Kush do të jetë udhëheqës i delegacionit të Kosovës në OKB?

Kush do të jetë udhëheqës i delegacionit të Kosovës në OKB?

Edhe sot ka vazhduar pyetja se kush do t’i prijë delegacionit të Kosovës në OKB

Edhe sot ka vazhduar pyetja se kush do t’i prijë delegacionit të Kosovës në OKB
Ligjërisht, këtë duhet ta bëjë Presidentja e vendit.

Për RTK-në, këshilltari për media I Presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, edhe një herë sot e ka sqaruar këtë çështje.

“Duke qenë në rolin e saj kushtetues, bartëse e politikës së jashtme, Presidentja Jahjaga, në bashkërendim me institucionet e vendit do të udhëheq delegacionin e Kosovës gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së”, ka thënë Vllahiu në përgjigjen dërguar RTK-së.

Të njëjtën e thotë edhe profesori universitar, Afrim Hoti. Ai thotë se në bazë të Kushtetutës, Presidentja është bartëse e politikës së jashtme. Në rast se ndodhë e kundërta, Hoti thotë se kjo mund të bëhet vetëm në bazë të politikave ditore dhe siç shprehet ai “shtyrjes me bërryla se kush do të realizojë një foto me liderët botërorë”.

“Mendoj se në kuptimin juridik cdo gjë është e qartë. Bartëse e politikës së jashtme është Presidentja dhe ky autoritet duhet të udhëheq me situatën. Në kuptimin e rrjedhave faktive mendoj se është cështje e politikës ditore për t’u shtyer me bërryla për t’i arritur privilegjet që meritojnë”, ka thënë ai.

„Testamenti” prekës dhe motivues i Akademik Esat Stavileci

Akademik Esat Stavileci tashmë i ndjerë, në ligjeratën përshëndetëse me studentët e Universitetit të Prishtinës, të dhënë para pensionimit të tij, edhe pse vite më parë, tashmë kjo ligjeratë mjaft prekëse por edhe motivues për të gjithë ne, po konsiderohet si një nga ”testamentet” më të mira lënë për gjeneratat e reja. Akademik Stavileci ka lënë një thesar përplotë ”testamente” të shkencës e urtësisë, i cili nuk rreshti së punuari për dije asnjëherë.

Përmes një postimi që po qarkullon në rrjetet sociale, thuhet se kjo është porosia që Akademik Stavileci u kishte lënë studentëve para pensionimit të tij.

”Nuk më mban të mërzitur sot vetëm malli për motrën, tashmë të ndjerë prej një jave,
por edhe momenti i ndarjes nga një mjedis në të cilin kam kaluar gati një gjysëm shekulli të jetës sime. Prandaj, nuk mund të ndahem prej jush, pa iu lënë disa “porosi të jetës dhe të kohës”.
Për 45 vjet në Fakultetin juridik të Universitetit të Prishtinës (1 tetor 1965 – 1 tetor 2010) dhe në jetën time, kam mbajtur parasysh këshillën: në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh! E pranoj se kam lindur me fat. Fati më i madh i njeriut është të lindësh me fat! Me fat është ta meritosh lindjen! Kush e meriton lindjen, e ka të lehtë vdekjen!
Herët kam mësuar se kush jam dhe kush mund të bëhem. Nëse nuk di se kush je, nuk do të dish as kush do të jesh! Njeri ideal është ai që di se nuk ka njeri ideal!
Sot “po dal nga një derë” në të cilën kam hyrë para 45 vjetësh. Eshtë fat i madh të presësh të dalësh nga dera në të cilën ke hyrë! Nga të gjitha dyert më të mirat janë dyert e hapura; nga të gjithë çelësat janë ata që hapin të gjitha dyert! Në jetë nuk kam ndeshur në dyer të mbyllura. Kam përdor çelësat që m’i kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë ndihem krenar!
Pse po largohem? Përherë kam konsideruar se më mirë është të largohesh se të të largojnë! Eshtë pëlqyer një aforizëm i imi: ne shqiptarët sikur nuk dimë se kur është mjaft! Kam dashur që me shembullin tim të dëshmoj të kundërtën! Eshtë mjaft nëse “le pas vetes” ata që mund të trashëgojnë: dy asistentë doktorë shkencash në këtë fakultet dhe dy asistentë doktorë shkencash në Universitetine Europës Juglindore në Tetovë.
Kam ecur nëpër një rrugë të mesme, sepse shumë herët më kishin mësuar se mesi është i artë.
Sot po përshendetëm me ju dhe me institucionin në të cilin kam punuar 45 vjet. Po mbaj një fjalë që mund të kualifikohet në një ligjeratë lamtumirëse. Kush mban ligjeratë lamtumirëse duhet ta ketë merituar ligjëratën inauguruese.
Lartësia e bjeshkës “nuk matet me sy”, por “me këmbë!”.
Në jetën time kam ecur këmbë, që të “mos më mashtrojnë sytë!”.
Pyetja e parë me të cilën u jam drejtuar studentëve të gjeneratës sime të parë ka qenë: si pëlqeni t’ju flas: me gjuhën dhe stilin e rëndë të juristit që të më “konsideroni të mençëm”, pa më kuptuar asgjë, apo me gjuhën dhe stilin e lehtë të juristit, që “t’i kuptoni të gjitha”.
Besoj se më ka kuptuar shumica. Më vjen keq për atë pakicë që nuk ka dashur të më kuptojë!
Jeta është një mësim që “mund të mësohet”, por që “nuk mund të porositet!”.
Jeta, në të shumtën, i ngjanë tregëtisë: në të mund të investosh të gjitha, por edhe mund t’i humbësh të gjitha, nëse nuk ia del ta menaxhosh mirë. Përfundimi bëhet i qartë: më pak kënaqemi me atë që kemi arritur, se me atë në të cilën shpresojmë!
Shpresa është “pasuria më e madhe” e atyre që s’kanë asgjë! Varfëria dhe shpresa janë “nënë e bijë”: sa “merresh me bijën, e harron nënën!”.
Nuk e kam menduar se do të qëndroj aq gjatë në këtë profesion. Kjo ma kujton njërën prej barsoletave më të mira që kam dëgjuar ndonjëherë: kur një dyzetvjeçar e kishin dënuar me pesëdhjet vjet burg, i ishte drejtuar trupit gjykues me: faleminderës, nuk e kam ditur se do të jetoj aq gjatë!
Dyzet e pesë vjet në katedrën e profesorit mund të të mbajnë dhe të të ushqejnë vetëm studentët. Falenderimi im është për ta.
Ti je ai që të tjerët mendojnë për Ty, e jo ai që mendon për vetën tënde! Ju falenderoj nga zemra për konsideratën që keni shprehur për personalitetin tim dhe për punën time në mbarim të testeve tuaja në provimin e fundit.
Pranoj se më kanë shpëtuar lotët për gatishmërinë e një kolegeshe tuaj që kishte shkruar në fund të testit të provimit: jam tridhjetekatërvjeçare: do ‘ju kisha falur pesë vjet të jetës sime që të ligjëroni më gjatë dhe që të jetoni më shumë!
Asnjëherë nuk kam kaluar në faqën e dytë pa e mësuar të parën! Askush nuk ka mësuar të vrapojë para se të mësojë të ecë! Fjala më e mirë që e kam mësuar prej anglishtës është: step by step!
Ardhmeninë nuk mund ta përzgjedhësh si gjellën në meny! Po të ishte kështu, të gjithë do të kërkonin atë që nuk do të mjaftonte për të gjithë.
Vetëm ai që prej jetës nuk kërkon asgjë, “përfiton” prej saj! Në jetë duhet që të kërkosh shumë që të përfitosh pak. Askush nuk i ka përfituar të gjitha. Mos jetoni pa një motiv, sepse ai që jeton pa motiv “mund edhe të të mos jetojë!”.
Të ecësh me kohën do të thotë të ecësh përpara dhe të mos kthehesh prapa.
C’kuptim ka nëse ecni në drejtim të gabuar?
Jam përpjekur që të mos e gaboj rrugën. Kam ecur me të tjerët, e jo kundër të tjerëve. Kush ecën vetëm, e gabon rrugën. Kush ecën me të tjerët, gjen rrugë të reja!
Ne më shumë duam se ç’bëjmë, prandaj gabimisht mendojmë se jeta ”na mbetet borxh” për atë që nuk bëjmë.
Sillemi me padrejtësi ndaj jetës. Gjysmën e jetës e përmbushim me dëshira, e gjysmën tjetër me paknaqësi për mospërmbushjen e tyre.
Ambicia më e madhe e rinisë është “që mos t’i ngjajë gjeneratave të mëparshme”, por që “t’i vjelë të mirat e tyre!”.
Mos synoni atë që ndalohet më shumë se atë që lejohet!
Përmbajuni këshillës: asnjëherë mos e bën hapin, përpara se ta bësh hapin! Kujdes se edhe budallenjtë bëjnë garë: kush është më budalla se tjetri! Edhe budallenjtë bëhen rresht: u prin budallai më i madh!
Mundimi më i madh është “mundimi me fjalët”. Të flasësh apo të heshtësh? Asjnëherë mos hesht, kur duhet të flasësh; përherë hesht kur nuk e ke fjalën!
Njerëzit flasin shumë, sepse “fjalët i kanë falas!”. Prandaj, flis tamam!
Prej njeriut qe flet shumë, “mos u tremb”. Trembu prej njeriut që “mendon shumë”.
Aftësinë nuk mund ta fshehësh, si “diellin pas kodrës”.Por, në mungesë kujdesi, “mund ta ndotësh”.
Alarmuese: njerëzit duhet “t’i frikësohen kohës” kur majmunët mund të kontestojnë se ata e kanë prejardhjen prej tyre!
Shoqërohuni me më “të vjetrit”, që të mund të mësoni më shumë; mos “u shisni mend” me të “vegjëlve”, që të dukeni më të mëdhenj!
“Ruajuni” politikës: në politikë nuk vlen “të dua se kam interes”, por “kam interes, prandaj të dua”.
Nuk jetoj në iluzione se e tëra që kam bërë është e kryer dhe e përkryer. Jam përpjekur që punë time ta përshkojë ndershmëria: “punës së ndershme nuk i duhet drita, edhe nëse dikush përpiqet ta errësojë”.
Ka një mendim të artë: bëjnë punë të pagabueshme vetëm ata që nuk punojnë!
Në jetë nuk duhet të lejosh që të shurdhohesh nga duartrokitjet, sepse më vonë nuk do t’i dëgjosh fërshëllimat. Unë po ik përpara se “të shurdhohem!”.
Nuk kam pëlqyer që “të dashurohem në vetveten”. Kam pëlqyer të gjithë numrat e tjerë, përveç njëshit, prandaj asnjëherë nuk i kam dhënë vetës dhjetëshe.
Kujdes: asnjëherë mos e vlerësoni vetën me notën më të lartë.
Asgjë nuk kam mësuar të tjerët, përpara se ta mësojë veten time. Ju lutem, mësoni dhe mos mendoni se i dini të gjitha.
Në jetë kam pëlqyer që të mos prishëm me të tjerët, pa ju ndalua të tjerëve që “të prishën me mua”. Eshtë nder i madh që nuk ka njeri me të cilin nuk flas.
Thuhet se “njeriun e ndershëm nuk e urrejnë as të pandershmit!”.
Ta ruash nderin në politikë është punë e vështirë. Eshtë politikan i mirë vetëm ai që “bën gjumë të rahatshëm!”.
Profesion më të mirë kam konsideruar atë që “të mësosh të tjerët” atë që ke “mësuar për veten”.
Përherë kam konsideruar se është më lehtë të pyesësh se sa të përgjigjesh. Në jetë kam pyetur shumë të tjerët, por më kanë pyetur edhe më shumë.
Kam parapëlqyer “përgjigjet figurative”.
Kur më kanë pyetur për “procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, jam përgjigjur se procesi do të jetë më kompleks se që “po paraqitet”; më i vështirë se që “po mendohet” dhe më i gjatë se që “po parashikohet”.
Jemi vonuar shumë me procese zhvillimore, sepse kemi shpresuar shumë naivisht se të tjerët do ta bëjnë punën tonë, pa vra mendjen se “më mirë se me duart e huaja ndërtohet me duart tua!”.
Kemi hedhur hapin, pa fikësuar qëllimin e madh, prandaj kemi bërë gabime në hapa. Pastaj, jemi lëshuar në vrap, pa pyetur se ç’vlerë ka të vraposh, nëse je në rrugë të gabuar.
Shumëkush e ka dashur angazhimin tim në vendimmarje politike. Kur më pyesnin ku është Esat Stavileci , përgjigjesha me këngën e Ardit Gjebresë: “Ja ku jam!”.
Kur më pyesnin për fatin e Mitrovicës, përgjigjesha : “Nuk e di këngën e Shkurte Fejzës, Jo nuk ndahet Mitrovica!”.
Kur më pyesnin për decentralizimin përpara se të vendosej për statusin, përgjigjesha:
“Nuk vendoset karroca para kalit”.
Kur më pyesnin se çfarë e ardhme po i përgatitet Kosovës, përgjigjesha se çfarë e ardhme nuk do të dëshiroja t’i përgatitej: që “drejtësia e vonuar t’i dalë drejtësi e cunguar”.
Më në fund, kur më pyesnin se kur do të bëhet mirë me shqiptarët, përherë kam thënë:”nesër”.
E nesërmja është e juaja dhe mos ia falni askujt tjetër!.
Herët e kam kuptuar se koha është vërtet ar. Planifikoje kohën, sepse “vetëm me kohë mund të fitohet koha!”.
Mos harro se ora nuk është vetëm “për ta mbajtur”, por edhe “për t’iu përmbajtur!”.
Kam qëndruar jashtë, por jo larg politikës. Filozofia ime politike është: nuk jam me asnjërin, sepse dua që të jem me të gjithë!
Kujdes: në politikë të gjithë e pësojnë, dikush më herët e dikush më vonë!
Kam parapëlqyer të jetoj jo nga drejtësia, por për drejtësi.
Më kanë thënë pse nuk bëhesh avokat që të fitosh më shumë, jam përgjigjur pikërisht për atë.
Nuk ka padrejtësi më të madhe se kur drejtësia shtrembërohet.
Ndërgjegja e pastër e juristit ia “zbardhë fytyrën drejtësisë”: juristi do të duhej që “për çdo ditë ta pastrojë ndërgjegjën, po sikurse që e lanë fytyrën”.
Për disa procese politike jam mbajtur i “rezervuar”. Më ka dalë përpara thënia kineze: edhe nëse e mendon, mos e thuaj; edhe nëse e thua, mos e shkruaj; edhe nëse e shkruan, mos e nëshkruaj.
Por, kam pasur parasysh edhe këshillën tjetër: “Tradhtitë më të mëdha bëhen me heshtje: ujërave që nuk ecin dhe njerëzve që heshtin, mos ua falë besimin!”.
Prandaj, nuk kam heshtur në ndodhitë për ne dhe rreth nesh.
Në një fjalë të urtë thuhet se “ai që ia di rendin heshtjes, duhet ‘ia mësojë rendin edhe fjalës”.
Jam përpjekur që të mbaj një qëndrim. I vetmi njeri që mund të ndryshojë mendjen është ai që ka një mendje! I vetmi njeri që e mban fjalën është ai që nuk e jep!
Fjalën publike e kam mbështetur në argumente. Argumenti është sikur bora: “sa më butë që bie, aq më shumë zë vend”.
Në paraqitjet e mia nuk kam mbjellur skepticizëm. Te ne njeriu realist lehtësisht kualifikohet pesimist.
Cili është dallimi midis optimistit dhe pesimistit?
Përherë kam pasur një përgjigje: optimisti nuk mban as rrip dhe as krahosha në pantollonat e tij. Pesimisti mban edhe rripin edhe krahoshat. Unë, për çdo rast, mbaj rripin, i kam hequr krahoshat!
Kam folur dhe kam shkruar për shtetin, për Shqipërinë dhe për Kosovën.
Më kanë pyetur se çfarë kanë të përbashkët Shqipëria dhe Kosova?
Jam përgjigjur shkurt: Shqipëria dhe Kosova kanë të përbashkët paaftësinë: në Shqipëri “për ta mbajtur shtetin”; në Kosovë “për ta bërë shtetin”.
Kam tërhequr vërejtjen se shteti “nuk është mallë që shitet në treg”.
Kam porositur:
(1)Në një vend ku qeveriset pa demokraci, “luhet me legjitimitet”.
(2)Zgjedhjet vendosin se “kush do të qeverisë”, e jo “çfarë do të jetë qeverisja”.
(3)Nuk janë zgjedhje ato kur “ata që do të zgjidhen, i zgjedhin ata që do të zgjidhen”.
(4)Vetem qeverisja e mirë, e bën “demokracinë të mundshme”.
Po e mbyll fjalën time me pyetjen: sa kohë më është dashur që ta pregatisë këtë ligjeratë?
Shkurt: tërë jetën!
Mbani në mend: “të vdesësh i ndershëm është më shumë se të jetosh i ndershëm”.
Po e përsëris porosinë e parë: Në jetë bën vetëm atë që duhet të bësh, mos bën atë që s’duhet të bësh!

Prishtinë.Fakulteti Juridik 8 tetor 2010.

Skandali: Ja si shiten terminet për viza

Agjencitë e ndryshme në Kosovë të mirëinformuara, po arrijnë të rezervojnë termine, të cilat edhe pse lëshohen falas nga Ambasada Gjermane, ata po i shesin nga 50 deri në 500 euro,

Ndonëse kjo nuk garanton se ai që paguan paratë për termin, mund të pajiset me vizë. Gazetarja e RTK-së, Leonora Bërbatovci dhe kameramani Bedri Meha, ka hulumtuar këtë tregti me termine dhe sjell kronikën në vazhdim.

Në ambasadën gjermane nuk ka as edhe një termin të lirë për 5 muajt e ardhshëm. Ato ka kohë që janë zënë. Agjencitë private po tregtojnë terminë dhe po keqpërdorin sistemin elektronik të krijuar nga Ambasada gjermane. Kjo ka kohë që po ndodh.

„Qytetarët e Kosovës në të shumtën e rasteve duhet tu drejtohen agjencive pivate pranë ambasadave për të caktuar një termin për vizë. Ata shumë herë duhet të paguajnë shuma të majme të parave për të caktuar termin për vizë duke qenë se në ambasadas nuk ka termine të lira“.

E për më keq, Ambasada nuk ndërhyn edhe pse shitja e termineve bëhet përballë ambasadës gjermane. Madje edhe me shpallje.

Burime të RTK-së brenda ambasadës gjermane thonë se ata nuk kanë ndonjë marrëveshje me këto agjenci që shesin termine të cilat, në fakt janë pa pagesë. Por, e gjithë çfarë konfirmon ambasada gjermane në Prishtinë është se terminet caktohen online në faqen zyrtare të ambasadës.

Marten Menger, zëdhënës i ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë tha: „Ambasada gjermane liron terminet për aplikim për vizë online n ë faqen internetit www.pristina.diplo.de. Të intëeresuarit për vizë afariste dhe për vizë sezonale mund të rezervojnë aty një termin në cdo kohë. Terminet për viza turistike lëshohen cdo të mërkurë në orën 9 të mëngjesit“

Mirëpo të mërkurave në orën 9 të mëngjesit kur edhe bëhet lirimi i disa termineve, gara zhvillohet mes agjencive për t’i zënë këto termine. Ndërkohë, qytetarët e kanë të pamundur ta rezervojnë një të tillë. Se si zihen këto termine, RTK në mënyrë fshehur ka realizuar bisedë me punëtoret e disa prej agjencive që ndodhen përballë ambasadës.

Punonjësja e agjencisë: Për bashkim familjar mbyllet për 3-4 sekonda sistemi që është online.

Gazetarja: A i caktoni ju në bashkëpunim me ambasadën apo kështu në mënyrë private?

Punonjësja e agjencisë: Jo veç agjencitë private. Por ka këtu që janë në bashkëpunim me ambasadën dhe po marrin pare të mira. Janë ra ata dhe na kanë marrë në qafë edhe neve…

Gazetarja: Me ambasadën si ambasadë apo me punonjës?

Punonjësa e agjencisë: Me shqiptarë aty, edhe ai shqiptar ka bashkëpunim me gjermanin aty sepse marrin pare të mira e pastaj pse mos me blloku aty sistemin sepse unë s’mundem me bo, ti prej shpie s’mundesh me bo edhe vjen ktu edhe thu s’ka problem t’i jap sa të duash veç kryma“

Mirëpo edhe kur i ke paratë, blerja e një termini nuk është e sigurt. Aq të mëdha janë kërkesat sa agjencitë shpesh nuk kanë termine të lira, qoftë edhe nëse një qytetar u ofron deri ne 500 euro për një të tillë.

Punonjësa e agjencisë: „Unë për shembull ndodh brenda ditës 50 veta i kthej që s’mundem me jau bo edhe s’jau marr. Qitash e kisha një rast për në dhjetor më tha pres 3 muaj dit por s’e di kur mundem me jau bo… dhe me jau marrë paret s’mundesh me jau marrë kur s’e din kur ua bën. Ama diqysh po duket gjynah me jau marrë, s’po duken pare hallall“

Në fakt, çmimet e termineve nuk janë fikse. Ato luhaten varësisht nga halli i qytetarit dhe kërkesat që kanë.

Qytetari: Po blejnë, po shesin..

Gazetarja: Ka sa po shkojnë terminet?

Qytetari: Nuk e di..veç e kom ndi që deri 100 euro, a kush qysh – s’e di se s’jom interesu.

Punonjësa e agjencisë: Shumë po ka kërkesa. Po ka këtu që paguajnë 300, 500 gjithfarë çmimesh…

Agjencia 2

Gazetarja: Deshta me ju pyet për termin se e pashë që i caktoni…
Agjencia: Po për çfarë termini?

Gazetarja: Për bashkim familjar.
Agjencia: Deri në fund të tetorit s’ka termine. Edhe ato janë në pikëpyetje.

Gazetarja: Pse a shumë po ka kërkesa a?
Agjencia: Po 3 sekonda zgjat.

Gazetarja: E qysh 3 sekonda?
Agjencia: Kërkesa e madhe vende pak. 3 sekonda termine, 1 herë në javë.

Gazetarja: E sa po kushton ?
Agjencia: Sa persona jeni?
Gazetarja: 1 person

Agjencia: 1 person kompletimi me gjithë termin është 100 euro

Gazetarja: E termini kur caktohet a është i sigurt?
Agjencia: Po, po i sigurt është. Konfirmimin e merr.

Gazetarja: A ju e bëni konfirmimin a?
Agjencia: Neve na vjen – ty ta dhojna.

Gazetarja: A juve ju vjen. Prej ambasadës a?
Agjencia: Po po.

Qytetarët para kamerës së RTK-së hezitojnë të flasin për haraçin që po paguajnë, qoftë edhe për një termin të thjeshtë vize, pasi frikësohen se mund të ndikojë në dhënien ose jo të vizës. Ndërkohë, shitja e termineve bëhet para dyerve të ambasadës dhe në mënyrë të hapur, trend që duket se do të vazhdojë deri në kohën kur kosovarët me pak shpresë, presin që një ditë do të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të BE-së. / RTKLive.com

Policia alarmon për vjedhjen e veturave Audi dhe BMW

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës ka bërë apel te qytetarët që të kenë kujdes se ku po i parkojnë veturat e tyre të shtrenjta, sidomos ato të tipit Audi A5, Audi A6 dhe BMW X5.

Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës ka bërë apel te qytetarët që të kenë kujdes se ku po i parkojnë veturat e tyre të shtrenjta, sidomos ato të tipit Audi A5, Audi A6 dhe BMW X5, për të cilat është raportuar kohëve të fundit se janë cak i vjedhjeve
Sipas policisë, në shënjestër janë veturat e këtyre tipeve me targa të huaja, por nga fenomeni i vjedhjes nuk janë përjashtuar as ato me targa vendore.

“Duke pasur parasysh se fluksi i veturave nëpër rrugë, kryesisht nëpër ato urbane ditëve të fundit është jashtëzakonisht i madh, kapaciteti infrastrukturor nuk përmbush nevojat e mjaftueshme sidomos mundësinë e parkimit të veturave, në këto rrethana drejtuesit e veturave jo rrallëherë ndalojnë dhe parkojnë veturat në vende dhe zona që nuk janë të destinuara për parkim, ku parkimi në rrethana të tilla mund të jetë cak i dëmtimit apo vjedhjes”, thuhet në një apel të Policisë.

Prandaj Policia u ka bërë apel qytetarëve që me qëllim të parandalimit të vjedhjes së veturave, drejtuesit e tyre të kenë kujdes se ku dhe në të cilat zona t’i parkojnë veturat, kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës, po ashtu të kenë parasysh zonat ku nuk ka ndriçim, si dhe t’u rikujtohet drejtueseve se parkimi i veturave të bëhet në mënyrë të sigurt, përfshirë mbylljen dhe çelësimin e tyre.

Policia thotë se vetura mund të jetë cak i dëmtimit nëse ajo parkohet në një vend që nuk i destinuar për parkim, nëse është e parkuar në zonë të pandriçuar, nëse brenda saj janë të ekspozuara gjësende të ndryshme si portofol, dokumente tjera personale, përfshirë edhe pasaportën. /kallxo.com

Lëkundje mes partnerëve në koalicionin qeverisës PDK-LDK?

Lëkundje mes partnerëve në koalicionin qeverisës PDK-LDK?

Për më pak se një vit mandat në krye të institucioneve, koalicionit PDK – LDK i kanë shpërthyer pakënaqësitë e para nga militantët partiakë, të cilat rrezikojnë ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pakënaqësitë më të mëdha vijnë nga zyrtarët e partnerit të madh të koalicionit, përkatësisht partisë që drejtohet nga zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, (PDK), të cilët po vlerësojnë se po largohen padrejtësisht nga pozicionet institucionale nga ministrat e partisë së Isa Mustafës, në të cilat pozita po emërohen militantë të LDK-së.
Burime të gazetës “Zëri” brenda Qeverisë së Kosovës bëjnë të ditur se pakënaqësi të mëdha kanë shpërthyer së fundmi në lidhje me menaxhimin e Ministrisë së Financave nga Avdullah Hoti dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nga Hykmete Bajrami.

“Të gjithë ministrat e PDK-së që e kanë drejtuar Ministrinë e Financave, Ahmet Shala, Bedri Hamza, Besim Beqaj, nuk e kanë larguar asnjë zyrtar të LDK-së, pavarësisht se në atë kohë kjo e fundit ka qenë në opozitë. Agim Krasniqi, i cili tashmë është emëruar zëvendësministër i Financave, gjatë gjithë periudhës së kaluar sa këtë Ministri e ka drejtuar PDK-ja, ai ka qenë drejtor i buxhetit të Kosovës. Të kundërtën po e bën Avdullah Hoti, pavarësisht se partia e tij është në koalicion me PDK-në”, thotë burimi i gazetës./Zëri.info/

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE