Vrasësit të turistëve çekë iu falën 6 vjet burg

Vrasësit të turistëve çekë iu falën 6 vjet burg

Cili është vendimi që i dha lirinë e parakohshme Sokol Mjacajt dhe dosja gjyqësore ku akuzohej që bashkë me dy vëllezërit Kodra vranë fëmijën 13-vjeçar, Agim Lera.

Krimi për një varëse floriri dhe vendimi i çuditshëm i Gjykatës së Apelit të Shkodrës, që një prej të dyshuarve kryesorë për vrasje nga dënim me burg përjetë i dha 25 vite dënim, ndërsa Mjacajt menjëherë i fali gjashtë vite

Nëse ngjarjet do viheshin në peshore, nuk dihet se cila është krimi më i madh; vrasja e dy turistëve çekë nga një 20-vjeçar me rekorde të rënda kriminale, apo lirimi i autorit të dyshuar nga burgu, pa kryer as gjysmën qesharake të një dënimi të dhënë.

Kështu, duke parë dosjen gjyqësore të të dyshuarit Sokol Mjacaj, ngjan se gjyqësori i ka dhënë lirinë e parakohshme jo vetëm për t’u rehabilituar, por indirekt për të kryer një tjetër krim të rëndë, vetëm një muaj pasi la qelinë e burgut.

Burgosja e parë e Mjacajt nis në vitin 2010, kur ai ishte 15 vjeç, pasi mori pjesë në masakrimin për vdekje të 13-vjeçarit, Agim Lera. Kjo ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Pjollë të komunës Shalë, në vitin 2010.

Dyshohet se Mjacaj në bashkëpunim me vëllezërit Edmond dhe Besnik Kodra vranë në rrethana rënduese një fëmijë vetëm 13 vjeç, për një varesë floriri. Pasi i rrëmbyen varësen, ndaj fëmijës krejt të mitur ushtruan dhunë të rëndë duke i përplasur kokën në gurë dhe më pas mbytur me duar. Për të humbur gjurmët, trupin e fëmijës e hodhën në lumë.

Pak muaj më pas u arrestuan Mjacaj dhe dy vëllezërit Kodra, të cilët ishin në moshë madhore. Ata në gjykatë nuk e pranuan krimin, por sërish për treshen gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Shkodrës dënoi me burgim të përjetshëm Besnik Kodrën, vëllanë e tij Edmondin me 11 vjet, ndërsa të miturin 15-vjeçar me dhjetë vite. U konsiderua si një “lehtësim” për familjarët e djalit 13-vjeçar të vrarë në mënyrën më të tmerrshme të mundshme, por “drejtësia” di të manovrojë.

Apeli

Që në fillim dy vëllezërit pretendonin pafajësinë, duke mohuar çdo akuzë, por prokuroria përveç disa provave shkencore, kishte edhe dëshminë e Sokol Mjacajt. Ai kishte treguar ngjarjen dhe më pas edhe vendin ku ishte hedhur trupi i fëmijës.

Që të gjitha deklarimet e tij rezultuan të sakta, duke e rënduar pozitën edhe të dy vëllezërve. Për institucionin e akuzës, goditjen fatale të përplasjes së kokës në gurë e kishte dhënë Besnik Kodra, ndërsa vëllai i tij Edmondi dhe Sokol Mjacaj kishin bashkëpunuar dhe dhunuar fëmijën. Gjithashtu rezulton se personi që kishte çuar në “pritë” fëmijën dyshohet se është Sokol Mjacaj.

Teksa vendimi ishte marrë në shkallën e parë të gjyqësorit, avokatët mbrojtës të dy vëllezërve apeluan vendimin. Pikërisht në këtë gjykatë do vinte ndryshimi i madh për të akuzuarit. Gjykata e Apelit, në dhënien e vendimit në vitin 2013, ka pranuar pjesërisht kërkesën për rihapjen e hetimit në ngarkim të tre të pandehurve, ka vendosur lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë për Edmond Kodrën, pra dënimin e tij me 11 vjet burg, ndryshimin e vendimit për vëllanë e tij, Besnik Kodra, nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burg, si dhe ndryshimin e vendimit për të pandehurin Sokol Mjacaj.

Ai, nga dhjetë vite që ishte dënuar në shkallën e parë, u dënua me vetëm katër vjet. Pala gjykuese në Apel kryesohej nga gjyqtarja Marina Rraboshta, ndërsa kishte në krah edhe dy anëtarët, kolegët e saj, që ishin në një mendje për ndryshimin e vendimit.

Teksa u dha vendimi, menjëherë në sallën e gjyqit dhe pas saj pati përleshje të ashpra mes familjarëve të të akuzuarve dhe atyre të fëmijës së masakruar. U gjakosën mes tyre, u vranë fizikisht e shumë shpirtërisht familjarët e djaloshit vetëm 13-vjeçar, por kjo ishte drejtësia e dhënë.

Vendimi i diskutueshëm

Fakti që edhe Gjykata e Apelit njohu fajësinë, por zbuti dënimet, ngjalli jo pak reagim. Së pari ajo i njohu si fajtorë të tre personat, por bëri dy “ndere” fort të mëdha. Së pari për të akuzuarin kryesor, Besnik Kodra, pasi për të nga dënim me burg përjetë i dha 25 vite, por pa argumentuar qartë se përse ky vendim gati në ekstrem.

Ndërkohë ka lënë në fuqi vendimin me 11 vite për të vëllanë, ndërsa “mëshiroi” thuajse krejtësisht Sokol Mjacajn, kur për të dha vetëm katër vite burgim, paçka krimit të rëndë që kishte ndodhur. Por sërish asnjë nga gjyqtarët që morën vendimin nuk u procedua, ndonëse familjarët u rivranë pasi vendimi ishte pro të akuzuarve.

Nuk dihet tashmë se çfarë do të ndodhë me treshen e Gjykatës së Apelit të Shkodrës, ku pas vrasjes së tre turistëve çekë është rikthyer edhe një herë problemi i madh që ndodh me drejtësinë. Ku persona të akuzuar për krime të rënda dënohen pak dhe në një kohë të shkurtër fitojnë lirinë, duke iu rikthyer krimeve dhe lënë pasoja të rënda.

Ai vetëm para një muaji kishte lënë qelitë e burgut të Shën Kollit në Lezhë, por tashmë kreu një krim mjaft të rëndë, duke lënë të vdekur në vend dy turistët çekë që erdhën në Shqipëri për turizëm, por u kthyen në vendlindje me arkivole, pasi ranë në pritë nga një grabitje e mundshme.

Ministri i Rendit dhe kryepolici shigjetojnë gjyqësorin

Në momentin që u konfirmua zyrtarisht se autori i dyshuar i vrasjes së dy turistëve ishte arrestuar nga policia në fshatin Grudë e Re në Shkodër, reagoi edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Në postimin e tij, Tahiri falenderon forcat e policisë dhe banorët e Dukagjinit. Ministri i Brendshëm shprehet se personi i arrestuar ndoshta duhet të ishte në burg për krimet e mëparshme.

“Faleminderit policisë dhe banorëve të Dukagjinit për arrestimin në kohë rekord të njeriut, që ndoshta duhet të ishte ende në burg për krimet e mëparshme, e jo të vriste përsëri”, shkroi ministri.

Në këtë mënyrë ai ka lënë të kuptohet se vendimi i gjykatës dhe problemi i drejtësisë në vend po shkakton mjaft probleme. Sepse direkt gjyqtarë të ndryshëm duke dhënë dënime të ulëta, shumë më pak seç e parashikon ligji, sjellin pasoja të rënda. Gjithashtu, edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, në një prononcim të shkurtër nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës ishte në të njëjtën linjë me ministrin, ndërkohë ka siguruar se rendi do të jetë prioritet kryesor në zonat turistike.

“Dua të siguroj që të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj që bëhen pjesë e guidave dhe lëvizjes në Shqipëri se ata do të jenë më se të sigurt tash e tutje. Do të marrim masa që t’u vëmë në dispozicion çdo shërbim”, – tha Çako. Ndërkohë në lidhje me vendimin e gjykatave, duke iu referuar rastit të Mjacajt, kreu i Policisë së Shtetit tha se “jemi duke analizuar në mënyrë të detajuar edhe arsyet pse ky kriminel gjendet jashtë, pasi ka qenë edhe më parë i dënuar për tentativë vjedhjeje me pasojë vdekjen e një fëmije”. (Mapo.al

Kosova përmbush edhe një kriter për liberalizim të vizave

Agjencia për Regjistrim Civil e MPB-së, sot fillon lëshimin e certifikatave të gjendjes civile me elemente të avancuara të sigurisë në gjithë territorin e vendit.

Sipas një njoftimi të MPB-së, është avancuar sistemi i pajisjes me dokumente të gjendjes civile, konform ndryshimit legjislativ dhe ngritjes së kualitetit të të dhënave, si dhe ofrimit të shërbimit në mënyrë më efikase.

Me këtë rast, Ministria e Punëve të Brendshme po e përmbush edhe një ndër kriteret themelore të Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave. / RTKLive

Çfarë e bëri Kosovën të renditet në vendin e katërt në botë me pjesëmarrës të qytetarëve të saj në ISIS

Çfarë e bëri Kosovën të renditet në vendin e katërt në botë me pjesëmarrës të qytetarëve të saj në ISIS

Është e dhimbshme të lexosh dhe të dëgjosh sot në mediat botërore lajmin më të keq të mundshëm për Kosovën, se si ky vend ende i dërmuar nga e kaluara e tij e dhimbshme, renditet në numrin katër me radhë, me pjesëmarrës të qytetarëve të saj në radhët e multifronteve të radikalëve të dhunshëm në Siri dhe Irak.

Një vend ky si yni, i cili para dhe pas lufte ende po rënkon për nevojat e tij qenësore të rimëkëmbjes, nuk është dashur të lejojë që mbi supet e tij t’i ngarkohej edhe kjo barrë e rëndë me pasoja të rrezikshme për stabilitetin e shoqërisë tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Fajin për pjesëmarrjen e qytetarëve tanë sot në ISIS askush nuk dëshiron ta pranojë, mirëpo ai nuk është inekzistent e as nuk është në qiell. Është këtu në tokë, pra është në mesin tonë.

Nga pafajësia përjashtohet vetëm Islami si fe hyjnore, por jo edhe ne që nuk ditëm dhe nuk po dimë të sillemi në përputhshmëri me mësimet e tij në vendin dhe rrethanat tona të veçanta.

Me dorën dhe veprimin tonë lejuam që dinin-fenë ta shndërrojmë në dinar-interes, para se atë ta vëmë në shërbim të shpirtit, moralit dhe konsolidimit të shoqërisë në përgjithësi.

Në vend që të jemi aktiv, të zëshëm dhe informues të saktë për atë që po ndodhte në Siri dhe Irak, ne heshtëm bukur gjatë dhe i lamë të lirë të tjerët që në vend të vërtetës dhe të realitetit, të përhapnin ideologji me ngjyrime ekstreme fetare në mesin e fëmijëve dhe familjeve tona.

Në anën tjetër, një pjesë e madhe e ndërkombëtarëve pas luftës, në këtë çështje u bënë sikur nuk po shihnin asgjë dhe bënin sehir, ndërsa një pjesë tjetër që edhe më herët ishin kundër pavarësisë dhe të ardhmes të qëndrueshme të vendit tonë, thoshin në vetvete: “Zot bane llugë-rrëmujë”!

Si krerë dhe udhëheqës të institucionit fetar nuk ishim vigjilent dhe të vetëdijshëm për gjithë atë që na ofronin nga jashtë në emër të donacioneve dhe bamirësive, të mbështjella nën petkun e fesë. Shpeshherë në vend të djathit ne hëngrëm sapunin dhe në vend të goglave morëm dushkun.  

Nuk e ngritëm zërin e duhur në kohën e duhur, sidomos atëherë kur qytetarët, diletantët, injorantët apo ish-vagabondë filluan të flasin për fenë dhe në emër të saj, të cilët në fakt e morën edhe rolin e profesorëve dhe mësuesve të arsimuar në fe, por jo vetëm kaq, ata filluan edhe t’i fyejnë, kërcënojnë dhe sulmojnë fizikisht të gjithë që nuk pajtoheshin me ta, të shtyrë nga tutorë dhe ideologë të shitur me ngjyrime të mësimeve devijuese “fetare”.

Lejuam që në xhamitë tona të krijohen laramani të praktikave fetare në mesin safave, disa qindravjeçar të unifikuar të besimtarëve tanë.

E hapëm derën e pykave ndarëse të elementeve brejtëse të unitetit në xhamitë dhe faltoret tona për kohë të gjatë pas luftës, kurse zëri i kundërt u luftua dhe u shpall për interesa të ngushta si antiislam dhe antiinstitucion fetar!!

Prandaj, krejt këto e kanë sjellë gjendjen tonë fetare që kemi sot, dhe të jemi këtu ku jemi karshi vetes dhe faktorit ndërkombëtar.

Bota në këtë pikë po na shikon çuditshëm dhe po përpilon raporte për ne si një vend i katërt me radhë për nga numri i banorëve, ku bijtë dhe bijat e tij po marrin pjesë në ISIS.

Kjo për ne duhet të konsiderohet si një njollë tepër e madhe të cilën nuk është dashur në asnjë mënyrë të lejojmë që të na spërkasë e të na përlyejë.  

Thirrjet tona se ne “jemi kundër ekstremizmit fetar” nuk kanë mjaftuar dhe nuk mjaftojnë as sot e sa në të ardhmen.

Për të parandaluar dhe shpëtuar shoqërinë nga grackat e mendimit ekstrem fetar të dhunshëm që ka marrë përmasa ndërkombëtare, duhet një rikonsolidim dhe rimobilizim i institucionit tonë fetar për të mirën e fesë të cilën e përfaqëson në rend të parë si dhe të stabilitetit afatgjatë të populli tonë.

Pas një rikëndellje dhe rizgjimi të të gjithë prijësve fetarë pa dallim, për të kuptuar kohën, vendin si dhe rrethanat në të cilat veprojnë dhe jetojnë nuk mund të ketë të ardhme të qetë fetare dhe shoqërore. / Zeri.info

Qytetarët dorëzojnë 180 mijë kuponë fiskalë për 3 ditë

Qytetarët dorëzojnë 180 mijë kuponë fiskalë për 3 ditë

Qytetarë të shumtë ia kanë mësyrë qendrave të shërbimeve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për të dorëzuar plikotë me kuponë fiskalë për rimbursim, të cilët i kanë grumbulluar gjatë tre muajve, prill, maj qershor.

Fluks të madh të qytetarëve kishte edhe gjatë ditës së premte në qendrën e shërbimeve të ATK-së në Prishtinë. Qytetarë me pliko në dorë pritnin në radhë të gjata për të bërë dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Gëzimi mbante në dorë tri pliko me kuponë fiskalë dhe priste në radhë për t’i dorëzuar. Ai thotë se me t’u informuar për dorëzimin e kuponëve fiskalë, kishte filluar t’i grumbullojë ata që nga qershori.

“Me kuponët fiskalë që i kam grumbulluar shpresoi t’i marrë rreth 50 euro. Tashmë çdo blerje që e bëjë nëpër markete të ndryshme ua kërkoj kuponin fiskal, pasi që po na mundësohet t’i dorëzojmë dhe të fitojmë para”, shprehet Gëzimi.

Zyrtarë të ATK-së theksojnë se interesimi i qytetarëve është tejet i madh lidhur me këtë projekt. Sami Salihu, menaxher i lartë i shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në ATK thotë se që nga momenti kur ATK-ja ka publikuar njoftimin “Kërko kuponin fiskal, përfito para”, është vërejtur interesim i madh nga qytetarët që të pajisen me kuponë fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbim.

Salihu ka shpjeguar se vetëm për tri ditë prej se ka filluar projekti (1 korrik) deri të premten (3 korrik) rreth orës 15:56, në ATK ka të dhëna interesante lidhur me aplikimin dhe dorëzimin e kuponëve fiskalë.

Këto të dhëna flasin për 2,909 aplikime nga qytetarët. Prej tyre aplikues të grupit të parë (I) me vlerë të kuponëve (prej 250 deri 500 euro) ishin 938, për grupin II (mbi 500 – 800 euro) ishin 691 aplikues dhe për grupin III (mbi 800 euro) ishin 1,280 aplikues. Pra ishin gjithsej 1,441 pliko me kuponë fiskalë që qytetarët i dorëzuan, ndërsa ishin 179,823 kuponë fiskalë.

Njoftim-per-Konsumatore-ATK-27.07.2012-
“Në sistemin të cilin e ka zhvilluar ATK për këtë projekt, vërehet se brenda minutave numri i aplikacioneve si dhe dorëzimi i plikove është duke u rritur me një intensitet tejet të lartë. Këtë po e mundëson edhe forma e lehtë e aplikimit nga ana e qytetarëve, si dhe menaxhimi i zyrave regjionale të shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve në të cilat po pranohen dhe verifikohen plikot me kuponët fiskalë të grumbulluar nga qytetarët”, ka thënë për KosovaLive, menaxheri Salihu.

Ai thotë se projekti tashmë i titulluar “Rimbursimi i mjeteve nga grumbullimi i kuponëve fiskal”, ka për qëllim vetëdijesimin e të gjithë qytetarëve që të pajisen me kuponë fiskal, si një nga mënyrat të cilët individualisht ndihmojnë në zhvillimin e shtetit, si dhe përmes qytetarëve të ndihmohet fiskalizimi i bizneseve.

Sipas tij, secili tatimpagues ka për obligim që të pajisë konsumatorin me kupon fiskal në momentin e furnizimit me mall apo shërbimit.

“Po ashtu, përmes këtij projekti tashmë edhe secili qytetar ka kuptuar se është e drejtë e tij që të kërkojë kuponin fiskal në momentin e furnizimit me mall apo me shërbim. Pajisja me kupon fiskal rezulton në një mirëqenie të përgjithshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, atëherë secili qytetar është mirë të kërkoj kuponin fiskal me të cilin do të kontribuojë për të ardhmen”, ka potencuar Salihu.

Për të gjithë konsumatorët, të cilët grumbullojnë kuponët fiskal dhe si të tillë i dërgojnë në ATK, do të aplikohet rimburismi i vlerës së tatueshme të të gjithë kuponëve fiskalë në muajin pasues të çdo tremujori, sipas këtyre kritereve:

Grupi I – Plikot me më shumë se 30 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 250€ deri në 500€, do të rimbursohen në vlerën 10 €;

Grupi II – Plikot me më shumë se 40 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme nga 501€ deri në 800 €, do të rimbursohen në vlerën 15 €;

Grupi III – Plikot me më shumë se 50 kuponë dhe me vlerë të përgjithshme mbi 800 € do të rimbursohen në vlerën 20 €.

Sipas zyrtarëve të ATK-së, ky projekt i grumbullimit të kuponëve fiskalë nga ana e qytetarëve ndihmon edhe në rënien e evazionit fiskal.
Salihu thekson se evazioni fiskal është rezultati i bizneseve që ushtrojnë aktivitete pa u regjistruar, përdorimit të faturave fiktive, shkeljes së parimeve të përgjithshme të dokumentit, sepse shitjet nuk bëhen me fatura, por me anë të transaksioneve nga xhepi në xhep, fushë ku organet tatimore nuk mund të influencojnë duke iu shmangur kështu detyrimeve tatimore dhe së fundi vë në dyshim rimbursimin e TVSH-së.

“Evazioni tatimor është mospagim i detyrimeve tatimore qe rrjedhin nga ligji. Nëse tatimpaguesi nuk i raporton drejt qeverisë për shitjet e tij, ky është evazion tatimor. Çdo tatim i paguar kthehet në kujdes shëndetësor, shkollim adekuat, siguri publike e shumë shërbime të tjera për të gjithë qytetarët”, thekson Salihu.

A madje thotë se secili qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm se duhet të pajiset me kuponë fiskal në momentin e blerjes së mallit apo shërbimit. Personi i cili nuk merr kuponin fiskal: dëmton veten dhe të tjerët; nuk kontribuon në zhvillimin e vendit; nuk përmbush një nga detyrimet qytetare, si dhe ndihmon evazionin fiskal.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) ka thënë për KosovaLive se, rimbursimi i një pjese mjeteve me kuponë fiskalë ka shtuar një kureshtje tek qytetarët dhe ata tashmë janë duke i grumbulluar, e që kjo është një risi në Kosovë që do të ketë një sukses të theksuar.

Ai ka theksuar se kjo është një formë e vetëdijes së qytetarëve për të kërkuar kuponët fiskalë, por kjo nuk do të thotë që informaliteti do të ulet në tregun e Kosovës, për arsye se në shumë kompani të cilat kanë arka fiskale, pothuajse 100% e kanë aktivitetin formal.

“Kuponët fiskal që po i grumbullojnë qytetarët janë të kompanive që janë të pajisura me arka fiskale, por ku janë ato kompani dhe ato subjekte ekonomike që nuk kanë arka fiskale dhe as nuk shpërndajnë kuponë fiskalë? Kjo në një aspekt do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, ndërsa projekti i grumbullimit të kuponëve fiskalë është edhe një tentim për rritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të blejnë mallra aty ku nuk ka kuponë fiskalë”, ka thënë Shahini.

Qytetarët e Kosovës, sipas tij, duhet t’i bojkotojnë subjektet ekonomike ku nuk kanë arka fiskale e të shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila siç thotë ai, se nuk beson se do të zgjatë shumë, për arsye se nuk do të jetë në dobi të buxhetit të shtetit.

Çifti çek u vra në pritë, ishin të dashuruar me Shqipërinë

Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmë në Dukagjin, ku dy turistë çekë u vranë me  breshëri plumbash në pritë, dhe që më pas u hodhën në greminë, policia ka hedhur dyshime se njëri nga autorët e krimit ka qënë në automjetin e turistëve si shoqërues  ose si pasagjer.

Dy viktimat e këtij krimi të shëmtuar mbeten çifti i turistëve nga Çekia, Michal Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeçe.

Dy turistët ishin nisur me automjetin e tyre fuoristradë me targë 4P89798 nga fshati Prekal i Dukagjinit,  ku ndodhet një kamping me turistë çekë, për në drejtim të Shkodrës. Me vete dyshohet të kenë pasur në makinë dhe një përson tjetër, banor i zonës. Pak metra pasi kanë lënë fshatin Prekal, tursitët janë gjetur përballë një prite dhe një kurthi të ngritur nga përsoni që kishin me vete në makinë.

Dy turistët janë qëlluar me breshëri automatiku nga brenda dhe jashtë makinës, duke i lënë të vdekur në vend. Më  pas automjeti është rrokullisur nga autorët në përpjekje për të fshehur ngjarjen si aksident.

Brenda makinës policia ka gjetur një armë zjarri automatik, ndërsa rreth 30 metra larg makinës ka gjetur një kreher me fishekë dhe dy gëzhoja.

Si në xhamat e automjetit te pjesa e pasagjerit, ashtu dhe në armën që ndodhej brenda në makinë  dhe kreherin me fishekë të gjetur disa metra më larg, ka gjurmë gishtërinjsh  të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor në identifikim e autorëve.

Nisur nga dinamika e veprimeve që kanë bërë autorët, policia ka krijuar bindjen se kemi të bëjmë me një kurth të ngritur nga autorët e këtij krimi ndaj dy viktimave.

Forca të shumta policie dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë janë duke krehur gjithë zonën. Për  momentin ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorve të këtij krimi, ndërkohë që dyshimet e policisë janë hedhur për katër përsona të moshës nga 18 deri 35 vjeç, banorë të Dukagjinit.

 

Svatos kishte publikuar në Facebook flamurin shqiptar

Vetëm dy ditë para se të vriteshin, çifti nga Çekia Michal Svatos dhe Anna Kosinova kishin publikuar në faqen e tyre ne Facebook një album të titulluar “Përshëndetje nga Ballkani”.

Për këtë album ata kishin zgjedhur fotot më të bukura nga udhëtimi i tyre turistik në Malësitë e Shkodrës dhe plazhin e Rrjollit.

Në fillim, çifti çek ka udhëtuar drejt plazhit të Rrjollit në Velipojë ku kanë publikuar dhe foto nga bukuritë e kësaj zone.

Më pas, ata janë nisur drejt zonës së Vermoshit, për të përfunduar në zonën e Dukagjinit, që për fat të keq rezultoi me udhëtimin e tyre të fundit.

Në fotot që kanë publikuar, nuk mungon as ajo ku valëvitet flamuri shqiptar.

 

Vala, 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët

Vala ka rezervuar 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të kenë vlefshmëri edhe një vit, kur i njëjti qytetar me të njëjtin numër rikthehet sërish në Kosovë.

Operatori publik Vala, i është bashkëngjitur fushatës së Ministrisë së Diasporës së Qeverisë së Kosovës, “Ti je pjesë e Atdheut”, qëllimi i së cilës është krijimi i lehtësirave për bashkëatdhetarët. Vala ka rezervuar 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të kenë vlefshmëri edhe një vit, kur i njëjti qytetar me të njëjtin numër rikthehet në Kosovë.

Qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, tani e tutje, nuk do t’iu duhet t’i hedhin në shportë numrat e telefonit, SIM Kartelat, për mungesë afati vlefshmërie, pasi operatori publik Vala, do t’ia mundësojë atyre që të përdorin të njëjtët numra edhe kur të rikthehen në Kosovë pas një viti. Rritja e afatit të vlefshmërisë të SIM Kartelave për bashkëatdhetarët, është vetëm një prej përfitimeve që Vala këtë vit parasheh të ofrojë për këtë kategori, pasi vendosi t’i bashkohet së bashku me Postën e Kosovës, fushatës së Ministrisë së Diasporës me moton “Ti je pjesë e Atdheut”.

 Vala do të ofrojë 50 mijë numra falas për bashkëatdhetarët, numra të cilët do të përmbajnë 500 megabajt internet të shpejtë 3G e 4G, 30 minuta në rrjetin Vala dhe në numrat fiks dhe 100 SMS. Pakoja quhet Diaspora.

Të gjitha këto përfitime për bashkëatdhetarët u bën realitet përmes një Marrëveshje Mirëkuptimi të nënshkruar mes Ministrisë së Diasporës, Vala-s dhe Postës së Kosovës.

“Vala dhe Posta e Kosovës do të vënë në dispozicion të mërgimtarëve gjithë rrjetin e objekteve të tyre, ku mërgimtarët do të mund të gjejnë formularët për regjistrim. Bashkë me formualarët, do të shpërndahen edhe SIM-kartela falas, ndërsa PTK do të kontribuojë edhe në fushatën `Ti je pjesë e atdheut‘, për informimin e mërgimtarëve për regjistrimin e tyre“, tha ministri i Diasporës, Valon Murati. 

Drejtori Manaxhues i PTK-së, Agron Mustafa, pasi potencoi se kompania që ai drejton ka vënë në dispozicion 50 mijë numra për bashkëatdhetarët, sqaroi se këta numra do të jenë të veçantë në krahasim me të tjerët.

 “Problemi i secilit bashkëatdhetar për vite të tëra ka qenë fakti se i është dashur të ndërrojnë numrin sa herë kanë ardhur në Kosovë. Kjo për shkak se numrat apo SIM-kartelat kanë një afat të kufizuar vlefshmërie dhe deaktivizohen nëse nuk rimbushen. Kartelat që do të dhurojmë dhe që parashihet të jenë vetëm për bashkëatdhetarët do të kenë afat vlefshmërie 1 vit, që do të thotë se numri i njëjtë i telefonit mund të përdoret edhe vitin tjetër”, deklaroi Drejtori Menaxhues, Agron Mustafa.

 Ndërsa Shefqet Avdija, zv.kryeshef i Postës së Kosovës tha se bashkëatdhetarët do të kenë në dispozicion tërë infrastrukturën e nevojshme dhe shërbime të tjera, që do t’ua lehtësojnë bashkëtdhetarëve qëndrimin në Kosovë. Operatori publik Vala pritet të ofrojë produkte të tjera për bashkëatdhetarët gjatë këtij sezoni veror. / RTKLive

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE