Kjo është pasuria e vëllezërve Haradinaj

Kjo është pasuria e vëllezërve Haradinaj

Pas reagimit të vëllezërve Haradinaj se pse nuk i është publikuar pasuria pasi kanë dorëzuar formularin pranë Agjencionit Kundër Korrupsionit, sot u publikua pasuria e deklaruar nga Ramushi e Dauti.

Pasuria e paluajtshëm e Ramush Haradinajt përbëhet nga një shtëpi banimi me vlerë prej 300 mijë eurove; shtëpi familjare – kullë – me vlerë prej 270 mijë eurove; tokë kodrinore e privatizuar me vlerë prej 75 mijë eurove dhe tokë – truall – me vlerë 27.300 eurove.

Pasuria e luajtshme e tij vargohet me veturë “Suburban” e blinduar që është dhënë në shfrytëzim nga aktivistët e SHBA-ve me vlerë prej 30 mijë eurove; Audi e blinduar me vlerë prej nëntëmijë eurove; motoçikletë me vlerë nëntëmijë eurove dhe BMW me vlerë 20 mijë eurove në pronësi të gruas së tij.

Ramush Haradinaj ka të deponuara në bankë 6.000 euro dhe para të gatshme 7.000 euro, kurse pagat e tij vijnë nga Kuvendi i Kosovës me vlerë 1.488euro dhe paga e bashkëshortes me vlerë 660 euro. E, prindërit e tij marrin pensionin e pleqërisë dhe pensionin për dëshmorin.

Vëllai i tij, Dauti, ka pasuri të paluajtshme tokë me vlerë 10 mijë euro; shtëpi banimi me vlerë 195 mijë euro, dhe truall me vlerë 200 mijë euro. Kurse, nga pasuri e luajtshme posedon veturë me vlerë 10 mijë euro,;veturë tjetër që e posedon bashkëshortja me vlerë 8.500 euro; dhe, gjësende të ndryshme personale ku futen dhuratat e ndryshme të pranuara nga Daut Haradinaj – që kanë vlerën e 16.500euro.

Para të gatshme të deponuara në bankë, Daut Haradinaj ka 4.588.24 euro dhe një kredi për blerjen e truallit me vlerë 200 mijë euro për t’i kthyer me afat prej 25 viteve. Gjithashtu ai ka huazuar para nga familja për të blerë shtëpinë me vlerë 30 mijë euro. (rtklive.com)

Paquet: Prioritet, ulja e korrupsionit

Në këtë takim u tha se qeveria ka hartuar strategjinë për administratën publike me qëllim të reduktimit të barrierave procedurale dhe administrative.

Drejtori për Shtetet e Ballkanit Perëndimor në Komisionin për Fqinjësi dhe Zgjerim të Komisionit Europian, Jean Eric Paquet, tha sot se Kosova duhet të adresojë në mënyrë sistematike reformat në administratë publike.

“Reforma e Administratës Publike është vija e parë e prioriteteve të agjendës europiane për Kosovën”, u shpreh Paquet.

Paquet e bëri këtë deklaratë gjatë takimit për prioritetet e administratës publike, ku ai ishte pjesëmarrës krahas Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar.

Ai tha se ka rëndësi sesi bashkëpunohet me qytetarët pasi që korrupsioni bëhet në administratë publike dhe tha se duhen më shumë procedura transparente.

Kryeministri nga ana e tij tha që në hapje të takimit se procesi i reformës së administratës publike është sfidë për qeverinë e Kosovës, por do të ketë qasje me prioritet në këtë platformë.

“Kjo reformë përbën një platformë nga sukseset dhe rezultatës e të cilës varet zhvillimi ekonomik zbatimi i politikave qeveritare në kontekst të gjerë dhe sidomos, ofrimi i shërbimeve cilësore për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Duke e përgjithësuar punën e reformave të reja në Kosovë Mustafa paraqiti një plan që përfshin tri shtylla kryesore që duhet të reformohen.

“Kosova do të adresoj me reforma konkrete të cilat përmblidhen në tri shtylla themelore në reforma të administratës publike, në qeverisjen ekonomike në konkurrencën e tregut, në sundimin e ligjit dhe menaxhimin e të drejtave themelore të qytetarëve tonë”, tha Mustafa.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se po punohet në drejtim të krijimit të suksesshëm të reformave administrative.

“Janë krijuar kushte për realizimin e suksesshëm të reformave, janë krijuar nëntë grupe për hartimin e dokumenteve në fushën e menaxhimit të financave publike, si dhe për shërbimin civil, organizimin e administratës publike dhe llogaridhënien”, tha Yagcilar.

Në këtë takim u tha se qeveria ka hartuar strategjinë për administratën publike me qëllim të reduktimit të barrierave procedurale dhe administrative.(kallxo.com)

Kosova me projekte konkrete për 1 milardin e BE-së

Kosova me projekte konkrete për 1 milardin e BE-së

Ministri i Integrimeve Bekim Çollaku gjatë takimit përgatitor të Komitetit Kombëtar për Investime, ka deklaruar se të gjitha projektet janë infrastrukturore dhe BE tanimë ka ndarë 1 miliard euro për këto investime.

Ky komitet u taku me qëllim që të diskutojnë investimet kyçe infrastrukturore dhe bashkë-financimi i projekteve nga ana e Bashkimit Evropian.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se e sheh me shumë interes rolin e komitetit kombëtar për investime, për shkak të kapiciteteve të limituara. Ai shtoi se roli i këtij komiteti është shumë i rëndësishëm për krijimin e një ambienti për investime nga jashtë.

“Jemi në negociata me Fondin Monetar për të mundësuar investime dhe shpresojë të përmbyllet kjo brenda kësaj jave”, ka thënë ai.

Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Fqinjësore Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Komisioni Evropian, Jean-Eric Paquet ka thënë se komitetit kombëtar për investime i kanë dhënë ndihmë teknike në këtë drejtim duan të bashkëpunojnë në projekte që janë të rëndësishme dhe që lehtësojnë jetë e qytetarëve. (RTKLive.com)

Kosova mbulohet me flamuj për Isa Boletinin

Kosova mbulohet me flamuj për Isa Boletinin

Ministri i FSK-së, Haki Demolli ka thënë se me rastin e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtar dhe ata shtetërorë.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, gjatë mbledhjes së sotme të ekzekutivit ka shpjeguar në detaje se si do të bëhet ceremonia e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar, Isa Boletini në Boletin të Zveçanit duke thënë se pjesa kryesore e saj do të bëhet në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës.

Sipas Demollit, më 10 qershor të gjitha qytetet e Kosovës do të dekorohen me flamuj kombëtar dhe ata shtetërorë, transmeton Klan Kosova

Ministri i FSK-së ka bërë me dije se për sigurinë e ceremonisë do të përkujdeset policia e Kosovës dhe KFOR-i.(telegraf)

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar sot raportin “Gratë dhe burrat në Kosovë”.

Disa fakte të rëndësishme të dala nga ky raport janë:

– Raporti meshkuj/femra: për 100 femra janë 101 meshkuj;

– Jetëgjatësia mesatare: 74.1 vjeç për burra dhe 79.4 vjeç për gra;

– Mosha mesatare e të martuarve: për burra 30.8 vjeç dhe për gra 27.3 vjeç;

– Të dhënat e fertilitetit: 1.9 fëmijë për një grua;

– Koeficienti i maskulinitetit: 112.1 meshkuj, për 100 femra;

– Shkalla e analfabetizmit në popullsinë e moshës mbi 10-vjeçare: 3.85 për qind në mesin e burrave, ndërsa në mesin e grave 3.07 për qind;

– Shkalla e papunësisë: për gratë është 38.8 %, 26.9 % për meshkujt.

Për më shumë informata rreth këtij raporti, klikoni këtu: http://ask.rks-gov.net/

Pse Serbisë po i intereson kaq shumë liqeni i Gazivodës

Liqeni artificial i Gazivodës është tema kryesore e cila është duke i interesuar Serbisë në negociatat me Kosovën.

Edhe pse pala kosovare thotë se kjo temë ende nuk është hapur në diskutime, përfaqësuesit e Beogradit vazhdimisht e përmendin atë, duke thënë se kurrë nuk do të lejojnë që ai liqen të bie plotësisht nën administrimin e Prishtinës.
Liqeni artificial i Gazivodës i cili ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, për pjesën më të madhe të të cilit shqiptarët kërkojnë administrimin, ka rëndësi strategjike për mbijetesën e serbëve në Kosovë, shkruan B92.
Ky liqe garanton qëndrueshmërinë energjetike e ekonomike të kësaj pjese të Kosovës, dy të tretat e liqenit ndodhen në territorin e Serbisë Qendrore, në territorin e komunave Novi Pazar e Tutin, thuhet në shkrimin e kësaj media serbe.
Prandaj Beogradi angazhohet që i gjithë kompleksi i Gazivodës të mbetet nën kontrollin e Bashkësisë së ardhshme të Komunave Serbe, e cila sipas projeksioneve të Beogradit do të jetë një shtet në shtet.
Edhe nëse autoritetet e BE-së i thonë “jo” hapjes së kapitujve të negociatave të Serbisë me BE-në për shkak të Gazivodës, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq kohë më parë ka deklaruar se nuk do ta pranojë.
Liqeni i Gazivodës ndodhet në territorin e Zubin Potokut, në trekufirin midis Kosovës, Serbisë e Malit të Zi. Ai është ngritur në vitet e ’70-ta me mjete të Kosovës, nga i cili vihet në veprim hidrocentrali i Ujmanit, që prodhon 30 megavat energji elektrike.
Ai është potencial i rëndësishëm energjetik i vendit. Serbia në përpjekjet e saj për të ndarë veriun e Kosovës përmes Bashkësisë së Komunave Serbe, synon të rrëmbejë këtë resurs ekonomik tejet i rëndësishëm për Kosovën.

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE