von Zemraadmin | Juni 21, 2015 | Kosova
Lëvizja “Vatra” kujton se refugjatët nga Kosova Lindore kanë mbetur të harruar tash e 16 vite.
Kjo lëvizje përmes një komunikate për media, kujton kohën kur 10 mijë banorët e kësaj ane u zhvendosën nga trojet e tyre në vitin 1999.
Vatra e quan këtë kohë si më të vështirën për këta banorë.
“Në qershor të vitit 1999 para 16 viteve, për banorët e Malësisë së Bujanocit, fshatrat kufitare të Komunës së Preshevës, të njohur si Malësia e Karadakut dhe ato të Komunës së Medvegjës do të kujtohet si një ditë e kobshme në gjithë historinë e asaj ane. Në këtë ditë, nga këto vendbanime, banorët shqiptarë u dëbuan, u zhvendosën dhe u shpërngulën duke i lënë trojet e tyre nga presionet, dhuna, ku kulmi i të zhvendosurve ishte pikërisht në fund të qershorit të 1999”, kujton Vatra.
Në komunikatën për media lëvizja “Vatra” thotë se për 15 ditë të qershorit të vitit 1999 u zhvendosën 10.783 banorë shqiptarë që u strehuan, apo u vendosën në Komunën e Gjilanit, kurse pjesa tjetër siq kujton Vatra, është vendosur në Prishtinë, Fushë Kosovë, Kamenicë etj.
Lëvizja “Vatra” kërkon nga faktori politik ndërkombëtar dhe ai vendor që të bëjnë ndonjë hap për kthimin e banorëve të dëbuar në shtëpitë e tyre.
“Ne kërkojmë që të investohet vetëm 10% e mjeteve sa investohen për kthimin e serbëve në Kosovë, e ne do të ishim të lumtur dhe të kënaqur. Dihet botërisht se qeveria e Serbisë investon mbi 200 milion euro në vit për kishën e serbëve në Kosovë, po sikur të mos mjaftonte kjo edhe qeveria e Kosovës e faktori ndërkombëtar ndajnë miliona për këtë gjë”, thuhet në komunikatën e lëvizjes “Vatra”.
Për kthimin e shqiptarëve në Kosovën Lindore gjer tani, Vatra thotë se nuk u investua as edhe një qindarkë nga askush dhe nuk u morë askush me këtë popullatë. Sipas tyre me këta refugjatë madje nuk u morë as Republika e Kosovës, e as nuk i njohu statusin e refugjatit kësaj popullate.
“Shpresojmë që me kohë faktori ndërkombëtar dhe ai shqiptar në përgjithësi të kuptoj se Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë pjesë të Kosovës dhe ata banorë të dëbuar duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. / RTKLive.com
von Zemraadmin | Juni 21, 2015 | Shqiperia
Pranë kutisë së votimeve është parë sot edhe presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani. Përveç se ka vënë votën, ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje.
Kjo ditë për presidentin Nishani përkon me 25 vjetorin e rënies së komunizmit, ndaj dhe sipas tij kjo ditë është historike.
“Procesi duhet të jetë i lirë dhe i ndershëm”, tha Nishani.
Por, theksoi se institucioni që udhëheq ai ka informacione për abuzime me procesin zgjedhorë por, tha se do pres fjalën e institucioneve ligjore. / RTKLive
von Zemraadmin | Juni 21, 2015 | Kosova
Arrestimi i liderit të AAK-së në Slloveni, në Prishtinë ishte manifestuar me protesta të formave të ndryshme.
Përveç protestës para ambasadës sllovene në Kosovë, dhe thirrjeve publike nga zyrtarë të AAK-së për bojkot produkteve të kësaj ish republike jugosllave, një grup tifozësh nga Prishtina, sulmuan me mjete piroteknike një dyqan të operatorit të telefonisë mobile Ipko dhe një filial të bankës NLB.
Fjalorin e tij të ashpër dhe kërcënues, Haradinaj nuk e ndryshoi as pas lirimit dhe kthimit të tij në Kosovë. Sulmuesit e këtyre dy bizneseve sllovene në kryeqytetin kosovar u përshëndetën nga kreu i AAK-së.
I pyetur nga gazetari i televizionit Klan Kosova për këtë sulm, Haradinaj tha se i përshëndet shumë Plisat, transmeton lajmi.net.
Fjalori i ashpër i Haradinajt, shkoi edhe më larg se sa kaq. Ai vetëm sa nuk e përmendi fjalën luftë, kur u pyet se çfarëdo të ndodhte nëse Sllovenia do të vendoste që ta ekstradojë atë në Serbi.
Haradinaj tha se në këtë rast do të ndryshonte gjeostrategjia e Ballkanit, duke përmendur edhe gatishmërinë e 7 milionë shqiptarëve për t’u mobilizuar për këtë. (lajmi.net)
{youtube}Vms8xR9lbLs{/youtube}
von Zemraadmin | Juni 20, 2015 | Kosova
Merita Rexhaj, motra e Arbën Rexhaj, të vrarë gjatë luftimeve në Kumanovë, u ka shkruar letër publike drejtuesve të shtetit të Kosovës.
Letrën ajo ia ka drejtuar presidentes Atifete Jajaga, kryeministrit Isa Mustafa e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi. Ajo është e revoltuar me mos reagimin dhe heshtjen e tyre deri në bashkëfajësi me autoritetet maqedonase.
Letrën e saj mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“LETËR PUBLIKE
Presidentes së Republikës së Kosovës, z. Atifete Jahjaga
Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa
Zevendëskryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi
E revoltuar nga mosreagimi dhe heshtja deri në bashkëfajësi me autoritetet maqedonase, unë, Merita Rexhaj, motra e Dëshmorit Arbën Rexhaj, po ju drejtohem juve në lidhje me fatin e të luftëtarëve të burgosur, të arrestuar në IRJM pas Betejes së Kumanovës!
Ju prej fillimit nuk ishin zot të menaxhoni rastin. Nuk dhatë asgjë zyrtarë në lidhje me listën e të vrarëve dhe të arrestuarve. Në vend të kësaj, keni urdhëruar bastisje në shtëpitë e dëshmorëve të vrarë!
Ju nuk keni kërkuar as më të voglin hetim në rastin e Kumanovës. Nuk keni pyetur veten, pse Ministria e Puneve të Brendshme maqedonase ka dorëzuar Ambasadës së Kosovës në Shkup një letër ku figuronte emrin e Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, ndërsa më pas ata u kthyen në Kosovë në arkivola?!
Apo jeni edhe ju bashkëfajëtor në këto krime?!
A nuk ju vret ndërgjegja?!
Ju keni dyfishu dhimbjen tone..!
Trimat që ranë dëshmorë na kanë shkuar në botën e përtejme. Po ku jeni tash për të burgosurit?!
Ata janë torturuar mizorisht që nga dita e parë të tmerrit të arrestimit të tyre. Disa prej tyre raportohet se janë transferuar në burgjet e Prelepit dhe Manastirit, ku kanë filluar sërish torturat shtazarake ndaj tyre. Çdo orë u hynë në qeli persona të maskuar, që i kërcënojnë se do t’i vrasin. Po maqedonët shtaza presin që ata mos do vdesin vet prej torturave…
Pse deri më tani nuk keni provuar të kërkoni ekstradimin e tyre në Kosovë?
Apo vet jeni në marrëveshje me ta e mos keni gjisht edhe ju në planin e likuidimit të të gjithë të burgosurve?!
Dhe do të pyesja edhe z. Thaçin që luftëtarët trima të Betejes së Kumanovës i quajti “terrorista”:
A nuk janë këta të njëjtat djem të UÇK-së që ishin ushtarë të devotshëm të atdheut, kur ti ishe komandant i tyre në luftën e Kosovës? Nëse këta janë terrorista, kush je ti z. Thaçi?!
Apo kolltuku të ka bërë me amnezi dhe tashmë je në të njëjtën linje të veprimeve antishqiptare së bashku me Gruevski-Ali Ahmeti?!
Nëse djemtë e Kumanovës skanë përfaqësues shtetin, e kanë popullin!! Dhe prej këtij momenti, duhet të luteni të mos u ndodh diçka dhe të ndërmerrni hapat zyrtare në mbrojtjen e tyre, sepse po u ndodh diçka, do të hakmerremi në ju!
Ju do të përgigjeni!
Maqedonët u munduan të mbulojnë krimet dhe rrënat e tyre me rrëna të tjera, por edhe ju si përfaqësues të Kosovës jeni munduar të mbuloni krimet e maqedonasve.
Prej sllavo-maqedonasve e kemi pritur, por për juve jo, se jeni shqiptarë e përfaqësoni (lexo: teorikisht) popullin e Kosovës!
Prandaj, populli të mos i harrojë heronjtë e Kumanovës, dhe nëse këta qeveritarë nuk ushtrojnë detyrat e veta, duhet të dalin në protesta masovike deri në rrëzimin e qeveritarëve të korruptuar dhe të zhytur në krim dhe kolaboracionizëm!
Merita Rexhaj, 20.06.2015/Kosovapress/
von Zemraadmin | Juni 20, 2015 | Kosova
Tashmë është qetësuar situata mes protestuesve dhe policisë.Policia ka larguar protestuesit nga rruga, por ata vazhdojnë të qëndrojnë të ulur shumë afër rrugës, duke vazhduar protestën.
Keshtu shkruan gazeta Blic.
Organizatori i Protestës, Jeton Kuçi po kërkon nga protestuesit që të ulën në rrugë dhe të protestojnë të qetë. Polica ka kërkuar ta dërgojë në spital Xhevdet Qeriqin, por ky i fundit ka refuzuar.Skadon ultimatumi i policisë drejtuar protestuesve.

Kordone policore ka në fillim dhe në fund të protestës.
12:16
Policia u jep ultimatum që veteranët të shpërndahen për pesë minuta, ose në të kundërtën policia do të intervenojë.

12:13
Veteranët që janë grumbulluar për të bllokuar magjistralen Prishtinë-Hani i Elezit kanë thyer kordonin e policisë.
Drejtuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së po u bën thirrje për qetësi këtyre veteranëve.
Policia po paralajmëron veteranët ta lirojnë rrugën.

11:49
Kanë filluar të mblidhen forca të mëdha policore në Kacanik ku Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së ka paralajmëruar për sot në ora 12:00 protestë me bllokim maunash.
Përfaqësues të këtij këshilli do të vendosen mes Hanit të Elezit dhe Kaçanikut, ndërsa pritet të bllokojnë maunat që qarkullojnë në pikën kufitare me Maqedoninë.
Jeton Kuçi, përfaqësues i këtij këshilli në Kaçanik, tha për KALLXO.com se protestuesit janë të vendosur ta bllokojnë rrugën, edhe përkundër pranisë së madhe të policisë.
Ai paralajmëroi protesta tjera edhe në rrugët që lidhin pikëkalimet tjera kufitare të Kosovës.
Daljen në rrugë pjesëtarët e këtij këshilli e kanë arsyetuar me vonesën e publikimit të listave përfundimtare të veteranëve dhe kategorive tjera të dala nga lufta e UÇK-së.
“Nëse nuk marrim një përgjigje prej komisionit, pikërisht prej Agim Çekut, na kemi me u munduar me blloku totalisht, pavarësisht pasojave që kemi me i bartë”, kishte thënë para pesë ditësh Jeton Kuçi.
Protesta e sotme është thënë se do të zgjasë 24 orë.



/ Kallxo.com / RTKLive.com
von Zemraadmin | Juni 20, 2015 | Kosova
DASh në raportin vjetor mbi sulmet terroriste tregon një rritje si për numrin e sulmeve në mbarë botën ashtu dhe efektivitetin e grupeve terroriste që shkaktojnë viktima në masë
Në raport të cilin sot e prezantoi Ambasadorja Tina Kaidanow koordinatore për antiterrorizmin në Departmentin e Shtetit, numri i sulmeve terroriste në 2014 u rritë për 35 për qind, ndërsa numri i përgjithshëm i viktimave për 81 përqind.
Prej 13.463 sulmeve që janë cilësuar si terroriste më shumë se 32.700 njerëz janë vrarë në mbarë botën.
Në raportet për vendet veç e veç, për Kosovën thuhet se ka pasur një rritje ‘të ekstremizmit të dhunshëm islamik që ka ardhur duke u shtuar gradualisht,’ ekstremizëm ky që thuhet se është ‘i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja, që predikojnë ideologji ekstreme,’ edhe në Kosovë. Raporti jepë numrin prej 150 deri në 200 të të shkuarve në Siri dhe Irak si luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, të cilët ishin rreshtuar përkrah radhëve të Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusrah, 20 prej të cilëve deri tash janë vrarë.
Raporti më tej bënë fjalë për miratimin e ligjeve përkatëse në Kosovë që e cilësojnë si krim pjesëmarrjen ose mbështetjen e grupeve ushtarake që veprojnë jashtë Kosovës si dhe jepen të dhëna edhe për masat dhe arrestimet që kanë kryer autoritetet ligjore rreth luftës kundër këtij ekstremizmi si dhe për ndihmën që u kanë dhënë SHBA për disa raste.
Ndonëse raporti thekson se në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste, më tej thuhet se grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. / RTKLive.com