Fustanet në „botën e mashkullit“

Fustanet në „botën e mashkullit“

 

Mbi 5 mijë fustane janë dhuruar nga gra dhe burra nga mbarë Kosovë për të krijuar instalacionin artistik “Mendoj për ty”, në shenjë solidarizimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Instalacioni është realizuar në fushën e stadiumit të Prishtinës, ku janë varur mijëra fustane dhe funde të grave.

Në mesin e tyre ishin edhe dy funde të varura ku kishin dy mbishkrime personale.

“E kam një përjetim të hidhur,” ishte shkruar në njërin, dhe në tjetrin shkruante “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998″.

Instalacioni është realizuar nga artistja Alketa Xhafa – Mripa, dhe është mbështetur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kryeson Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale. 

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte në hapje të instalacionit “Mendoj për Ty” ka theksuar se bërja e kësaj vepre artistike dha shumë për të menduar dhe preku zemrat e shumta.

“Përjetuam shumë emocione. Dëshmuam se Kosova nuk ka qytetarë për të humbur. Se ne nuk i lëmë ata pas. Dhe që në përvjetorin e çlirimit të vendit tonë, në këtë ditë të veçantë, me të mbijetuarit e kësaj torture, që jetojnë ende me këtë luftë brenda vetes, do të jemi bashkë. Sepse, sot, derisa e festojmë lirinë, e përkujtojmë edhe vuajtjen e thellë të shkaktuar nga lufta. Sepse paqja jonë kurrë nuk do të jetë e plotë pa paqen e tyre”, ka theksuar presidentja Jahjaga.

Artistja Alketa Xhafa – Mripa, ka treguar se ideja për instalacionin i kishte ardhur para tre vjetësh kur kishte dëgjuar intervistat e dhëna nga të mbijetuarit e dhunës seksuale se nuk ishin të përkrahur nga shoqëria.

Realizimi i kësaj vepre artiske në fushën e futbollit, sipas Alketës, ka një domethënie.

Fusha e futbollit njihet si bota e mashkullit, është aty ku adrenalina, fishkëllimat ndodhin, e tëmbijetuarave iu është dashur një përkrahje e shoqërisë, e burrave në familje dhe institucioneve dhe unë me këtë kam dashur që ato të kenë një vend të veçantë në atë botë. Po ashtu, në të njëjtën kohë, e ka edhe anën tjetër, kur ka ndodhur kjo para 16 vjetësh, ato kanë qenë të kufizuara ashtu siç është fusha e futbollit”, ka sqaruar ajo.

Fustanet e tyre për këtë instalacion artistik kanë dhuruar edhe Cherie Blair, gruaja e ish-kryeministrit Tony Blair, si dhe Baronesha Anelay.

Fustanet, që janë të vendosur në stadiumin e Prishtinës, do të qëndrojnë aty gjatë tërë ditës së premte , pastaj me to do të bëhet një skulpturë që do të jetë e përhershme në sheshin e Prishtinës.

Në Prishtinë, të premten, gjithashtu është bërë edhe inaugurimi i memorialit „Heroinat“, i cili nderon sakrificën dhe kontributin e gruas gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka qenë i pranishëm në inaugurimin e këtij memoriali, ka theksuar se ky memorial nderon në mënyrë simbolike kontributin e gjithanshëm të gruas në Kosovë, që ka dhënë gjatë luftës.

“Kjo vepër e realizuar artistike është një nderim për sakrificën e vajzave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, por edhe për sakrificat e grave të dhunuara”, ka theksuar Mustafa.

Edhe pas 16 vjetësh të përfundimit të luftës, ende nuk ka një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por mendohet që numri i tyre të jetë rreth 20 mijë.

Historike: Kosova parakalon në Lojërat Olimpike Evropiane me flamur shtetëror (Foto/Video)

Historike: Kosova parakalon në Lojërat Olimpike Evropiane me flamur shtetëror (Foto/Video)

Kosova sërish ka shkruar historinë – kësaj radhe vendi jonë për herë të parë në historinë e vet ka parakaluar në Lojërat Olimpike Evropiane me flamur e simbole shtetërore.

Të prirë nga Majlinda Kelmendi, sportistët nga Kosova që do të përfaqësojnë vendin tonë në këto Lojëra Olimpike Evropiane, parakaluan në stadiumin impozant në Baku.

Ditë më parë flamuri shtetëror i Republikës së Kosvoës i është dorëzuar Majlinda Kelmendit dhe ekipit olimpik të Kosovës.

Ky është absolutisht momenti më i madh për sportin e Kosovës, pasi që tash barrierat për pjesëmarrje me simbolet tona në të gjitha sportet olimpike definitivisht janë të thyera. /Telegrafi/

 

Për 10 Vjetorin e Vetëvendosjes ka arsye për festë por jo edhe për 16 Vjetorin e Çlirimit të Kosovës!

Seanca festive e Kuvendit të Kosovës për Ditën e Çlirimit u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të partive tjera opozitare me preteksin se “populli s’ka bukë për të ngrënë“ dhe nuk ka arsye për festë.
“Kohëve të fundit seancat e tilla janë shpeshtuar me iniciativë të kryetarit Veseli, për të dhënë përshtypjen se në Kosovë po lulëzon gjithçka. Kjo është arsyeja pse ne nuk po marrim pjesë në këtë seancë”, tha Glauk Konjufca, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së.
Por, ende pa i ardhur vakti tjetër popullit për të ngrënë bukë, pa kaluar as 8 orë nga këto deklarata, lulëzoi gjithçka për Vetëvendosjen dhe deputetët e saj që refuzuan ta festojnë përvjetorin e çlirimit, filluan festën e tyre për një përvjetor tjetër, atë të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosjes, për të cilin mbajtën edhe një koncert festiv në sheshin “Zahir Pajaziti”, sepse përvjetori i tyre ishte më i rëndësishëm se përvjetori i çlirimit të popullit nga regjimi serb.

Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që lidershipi i Vetëvendosjes vepron me standarde të dyfishta politike, me synim manipulimin e opinionit. (lajmi.net)
 

380 mijë euro për dy autobusë të FSK-së

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shpenzuar rreth 380 mijë euro për dy autobusë prej 39 ulëseve, të cilët do të përdoren vetëm për nevoja të brendshme të FSK-së.

Kjo Ministri më 15 dhjetor 2014 ka pranuar faturën për pagesën e dy autobusëve në vlerë prej 379.222 eurosh. Ndërkohë, që detajet e hollësishme janë specifikuar në kontratën që e ka siguruar gazeta “Zëri”. Autobusët e blerë nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë të markës “Tam”, të cilët prodhohen në Maribor të Sllovenisë.

Zyra e prokurimit të MFSK-së arsyeton shumën për blerjen e këtyre autobusëve, duke thënë se kanë specifika të veçanta krahasuar me autobusët e thjeshtë. Ata tregojnë se një autobus u ka kushtuar 189.611 euro.

Kjo është uniforma e re e Policisë së Kosovës (Foto)

Policia e Kosovës sot në ora 12:00 do të organizojë ceremoni me rastin e diplomimit të gjeneratës së 52-të të kadetëve të Policisë së Kosovës. Me këtë rast prezantohet edhe uniforma e re e Policisë së Kosovës.

Kjo ceremoni  organizohet  nga policia dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Gazeta Tribuna ka siguruar fotografinë ku shihet uniforma e re e Policisë së Kosovës.

Mustafa: Thaçi do të bëhet president

Mustafa: Thaçi do të bëhet president

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Hashim Thaçi do të behët president i Kosovës në vitin 2016.

Ai ka thënë se marrëveshja mes PDK dhe LDK është që ky proces të votohet dhe kjo do të ndodh.

„Janë thënë shumë here fjalë të ndryshme për vota, por unë jam i sigurt që ato vota janë. Marrëveshja është dhe nuk ka asgjë tjetër“, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të reja. Ai ka thënë se kjo nuk i duhet Kosovës dhe këtë nuk do ta lejojnë të ndodh fare. sipas tij çështja Thaçi është çështje e kryer. 

Mustafa: Me palën serbe më 23 qershor do të ketë bisedime tërë ditën

Kryeministri Isa Mustafa ka thënë se në takimin e 23 qershorit në Bruksel me palën serbe do të bisedojnë për kodin telefonik, energjinë, çështjen e sigurimeve si dhe çështja shumë e rëndësishme “Parku i Paqes” mbi lumin Ibër si dhe për Asociacionin e Komunave.
Sipas kryeministrit nuk do të lejohet që ky Asociacion të ketë pushtet ekzekutiv.
Mustafa beson se me palën serbe do të ketë bisedime tërë ditën.
———————————————————————————————————–
Mustafa: Specialja do ta pastronte luftën e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për RTV21 ka thënë se Brukseli themelimin e Gjykatës Speciale e konsideron punë të kryer dhe tash I mbetet Kuvendit të Kosovës ta kryejë punën e vet.
Sipas tij Gjykata do ta pastronte luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kryeministri tha se mos votimi i Speciales nga ana e deputetëve do ta kthente Kosovën 16 vjet pas pasi që këtë të drejtë do ta marrë Organizata e Kombeve të Bashkuara(OKB).
Mustafa tha se UNMIK-u dhe EULEX-i nuk kanë arritur t’i kryejnë punët që kanë pasur në gjyqësor.
Kryeministri pohoi se tashmë nga drafti për Gjykatën është hequr fjala gjenocid. / RTKLive

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE