Kosova përmbush edhe një kriter për liberalizim të vizave

Agjencia për Regjistrim Civil e MPB-së, sot fillon lëshimin e certifikatave të gjendjes civile me elemente të avancuara të sigurisë në gjithë territorin e vendit.

Sipas një njoftimi të MPB-së, është avancuar sistemi i pajisjes me dokumente të gjendjes civile, konform ndryshimit legjislativ dhe ngritjes së kualitetit të të dhënave, si dhe ofrimit të shërbimit në mënyrë më efikase.

Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme po e përmbush edhe një ndër kriteret themelore të Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave. / RTKLive

Çfarë e bëri Kosovën të renditet në vendin e katërt në botë me pjesëmarrës të qytetarëve të saj në ISIS

Çfarë e bëri Kosovën të renditet në vendin e katërt në botë me pjesëmarrës të qytetarëve të saj në ISIS

Është e dhimbshme të lexosh dhe të dëgjosh sot në mediat botërore lajmin më të keq të mundshëm për Kosovën, se si ky vend ende i dërmuar nga e kaluara e tij e dhimbshme, renditet në numrin katër me radhë, me pjesëmarrës të qytetarëve të saj në radhët e multifronteve të radikalëve të dhunshëm në Siri dhe Irak.

Një vend ky si yni, i cili para dhe pas lufte ende po rënkon për nevojat e tij qenësore të rimëkëmbjes, nuk është dashur të lejojë që mbi supet e tij t’i ngarkohej edhe kjo barrë e rëndë me pasoja të rrezikshme për stabilitetin e shoqërisë tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Fajin për pjesëmarrjen e qytetarëve tanë sot në ISIS askush nuk dëshiron ta pranojë, mirëpo ai nuk është inekzistent e as nuk është në qiell. Është këtu në tokë, pra është në mesin tonë.

Nga pafajësia përjashtohet vetëm Islami si fe hyjnore, por jo edhe ne që nuk ditëm dhe nuk po dimë të sillemi në përputhshmëri me mësimet e tij në vendin dhe rrethanat tona të veçanta.

Me dorën dhe veprimin tonë lejuam që dinin-fenë ta shndërrojmë në dinar-interes, para se atë ta vëmë në shërbim të shpirtit, moralit dhe konsolidimit të shoqërisë në përgjithësi.

Në vend që të jemi aktiv, të zëshëm dhe informues të saktë për atë që po ndodhte në Siri dhe Irak, ne heshtëm bukur gjatë dhe i lamë të lirë të tjerët që në vend të vërtetës dhe të realitetit, të përhapnin ideologji me ngjyrime ekstreme fetare në mesin e fëmijëve dhe familjeve tona.

Në anën tjetër, një pjesë e madhe e ndërkombëtarëve pas luftës, në këtë çështje u bënë sikur nuk po shihnin asgjë dhe bënin sehir, ndërsa një pjesë tjetër që edhe më herët ishin kundër pavarësisë dhe të ardhmes të qëndrueshme të vendit tonë, thoshin në vetvete: “Zot bane llugë-rrëmujë”!

Si krerë dhe udhëheqës të institucionit fetar nuk ishim vigjilent dhe të vetëdijshëm për gjithë atë që na ofronin nga jashtë në emër të donacioneve dhe bamirësive, të mbështjella nën petkun e fesë. Shpeshherë në vend të djathit ne hëngrëm sapunin dhe në vend të goglave morëm dushkun.  

Nuk e ngritëm zërin e duhur në kohën e duhur, sidomos atëherë kur qytetarët, diletantët, injorantët apo ish-vagabondë filluan të flasin për fenë dhe në emër të saj, të cilët në fakt e morën edhe rolin e profesorëve dhe mësuesve të arsimuar në fe, por jo vetëm kaq, ata filluan edhe t’i fyejnë, kërcënojnë dhe sulmojnë fizikisht të gjithë që nuk pajtoheshin me ta, të shtyrë nga tutorë dhe ideologë të shitur me ngjyrime të mësimeve devijuese “fetare”.

Lejuam që në xhamitë tona të krijohen laramani të praktikave fetare në mesin safave, disa qindravjeçar të unifikuar të besimtarëve tanë.

E hapëm derën e pykave ndarëse të elementeve brejtëse të unitetit në xhamitë dhe faltoret tona për kohë të gjatë pas luftës, kurse zëri i kundërt u luftua dhe u shpall për interesa të ngushta si antiislam dhe antiinstitucion fetar!!

Prandaj, krejt këto e kanë sjellë gjendjen tonë fetare që kemi sot, dhe të jemi këtu ku jemi karshi vetes dhe faktorit ndërkombëtar.

Bota në këtë pikë po na shikon çuditshëm dhe po përpilon raporte për ne si një vend i katërt me radhë për nga numri i banorëve, ku bijtë dhe bijat e tij po marrin pjesë në ISIS.

Kjo për ne duhet të konsiderohet si një njollë tepër e madhe të cilën nuk është dashur në asnjë mënyrë të lejojmë që të na spërkasë e të na përlyejë.  

Thirrjet tona se ne “jemi kundër ekstremizmit fetar” nuk kanë mjaftuar dhe nuk mjaftojnë as sot e sa në të ardhmen.

Për të parandaluar dhe shpëtuar shoqërinë nga grackat e mendimit ekstrem fetar të dhunshëm që ka marrë përmasa ndërkombëtare, duhet një rikonsolidim dhe rimobilizim i institucionit tonë fetar për të mirën e fesë të cilën e përfaqëson në rend të parë si dhe të stabilitetit afatgjatë të populli tonë.

Pas një rikëndellje dhe rizgjimi të të gjithë prijësve fetarë pa dallim, për të kuptuar kohën, vendin si dhe rrethanat në të cilat veprojnë dhe jetojnë nuk mund të ketë të ardhme të qetë fetare dhe shoqërore. / Zeri.info

Qytetarët dorëzojnë 180 mijë kuponë fiskalë për 3 ditë

Qytetarët dorëzojnë 180 mijë kuponë fiskalë për 3 ditë

Qytetarë të shumtë ia kanë mësyrë qendrave të shërbimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për të dorëzuar plikotë me kuponë fiskalë për rimbursim, të cilët i kanë grumbulluar gjatë tre muajve, prill, maj qershor.

Fluks të madh të qytetarëve kishte edhe gjatë ditës së premte në qendrën e shërbimeve të ATK-së në Prishtinë. Qytetarë me pliko në dorë pritnin në radhë të gjata për të bërë dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Gëzimi mbante në dorë tri pliko me kuponë fiskalë dhe priste në radhë për t’i dorëzuar. Ai thotë se me t’u informuar për dorëzimin e kuponëve fiskalë, kishte filluar t’i grumbullojë ata që nga qershori.

“Me kuponët fiskalë që i kam grumbulluar shpresoi t’i marrë rreth 50 euro. Tashmë çdo blerje që e bëjë nëpër markete të ndryshme ua kërkoj kuponin fiskal, pasi që po na mundësohet t’i dorëzojmë dhe të fitojmë para”, shprehet Gëzimi.

Zyrtarë të ATK-së theksojnë se interesimi i qytetarëve është tejet i madh lidhur me këtë projekt. Sami Salihu, menaxher i lartë i shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në ATK thotë se që nga momenti kur ATK-ja ka publikuar njoftimin “Kërko kuponin fiskal, përfito para”, është vërejtur interesim i madh nga qytetarët që të pajisen me kuponë fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbim.

Salihu ka shpjeguar se vetëm për tri ditë prej se ka filluar projekti (1 korrik) deri të premten (3 korrik) rreth orës 15:56, në ATK ka të dhëna interesante lidhur me aplikimin dhe dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Këto të dhëna flasin për 2,909 aplikime nga qytetarët. Prej tyre aplikues të grupit të parë (I) me vlerë të kuponëve (prej 250 deri 500 euro) ishin 938, për grupin II (mbi 500 – 800 euro) ishin 691 aplikues dhe për grupin III (mbi 800 euro) ishin 1,280 aplikues. Pra ishin gjithsej 1,441 pliko me kuponë fiskalë që qytetarët i dorëzuan, ndërsa ishin 179,823 kuponë fiskalë.

Njoftim-per-Konsumatore-ATK-27.07.2012-
“Në sistemin të cilin e ka zhvilluar ATK për këtë projekt, vërehet se brenda minutave numri i aplikacioneve si dhe dorëzimi i plikove është duke u rritur me një intensitet tejet të lartë. Këtë po e mundëson edhe forma e lehtë e aplikimit nga ana e qytetarëve, si dhe menaxhimi i zyrave regjionale të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në të cilat po pranohen dhe verifikohen plikot me kuponët fiskalë të grumbulluar nga qytetarët”, ka thënë për KosovaLive, menaxheri Salihu.

Ai thotë se projekti tashmë i titulluar “Rimbursimi i mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal”, ka për qëllim vetëdijesimin e të gjithë qytetarëve që të pajisen me kuponë fiskal, si një nga mënyrat të cilët individualisht ndihmojnë në zhvillimin e shtetit, si dhe përmes qytetarëve të ndihmohet fiskalizimi i bizneseve.

Sipas tij, secili tatimpagues ka për obligim që të pajisë konsumatorin me kupon fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbimit.

“Po ashtu, përmes këtij projekti tashmë edhe secili qytetar ka kuptuar se është e drejtë e tij që të kërkojë kuponin fiskal në momentin e furnizimit me mall apo me shërbim. Pajisja me kupon fiskal rezulton në një mirëqenie të përgjithshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, atëherë secili qytetar është mirë të kërkoj kuponin fiskal me të cilin do të kontribuojë për të ardhmen”, ka potencuar Salihu.

Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 250€ deri në 500€, do të rimbursohen në vlerën 10 €;

Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 501€ deri në 800 €, do të rimbursohen në vlerën 15 €;

Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 €.

Sipas zyrtarëve të ATK-së, ky projekt i grumbullimit të kuponëve fiskalë nga ana e qytetarëve ndihmon edhe në rënien e evazionit fiskal.
Salihu thekson se evazioni fiskal është rezultati i bizneseve që ushtrojnë aktivitete pa u regjistruar, përdorimit të faturave fiktive, shkeljes së parimeve të përgjithshme të dokumentit, sepse shitjet nuk bëhen me fatura, por me anë të transaksioneve nga xhepi në xhep, fushë ku organet tatimore nuk mund të influencojnë duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore dhe së fundi vë në dyshim rimbursimin e TVSH-së.

“Evazioni tatimor është mospagim i detyrimeve tatimore qe rrjedhin nga ligji. Nëse tatimpaguesi nuk i raporton drejt qeverisë për shitjet e tij, ky është evazion tatimor. Çdo tatim i paguar kthehet në kujdes shëndetësor, shkollim adekuat, siguri publike e shumë shërbime të tjera për të gjithë qytetarët”, thekson Salihu.

A madje thotë se secili qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm se duhet të pajiset me kuponë fiskal në momentin e blerjes së mallit apo shërbimit. Personi i cili nuk merr kuponin fiskal: dëmton veten dhe të tjerët; nuk kontribuon në zhvillimin e vendit; nuk përmbush një nga detyrimet qytetare, si dhe ndihmon evazionin fiskal.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) ka thënë për KosovaLive se, rimbursimi i një pjese mjeteve me kuponë fiskalë ka shtuar një kureshtje tek qytetarët dhe ata tashmë janë duke i grumbulluar, e që kjo është një risi në Kosovë që do të ketë një sukses të theksuar.

Ai ka theksuar se kjo është një formë e vetëdijes së qytetarëve për të kërkuar kuponët fiskalë, por kjo nuk do të thotë që informaliteti do të ulet në tregun e Kosovës, për arsye se në shumë kompani të cilat kanë arka fiskale, pothuajse 100% e kanë aktivitetin formal.

“Kuponët fiskal që po i grumbullojnë qytetarët janë të kompanive që janë të pajisura me arka fiskale, por ku janë ato kompani dhe ato subjekte ekonomike që nuk kanë arka fiskale dhe as nuk shpërndajnë kuponë fiskalë? Kjo në një aspekt do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, ndërsa projekti i grumbullimit të kuponëve fiskalë është edhe një tentim për rritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të blejnë mallra aty ku nuk ka kuponë fiskalë”, ka thënë Shahini.

Qytetarët e Kosovës, sipas tij, duhet t’i bojkotojnë subjektet ekonomike ku nuk kanë arka fiskale e të shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila siç thotë ai, se nuk beson se do të zgjatë shumë, për arsye se nuk do të jetë në dobi të buxhetit të shtetit.

Vala, 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët

Vala ka rezervuar 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të kenë vlefshmëri edhe një vit, kur i njëjti qytetar me të njëjtin numër rikthehet sërish në Kosovë.

Operatori publik Vala, i është bashkëngjitur fushatës së Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, “Ti je pjesë e Atdheut”, qëllimi i së cilës është krijimi i lehtësirave për bashkëatdhetarët. Vala ka rezervuar 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të kenë vlefshmëri edhe një vit, kur i njëjti qytetar me të njëjtin numër rikthehet në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, tani e tutje, nuk do t’iu duhet t’i hedhin në shportë numrat e telefonit, SIM Kartelat, për mungesë afati vlefshmërie, pasi operatori publik Vala, do t’ia mundësojë atyre që të përdorin të njëjtët numra edhe kur të rikthehen në Kosovë pas një viti. Rritja e afatit të vlefshmërisë të SIM Kartelave për bashkëatdhetarët, është vetëm një prej përfitimeve që Vala këtë vit parasheh të ofrojë për këtë kategori, pasi vendosi t’i bashkohet së bashku me Postën e Kosovës, fushatës së Ministrisë së Diasporës me moton “Ti je pjesë e Atdheut”.

 Vala do të ofrojë 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të përmbajnë 500 megabajt internet të shpejtë 3G e 4G, 30 minuta në rrjetin Vala dhe në numrat fiks dhe 100 SMS. Pakoja quhet Diaspora.

Të gjitha këto përfitime për bashkëatdhetarët u bën realitet përmes një Marrëveshje Mirëkuptimi të nënshkruar mes Ministrisë së Diasporës, Vala-s dhe Postës së Kosovës.

“Vala dhe Posta e Kosovës do të vënë në dispozicion të mërgimtarëve gjithë rrjetin e objekteve të tyre, ku mërgimtarët do të mund të gjejnë formularët për regjistrim. Bashkë me formualarët, do të shpërndahen edhe SIM-kartela falas, ndërsa PTK do të kontribuojë edhe në fushatën `Ti je pjesë e atdheut‘, për informimin e mërgimtarëve për regjistrimin e tyre“, tha ministri i Diasporës, Valon Murati. 

Drejtori Manaxhues i PTK-së, Agron Mustafa, pasi potencoi se kompania që ai drejton ka vënë në dispozicion 50 mijë numra për bashkëatdhetarët, sqaroi se këta numra do të jenë të veçantë në krahasim me të tjerët.

 “Problemi i secilit bashkëatdhetar për vite të tëra ka qenë fakti se i është dashur të ndërrojnë numrin sa herë kanë ardhur në Kosovë. Kjo për shkak se numrat apo SIM-kartelat kanë një afat të kufizuar vlefshmërie dhe deaktivizohen nëse nuk rimbushen. Kartelat që do të dhurojmë dhe që parashihet të jenë vetëm për bashkëatdhetarët do të kenë afat vlefshmërie 1 vit, që do të thotë se numri i njëjtë i telefonit mund të përdoret edhe vitin tjetër”, deklaroi Drejtori Menaxhues, Agron Mustafa.

 Ndërsa Shefqet Avdija, zv.kryeshef i Postës së Kosovës tha se bashkëatdhetarët do të kenë në dispozicion tërë infrastrukturën e nevojshme dhe shërbime të tjera, që do t’ua lehtësojnë bashkëtdhetarëve qëndrimin në Kosovë. Operatori publik Vala pritet të ofrojë produkte të tjera për bashkëatdhetarët gjatë këtij sezoni veror. / RTKLive

Ndryshimet në TVSH do të sjellin efekte negative

Reformat fiskale, të cilat pritet të miratohen së shpejti nga Kuvendi i Kosovës, sipas disa analizave të bëra për përfaqësues të organizatave që merren me çështje ekonomike, nuk do të kenë efekte pozitive për qytetarin e Kosovës dhe bizneset.

Një efekt pozitiv nga këto reforma ekonomike pritet të ketë në buxhetin e shtetit të Kosovës.

Në një analize të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuar, “Efektet Ekonomike dhe Buxhetore të Reformave Fiskale 2015″, thuhet se ndryshimet që do t’i pësojë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të sjellë rritje të çmimeve në shportën e konsumatorit.

Hulumtuesi i kësaj analize nga Instituti GAP, Berat Thaçi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se të gjitha këto reforma fiskale po bëhen për të rritur të hyrat në nivel vendi, duke dëmtuar kështu qytetarët.

“Kur jemi te këto ndryshime fiskale, ndryshimet më të mëdha do të ndodhin te TVSH-ja. Vlen të përmendet se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë TVSH-ja do të përshkallëzohet dhe çka do të ndodhë, për shumicën e produkteve TVSH-ja do të ngrihet nga 16 në 18 për qind. Këtu kemi parë se kjo rritje do të sjellë ngritje të kostos së jetës së qytetarit dhe çmimet në përgjithësi do të rriten për 1 për qind”, thotë Thaçi.

Në këtë analizë të Institutit GAP, theksohet se e buka, si produkt që përbën rreth 2.75 për qind të shportës së konsumatorit, pritet të lirohet për 2 cent, disa produkte do të lirohen deri në 17 cent, ndërsa energjia do të lirohet për 0.5 cent kilovat orë.

Por, në anën tjetër, thuhet në këtë analizë, mishi si produkt i rëndësishëm ushqimor pritet të shtrenjtohet në mesatare për 9 cent për kg.

Produktet tjera ushqimore, të cilat priten të shtrenjtohen janë patatet, domatet, fasulet, kafja, çaji dhe sheqeri.

Derisa, derivatet e naftës, të cilat përbëjnë rreth 3 për qind të shportës së konsumatorit (madje më shumë se buka) do të rriten për rreth 2 cent litri.

Berat Thaçi, hulumtues i lartë në Institutin GAP, thotë se është shumë i vogël numri i produkteve që do të lirohen, ndërkohë që është i madh numri i produkteve që do të shtrenjtohen.

Për këtë ai thotë se kanë kërkuar ndryshim të këtij ligji.

“Ndryshim tjetër që kemi kërkuar nga ky ligj është që tatimi i ulur në produktet 8 për qind, të ulet në 5 për qind dhe të zgjerohet lista e produkteve që përfitojnë nga reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, sqaron Thaçi.

Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend një ligj, i cili parasheh reforma fiskale, në veçanti reforma në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ky ligj është thënë se do të hyjë në fuqi në korrik të këtij viti, por që ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se këto reforma fiskale do të ndihmojnë qytetarët dhe bizneseve, në përgjithësi, do t’ua lehtësojnë zhvillimin.

Për reformat fiskale, të cilat pritet të ndryshojnë me miratimin e ligjit kanë dhënë vërejtje edhe përfaqësues të investitorëve evropianë.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija, kishte theksuar se një rritje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 16 për qind në 18 për qind dhe një zbritje e TVSH-së për disa produkte bazë në 8 për qind, nuk krijon kushte të favorshme për bizneset.

“Politikat fiskale duhet të jenë stimuluese në kuptimin që ta nxisin prodhimin, ta nxisin zhvillimin e këtyre kompanive dhe ato pastaj do të paguajnë tatim në të ardhurat e tyre, por mos t’i tatojmë fillimisht, kur ato kanë kosto të mëdha të investimit”, shton ai.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime.  / RTKLive

Haradinaj: T’i japim shpirt e vlerë Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se qëllimi i partisë që drejton është që “ta bëjë Kosovën”, t’i japë asaj “shpirt dhe vlerë”.

“Të punojmë me shpirt detyrat që marrim. Nëse sot pas këtij Kuvendi vendosim që do të punojmë me shpirt me vlerat tona morale, atëherë nuk ka dilemë që Kosovës, ekonomisë, sistemit politik do t’i japim vlerë”, tha Haradinaj.

Ai thirri anëtarësinë partiake që të punojë “me shpirt për një shtet ligjor të së drejtës”.

“Ju bëj thirrje të punojmë me shpirt në ekonomi, për vende pune”, tha Haradinaj.

AAK sot në Prishtinë është duke zhvilluar punimet e Kuvendi VII Zgjedhor, ndërsa kandidat të vetëm për kryetar partie ka liderin e deritashëm Ramush Haradinaj. / RTKLive.com

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE