Opozita lëshon në mënyrë demonstrative mbledhjen Kryesisë

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë braktisur në mënyrë demonstrative mbledhjen e Kryesisë, ku po vendosej për punimet që legjislativi do t’i zhvillojë gjatë javës

Në momentin kur është hapur tema e Gjykatës Speciale, opozita e ka braktisur mbledhjen.

Glauk Konjufca, anëtar i Kryesisë së Kuvendit, nga Lëvizja Vetëvendosje, u është drejtuar medieve, ku ka thënë se e kanë lëshuar mbledhjen në mënyrë demonstrative, sepse aty u hap diskutimi për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat i hapin rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, raporton lajmi.net.

Konjufca bëri të ditur se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kishte hapur temën e amendamentimit të Kushtetutës, duke i kërkuar kryesisë që kjo të diskutohet më 26 qershor në Kuvend.

Konjufca tha se qëllimi i mazhorancës, është që përmes kësaj gjykate, vendit t’i paksohet edhe më tej sovraniteti.

“Arsyeja e dytë, pse e lëshuam mbledhjen, është se kjo gjykatë do të jetë etnike”, tha Konjufca.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj – Bujupi, ka thënë se askush nuk ka të drejtë që me ngritje dore të votoj për heqjen e sovranitetit të shtetit, edhe ashtu të brisht.

“Këtu bëhet fjalë për një sistem paralel. Madje edhe arkivat do të jenë të paprekura sot e 1000 vjet dhe do të vlejën vetëm për Specialen”, ka thënë Kadaj – Bujupi.

Ajo në mënyrë demonstrative edhe e ka grisur projektligjin për gjykatën speciale.Në të njejtën linjë me dy partitë më të mëdha opozitare është edhe Nisma e Fatmir Limajt.

Valdete Bajrami nga kjo parti ka bërë të ditur se opozita nuk do të jetë në seancën e së premtes.

Ajo u ka bërë thirrje edhe deputetëve tjerë që të mos votojnë në këtë seancë. /lajmi.net

Hoxha që varrosi ‘Familjen Jashari’: Unë mund t’ua siguroj vendin për varreza katolikëve të Llapushnikut (Video)

Hoxha që varrosi ‘Familjen Jashari’: Unë mund t’ua siguroj vendin për varreza katolikëve të Llapushnikut (Video)

Imami nga Skenderaj, Osman Musliu, përveç që njihet për qëndrimet e tij të prera kundër islamikëve radikal, e edhe lidershipit të Bashkësisë Islame të Kosovës, mbahet mend edhe si hoxha i cili i bëri ceremoninë fetare të vrarëve të Familjes Jashari nga Prekazi, gjatë luftës në Kosovë.

Imami Osman Musliu ka komentuar sot edhe ngjarjet e fundit në fshatin Llapushnik të Drenasit, ku banorët po kundërshtojnë ndërtimin e një kishe dhe varrezave katolike në një pjesë të fshatit.

Osmani thotë se katolikët e këtij fshati kanë të drejtë të kenë kishën dhe varrezat e tyre dhe nëse komuna e Drenasit nuk u ndanë pronën, ai është i gatshëm t’u falë një pjesë të tokës.

“Në varrezat e qytetit të Drenasit do t’ua siguroj vendin. Mu nuk më pengon nëse vendoset një shqiptar i besimit katolik apo ortodoks në varreza të myslimanëve. Ndaq le ta qes kryqin 2 metra se nuk i frigohem kryqit për arsye se e di që në atë vorr është një vëlla i jemi”, tha Mulla Osmani për televizionin Rrokum.

Osmani ka shtuar se prijësit e bashkësive fetare në Kosovë më shumë janë biznesmen se sa prijës fetar në Kosove. / Reporteri.net

Sie sehen gerade einen Platzhalterinhalt von Standard. Um auf den eigentlichen Inhalt zuzugreifen, klicken Sie auf den Button unten. Bitte beachten Sie, dass dabei Daten an Drittanbieter weitergegeben werden.

Weitere Informationen

 

Profesori prishtinas i Universitetit të Prizrenit i kushtëzonte studentet me seks

Profesori prishtinas i Universitetit të Prizrenit i kushtëzonte studentet me seks

Profesori i Universitetit të Prizrenit, B. Zahiti, i arrestuar ditë më parë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dyshohet se dhënien e notave për studente të caktuara e ka kushtëzuar me shkëmbim të shërbimeve seksuale. 

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit B. Zahiti nga Prishtina, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prizrenit.

Ai dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, duke kushtëzuar dhënien e notave me shkëmbim që t’i ofrojnë shërbime seksuale.

“I pandehuri do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 18.06.2015 në ora 15:30 dhe do të zgjasë deri me datën 18.07.2015”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

Gjyqtari Procedurës Paraprake e miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit e cila kërkoi mbajtjen në paraburgim të pandehurit.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse duke qenë profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prizrenit e duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, e më qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete gjatë fundit të vitit 2014 dhe gjatë vitit 2015 i fton studentet e caktuara e që pas bisedave të gjata në zyre e gjithashtu jashtë zyrave përmes bisedave telefonike ua kushtëzon dhënien e notave me shkëmbim që ato ti ofrojnë shërbime seksuale”, ka thënë Kicaj. (lajmi.net)

Akademia e Kosovës për një vend pune jep dy rroga

Akademia e Kosovës për një vend pune jep dy rroga

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka angazhuar dy zyrtarë për pozitën “Menaxher i Prokurimit”, duke shkaktuar konfuzitet lidhur me kompetencat e zyrtarëve, dhe shpenzime të panevojshme.

Kështu thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014. Sipas Auditorit menaxhmenti nuk i ka zbatuar kontrollet ekzistuese në mënyrë efektive për të siguruar se janë respektuar kërkesat e ligjit dhe rregulloreve aktuale.
“Edhe pas rekrutimit të menaxherit të prokurimit, (që me rastin e rekrutimit nuk kishte liqencë të prokurimit dhe si rrjedhojë as të drejtë të nënshkruajë kontrata), Akademia ka vazhduar të paguajë për detyrat e tij një zyrtar të angazhuar nga jashtë me kontratë mbi vepër. Kompenzimi mujor për të angazhuarin ishte paguar pa nevojë për dy muaj pas çertifikimit të menaxherit të rekrutuar”, thuhet në raport.
Në një rast ishte angazhuar një zyrtar me kontratë mbi vepër në kohë zgjatje prej 12 muajve për kryerjen e punëve rreth ” Dizajnit dhe zhvillimit të softuerit për menaxhimin e librave në ASHAK” duke u kompensuar 330 euro në muaj, dhe nënshkrimi i kontratave mbi vepër për periudha më të gjata se tre muaj është në kundërshtim më rregullativën ligjore. Zyra e Auditorit, ka gjetur gjithashtu pagesa e dy pagave si paga primare përmes sistemit të Payroll–Prioritet i lartë.
“Pagesat për 37 anëtar (25 anëtar të rregullt dhe 12 anëtar korrespondent të ASHAK) procesohen përmes sistemit të payrollit. Këto shpërblime në payroll figurojnë si pagë e rregullt (primare). Ato i nënshtrohen të gjitha normave tatimore dhe ndaljes së kontributeve të obliguara me Ligjin për Fondet Pensionale të Kosovës. Statuti i Akademisë në përputhje me Ligjin e ASHAK përcakton të drejtën e përfitimit të shpërblimit të përhershëm mujor për personelin akademik. Ne kemi konstatuar se 10 anëtar të Akademisë që janë përfitues të këtij shpërblimi, kanë një marrëdhënie të rregullt dhe kompenzohen me pagë primare, edhe në një organizatë tjetër Buxhetore. Kompensimi i dy pagesave me pagë primare nga Buxheti i konsoliduar i Kosovës dëmton buxhetin, duke marrë parasysh se për pagën primare tatimi në pagë ndalet sipas shkallëve tatimore, përderisa për pagën e dytë do të duhej të ndalej tatimi në lartësinë 10%. Po ashtu, kjo e ul efikasitetin dhe besueshmërinë e sistemit të pagave”, thuhet në raport.
Sipas auditorit, tek mallrat dhe shërbimet të cilat ishin 98 %, është nxjerr në pah një nivel i lartë i ekzekutimit të buxhetit në tre mujorin e fund vitit(45% në vitin 2014). Në raportin e Auditorit të Përgjithshëm janë vërejtur disa nga kontratat të nënshkruar me vlerë më të lartë se sa ishte planifikuar.
Rasti ishte identifikuar tek lënda e furnizimit me mobilje, ku janë planifikuar 3,000€, ndërsa janë kontraktuar 18,047€ dhe, tek lënda për mirëmbajtjen e teknologjisë informative ku janë planifikuar 1,000€, dhe janë kontraktuar 1,650€.
Ndërsa, sipas zyrtarëve të ASHAK-ut, është shpjeguar se kjo ka ndodhur për shkak të ndryshimit të planeve, si dhe rrethanave gjatë vitit.
Po ashtu, zyra e Auditorit ka vërejtur edhe pranimin e faturave të furnitorëve të cilat dërgohen për pagesë, të cilat pranohen e regjistrohen në librin e protokollit, e që ato nënshkruhen nga zyrtarë të ndryshëm, madje edhe nga ai çertifikues e që kjo e fundit është hallka e fundit e zinxhirit kontrollues në procesin e pagesave.
Ky nënshkrim bëhet pasi të kryhen të gjitha procedurat dhe kontrollet e parapara.
Përveç kësaj një pjesë e donacioneve kanë mbetur pa u shpenzuar. Pjesa e donacioneve, megjithëse parashihej të shpenzohet në disa vite, një gjë e tillë nuk është reflektuar në planifikimet buxhetore.
Parregullsi tjetër në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, zyra e auditori kishte gjetur shpenzimet në blerjen e tri veprave artistike në vlerë 9,000€, në këtë rast shpenzimi ishte bërë nga kodi ekonomik 13460, ndërsa në regjistrin e pasurisë, pikturat ishin regjistruar në kodin 31900 si kapitale tjera. ASHAK kishte bërë kërkesë në Ministrinë e Financave për të marr një sqarim, mirëpo nuk kishte marrë përgjigje adekuate në lidhje me trajtimin e kësaj çështje./Kosovapress/

Zemra.com – Krimi që nuk hesht

Zemra.com – Krimi që nuk hesht

Më në fund lëvizin gjërat në drejtim të identifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit. Në tetor, pritet të nisë procesi i identifikimit të viktimave.

Në këtë mënyrë, për pesë vitet e ardhshme do të kryhet procesi i identifikimit e të gjitha viktimave të dhunës seksuale që besohet të jenë me qindra dhe mijera. Gjatë muajit korrik, ekzekutivi i vendit do të pranojë projekt-rregulloren për shqyrtim dhe miratim, çka i hap rrugë hapjes së procesit të shumëpritur. RTK sjell formularin përmes të cilit do të bëhet identifikimi i viktimave.

Kjo është forma me anë të së cilës viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës do të përshkruajnë historitë e tyre. Plotësimi i këtij formulari të cilin e ka siguruar RTK, do t’i mundësojë çdo femre të dhunuar gjatë luftës që në fshehtësi të plotë, të dëshmojë historitë e tyre të dhimbshme në mënyrë me të lehtë.

Zemra.com - Krimi që nuk hesht 2

Në këtë formular, i cili është në fazën finale, është hequr kërkesa për dëshmitarë shtesë, të cilët do të vërtetonin historitë e çdo viktime. Aplikimi mund të bëhet në mënyrë individuale nëpërmjet OJQ-ve, online dhe duke u paraqitur në zyrat e sekretariatit të mbikëqyrura nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies sociale.

Procesi i identifikimit, i cili pritet të nisë në tremujorin e fundit të këtij viti do t`i mundësoj çdo viktime, fillimisht do të përshkruajë ngjarjen e më pas me dëshmi të tjera mjekësore do t’u mundësojë atyre marrjen më te lehtë të statusit të viktimës civile.

Ndërkohë ministri i Shëndetësisë njofton se tashmë janë duke punuar që këto viktima të përfshihen edhe në sigurimin shëndetësor.
Besim Kajtazi, drejtor i Zyrës Ligjore në kryeministri, i cili udhëheq grupin punues njofton se në këtë proces nuk është marrë si model asnjë nga format e vendeve rajonale dhe më gjerë. Kjo për shkak se ka pasur përvoja të papërshtatshme për zbatim në territorin e Kosovës.

Ky proces mbase do të hedhë dritë edhe mbi numrin e përafërt të viktimave të dhunës seksuale pasi deri më tani është raportuar për mijëra gra të dhunuara gjatë luftës. / RTKLive.com

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE