variojnë nga 1500 deri në 1900 metra, shpesh herë në sipërfaqe shkëmbore. Të huajt mbarojnë për çajin tone të malit, ndërsa shqiptarë janë mësuar me të dhe drejtohen shpesh ndaj çajrave të botës.

Çaji i Mentes

Ky çaj lehtëson dhimbjet dhe problemet e ndryshme të stomakut dhe ndihmon procesin e tretjes. Lehtëson të përzierat, dhe çrregullimet e spazmave, forcon sistemin imunitar ndaj gripit dhe lehtëson problemet në frymëmarrje Eleminon aromën e keqe të gojës dhe ndihmon në ekuilibrimin e oreksit.

Çaji i Xhenxhefilit ose Ginger

Përmban nivele të larta të vitaminës C, magnezit dhe mineraleve të tjera. Një kupë çaji para udhëtimit, parandalon të përzierat. Përmirëson performancën e stomakut në tretje dhe uron problemet e ndryshme në sistemin e frymëmarrjes duke nisur nga ftohja deri te alergjitë e ndryshme. Përmirëson qarkullimin e gjakut dhe lehtëson dhimbjet e ciklit menstrual dhe qetëson muskujt. Për shkak të nivelit të lartë të antioksidantëve, forcon sistemin imunitar dhe ndihmon në çlirimin e stresit dhe qetësimin e sistemit nervor.

Çaji i gjelbërt

Çaji i gjelbër përmban përbërje bioaktive që përmirësojnë shumë parametra të shëndetit të njeriut. Përbërësit e çajit të gjelbër përmirësojnë funksionin e trurit dhe rrisin nivelin e djegies së yndyrnave duke përmirësuar performancën fizike. Antioksidantët e çajit të gjelbër ulin riskun e kancerit. Në moshë të thyer, çaji i gjelbër ul riskun e Alzhaimerit dhe Parkinsonit. Çaji i gjelbër vret bakteret duke ndihmuar në shëndetin e dhëmbëve dhe uljen e riskut për infeksione./AgroWeb.org/

Si ndikon çokollata në performancën tuaj?

Këto janë lajme të mira për të dashuruarit me çokollatat: ngrënia e tyre ka ndikim pozitiv në performancën konjiktive sipas studimit të ri.

Performanca konjiktive lidhet me konceptet, njohjen e modeleve, gjuhën, vëmendjen, aksionin, zgjidhjen e problemeve dhe imazheve mendore.

E publikuar në revistën “Appetite”, studiuesit përdorën të dhëna të mbledhura nga Maine-Syracuse Longitudinal Study (MSLS), në të cilin morën pjesë 968 njerëz të moshës 23-98 vjeç. Tek ta u mat se si lidhet futja e saj në dietë me funksionin konjitiv.

Studiuesit gjetën se ato janë shumë të lidhura “pavarësisht nga zakonet e tjera të dietës”.

Nivelet e larta të flavanoleve (një lloj antioksidanti i cili ka shumë ndikim në shëndetin e njeriut) gjenden në çokollatë, por më pak në ato me qumësht dhe në çokollatat e bardha.

Ajo gjendet gjithashtu në çaj, verën e kuqe dhe disa fruta si mollët dhe rrushi, shkruan Anabel. Flovanolet e kakaos, një nëngrup i flovanoleve që gjendet në çokollatë janë të lidhura drejtpërdrejt me funksionet njohëse.

Studiuesit thanë se gjetjet e tyre u mbështetën edhe në kërkimet e fundit të cilat tregojnë se “konsumimi i rregullt i flovanoleve mund të kenë një rol mbrojtës edhe ndaj rënies së funksioneve konjitive për shkak të moshës“.

Konsumimi i çokollatës është i lidhur dukshëm edhe me performancën në memorien vizuale-hapësinore dhe organizimin, me memorien në punë, me skanimin që truri u bënë gjërave dhe ndjekjen e tyre në vazhdimësi dhe me arsyetimin abstrakt.”

Kjo do të thotë se ajo mund t’ju ndihmojë në performancën tuaj në shkollë, sidomos gjatë provimeve. /Telegrafi/

Haradinaj: Do të jemi në shesh deri në dorëheqjen e Qeverisë

Haradinaj: Do të jemi në shesh deri në dorëheqjen e Qeverisë

Haradinaj thotë se zgjedhja e Presidentit në këto rrethana është një drejtim i gabuar, pasi e çon Kosovën në një krizë më të thellë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është i pakuptimtë insistimi i liderit të PDK-së, Hashim Thaçi, për t’u zgjedhur president nga një parlament i cili që sa kohë është bllokuar.

Në një intervistë për ‘Epokën e re’, Haradinaj thotë se zgjedhja e Presidentit në këto rrethana është një drejtim i gabuar, pasi e çon Kosovën në një krizë më të thellë.

Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se opozita e bashkuar do të qëndrojë në shesh duke protestuar deri në dorëheqjen apo në shpalljen e zgjedhjeve të reja.

“Mungesa e reflektimit të kësaj Qeverie dhe insistimi për të vazhduar më tutje e thellon më shumë krizën politike në vend. Në këtë mënyrë po ia vonon mundësinë Kosovës për të ecur mbarë’, tha Haradinaj./express

Zyrtare: Presidenti votohet të premtën në ora 11

Zyrtare: Presidenti votohet të premtën në ora 11

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka njoftuar se të premten në ora 11:00 do të mbahet seanca në të cilën do të votohet për zgjedhjen e Presidentit.

Sipas Veselit, ky do të jetë një moment historik dhe i veçantë.

“Të premten në ora 11, Kosova do të kalojë një nga momentet më të veçanta. Kemi zgjedhjen e kryetarit të shteti”, tha Veseli.

Ai tha se për këtë post janë paraqitur dy kandidatë, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së dhe Rafet Rama, deputet nga po e njëjta parti.

Veseli premtoi se procesi do të jetë transparent dhe gjithpërfshirës, siç tha ai, ashtu siç është premtuar më parë. /RTKLive

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE