Finacial Times: Kriza greke me efekte edhe në Shqipëri

Finacial Times: Kriza greke me efekte edhe në Shqipëri

Rënia e remitancave dhe rritja e nivelit të papunësisë në vend do të jenë dy nga problemet që do të ketë Shqipëria si rezultat i krizës greke sipas Financial Times.

Gjatë viteve të krizës në Greqi remitencat janë pothuajse përgjysmuar, ndërkohë që numri i emigrantëve të fundit të kthyer në Shqipëri në tre vitet e fundit ka shkuar në 180 mijë. Kthimi i emigrantëve shqiptarë nga Greqia, për shkak të krizës që po kalon vendi, mund të ndalojë remitencat për familjet shqiptare. Për shkak të krizës që po kalon Greqia, remitencat janë pothuajse përgjysmuar duke rënë nga 952 milionë euro në vitin 2007 në 544 milionë euro vitin e kaluar, sipas Financial Times.
Por edhe pse remitencat kanë rënë, ato përbëjnë 5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Një tjetër problem që ngre Financial Times është se kthimi i mijëra emigrantëve shqiptarë nga Greqia, do të rrisë nivelin e papunësisë në vendin tonë, duke shatuar edhe probleme me shërbimet sociale.
Por, Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, sqaron se nuk ka vend për panik, pasi po i jepet prioritet punësimit të kësaj kategorie.
Vetëm në tre vitet e fundit, nga Greqia janë rikthyer 180 mijë emigrantë shqiptarë. Sipas të përditshmes britanike, rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë nga kriza greke nuk është ai i sistemit bankar, por kthimi i emigrantëve, rritja e nivelit të papunësisë dhe rënia e remitencave. Por si një gjë pozitive nga ajo që po kalon Greqia, duket se do të jetë qetësimi i marrëdhënieve mes të dy vendeve. 

Ndryshimet në TVSH do të sjellin efekte negative

Reformat fiskale, të cilat pritet të miratohen së shpejti nga Kuvendi i Kosovës, sipas disa analizave të bëra për përfaqësues të organizatave që merren me çështje ekonomike, nuk do të kenë efekte pozitive për qytetarin e Kosovës dhe bizneset.

Një efekt pozitiv nga këto reforma ekonomike pritet të ketë në buxhetin e shtetit të Kosovës.

Në një analize të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuar, “Efektet Ekonomike dhe Buxhetore të Reformave Fiskale 2015″, thuhet se ndryshimet që do t’i pësojë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar pritet të sjellë rritje të çmimeve në shportën e konsumatorit.

Hulumtuesi i kësaj analize nga Instituti GAP, Berat Thaçi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se të gjitha këto reforma fiskale po bëhen për të rritur të hyrat në nivel vendi, duke dëmtuar kështu qytetarët.

“Kur jemi te këto ndryshime fiskale, ndryshimet më të mëdha do të ndodhin te TVSH-ja. Vlen të përmendet se për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë TVSH-ja do të përshkallëzohet dhe çka do të ndodhë, për shumicën e produkteve TVSH-ja do të ngrihet nga 16 në 18 për qind. Këtu kemi parë se kjo rritje do të sjellë ngritje të kostos së jetës së qytetarit dhe çmimet në përgjithësi do të rriten për 1 për qind”, thotë Thaçi.

Në këtë analizë të Institutit GAP, theksohet se e buka, si produkt që përbën rreth 2.75 për qind të shportës së konsumatorit, pritet të lirohet për 2 cent, disa produkte do të lirohen deri në 17 cent, ndërsa energjia do të lirohet për 0.5 cent kilovat orë.

Por, në anën tjetër, thuhet në këtë analizë, mishi si produkt i rëndësishëm ushqimor pritet të shtrenjtohet në mesatare për 9 cent për kg.

Produktet tjera ushqimore, të cilat priten të shtrenjtohen janë patatet, domatet, fasulet, kafja, çaji dhe sheqeri.

Derisa, derivatet e naftës, të cilat përbëjnë rreth 3 për qind të shportës së konsumatorit (madje më shumë se buka) do të rriten për rreth 2 cent litri.

Berat Thaçi, hulumtues i lartë në Institutin GAP, thotë se është shumë i vogël numri i produkteve që do të lirohen, ndërkohë që është i madh numri i produkteve që do të shtrenjtohen.

Për këtë ai thotë se kanë kërkuar ndryshim të këtij ligji.

“Ndryshim tjetër që kemi kërkuar nga ky ligj është që tatimi i ulur në produktet 8 për qind, të ulet në 5 për qind dhe të zgjerohet lista e produkteve që përfitojnë nga reduktimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar”, sqaron Thaçi.

Qeveria e Kosovës ka dërguar në Kuvend një ligj, i cili parasheh reforma fiskale, në veçanti reforma në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ky ligj është thënë se do të hyjë në fuqi në korrik të këtij viti, por që ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se këto reforma fiskale do të ndihmojnë qytetarët dhe bizneseve, në përgjithësi, do t’ua lehtësojnë zhvillimin.

Për reformat fiskale, të cilat pritet të ndryshojnë me miratimin e ligjit kanë dhënë vërejtje edhe përfaqësues të investitorëve evropianë.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë edhe drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian, Shpend Balija, kishte theksuar se një rritje e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar prej 16 për qind në 18 për qind dhe një zbritje e TVSH-së për disa produkte bazë në 8 për qind, nuk krijon kushte të favorshme për bizneset.

“Politikat fiskale duhet të jenë stimuluese në kuptimin që ta nxisin prodhimin, ta nxisin zhvillimin e këtyre kompanive dhe ato pastaj do të paguajnë tatim në të ardhurat e tyre, por mos t’i tatojmë fillimisht, kur ato kanë kosto të mëdha të investimit”, shton ai.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime.  / RTKLive

Haradinaj: T’i japim shpirt e vlerë Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, tha se qëllimi i partisë që drejton është që “ta bëjë Kosovën”, t’i japë asaj “shpirt dhe vlerë”.

“Të punojmë me shpirt detyrat që marrim. Nëse sot pas këtij Kuvendi vendosim që do të punojmë me shpirt me vlerat tona morale, atëherë nuk ka dilemë që Kosovës, ekonomisë, sistemit politik do t’i japim vlerë”, tha Haradinaj.

Ai thirri anëtarësinë partiake që të punojë “me shpirt për një shtet ligjor të së drejtës”.

“Ju bëj thirrje të punojmë me shpirt në ekonomi, për vende pune”, tha Haradinaj.

AAK sot në Prishtinë është duke zhvilluar punimet e Kuvendi VII Zgjedhor, ndërsa kandidat të vetëm për kryetar partie ka liderin e deritashëm Ramush Haradinaj. / RTKLive.com

Ekzekutivi dhe legjislativi i kthehen Speciales

Të ndodhur përballë presionit ndërkombëtar, ekzekutivi dhe legjislativi i vendit pritet t’i kthehen sërish përpjekjeve për themelimin e Gjykatës Speciale.

Të premten e kaluar, Kuvendi dështoi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate. Por analistët politikë rekomandojnë që mos të përsëritet e njëjta që ndodhi në atë seancë, ngase sipas tyre, kjo Kosovës do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare.

Themelimi i Gjykatës Speciale është detyra më e madhe me të cilën është ballafaquar Qeveria e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve, themelimi i kësaj gjykate mbetet kushti kryesor për vazhdimin e raporteve të mira të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se nëse nuk kalohet ky test, do të ketë pasoja shumë të mëdha për të ardhmen ndërkombëtare të Kosovës. Ai thotë se nuk bën të përsëritet ajo që ndodhi në seancën e javës së kaluar.
“Ajo që ndodhi të premten ishte një neglizhencë e liderëve kosovarë dhe ishte një episod i pakëndshëm në raportet mes Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, gjë që nuk guxon të përsëritet në të ardhmen. Pra shteti i Kosovës nuk e ka luksin që ta përsërit atë gabim të së premtes, i cili do t’i kushtojë shumë në arenën ndërkombëtare”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.
Ndërsa analisti Imer Mushkolaj thotë se institucionet nuk kanë rrugëdalje tjetër dhe se duhet ta themelojnë Gjykatën Speciale, pasi që është obligim ndërkombëtar, të cilin madje edhe një pjesë e opozitës e ka përligjur kur ka votuar letërkëmbimin e presidentes Jahjaga me ish shefen e diplomacisë evropiane.
“Sa më herët që ne çlirohemi nga barra e së kaluarës aq më mirë për ne, për shkak se do të mund të shkojmë tutje dhe absolutisht për ne, sidomos në këtë kohë shumë të ndijshme, edhe për shkak të proceseve nëpër të cilat po kalon vendi, është e panevojshme që të bëhet kjo lojë politike ose partiake për interesat e kujtdoqoftë”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.
Mushkolaj thotë se Kosova ka humbur shumë gjatë viteve të pasluftës duke mos marrë iniciative për themelimin e një gjykate që do të merrej me krimet e luftës, ndërsa propozimin e opozitës pas dështimit të votimit në Kuvend, e quan të vonuar dhe qesharak.
“Propozimet shumë të vonshme të opozitës për mua janë qesharare, për faktin se edhe opozita priti se çfarë po ndodhë në Kuvend, në mënyrë që të dalë me propozime konkrete”, tha Mushkolaj.
Ndryshe, pas dështimit të ndryshimeve kushtetuese në seancën e javës së kaluar, është rritur presioni ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale. Me këtë presion është përballur kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës në Berlin ku u prit nga kancelarja gjermane Angela Merkel. E në të njëjtën kohë mesazhin amerikan për themelimin e kësaj gjykate, tek presidentja e Kosovës dhe institucionet tjera, e përcolli përfaqësuesi i Kongresit amerikan, Eliot Engel, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë. / RTKLive

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE