von Zemraadmin | Juni 15, 2015 | Kosova
aAAK, ka mbështetur qumështarët në kërkesat e drejta dhe kundërshton padrejtësitë që po u bëhen këtyre prodhuesve, në monopolet importuese me qumësht, nga kompanitë e caktuara.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konsideron se kërkesat e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit dhe produkteve të tij, në protestën e sotme të fermerëve vendorë, janë të drejta dhe plotësisht të arsyeshme.
Grupi Parlamentar dhe Departamenti për Bujqësi i AAK-së, kanë konstatuar se në vitet e fundit janë grumbulluar me dhjetëra probleme në këtë sektor, të cilat Qeveria e Kosovës i ka injoruar dhe vazhdon t’i injorojë.
“Qeveria e Kosovës me politikat e veta po rrezikon falimentimin e kësaj industrie dhe mbylljen e 50 mijë vendeve të punës. Aleanca kërkon nga Qeveria e Kosovës, që prodhimin vendor dhe importin e qumështit, ta mbështesë me politika të drejta bujqësore, si në vendet e rajonit, ta monitorojë atë me saktësi dhe konform standardeve të industrisë ushqimore“, thuhet në një komunikatë të AAK-së.
Po ashtu, AAK kërkon që të gjitha kontigjentet e qumështit që importohen, të kontrollohen në plotni me aktet normative që parasheh HASAP-i.
Ndërsa, nga qeveria dhe institucionet tjera të vendit, Aleanca kërkon ndërmarrjen urgjente të këtyre hapave: aplikimin e Tarifës së Integruar të Kosovës (TARIK), sikur se në vendet e BE-së dhe në vendet e rajonit, me qëllim mbrojtjen e produkteve vendore; zbatimin, pa asnjë hezitim,të ligjit anti-damping; kuotizimin e importeve të qumështit dhe të produkteve të tij; rregullimin ligjor të importit të produkteve me prejardhje bimore; marrjen e masave balancuese ndaj produkteve të subvencionuara dhe lirimin nga taksat e importit për materialin e domosdoshëm dhe për lëndën djegëse për prodhim.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbështetë fuqishëm protestuesit në kërkesat e drejta dhe kundërshton padrejtësitë që po u bëhen këtyre prodhuesve, në monopolet importuese me qumësht, nga kompanitë e caktuara.
Aleanca është deri në fun d në anën e prodhuesve vendorë të Kosovës, si një prej shtyllave kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit.
von Zemraadmin | Juni 15, 2015 | Kosova
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell.
Me të ai ka biseduar për reformat që janë duke u bërë në të gjitha nivelet e arsimit, por edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Ministri Bajrami e ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e madhe që ka dhënë vendi i tij për Kosovën, sidomos në fushën e arsimit. Ai ka theksuar se edhe më tutje vendi ynë ka nevojë për ndihmën e Britanisë, sidomos tani kur kanë filluar reforma në arsimin parauniversitar dhe në arsimin e lartë.
Duke folur për arsimin parauniversitar, ministri Bajrami theksoi se mbetet prioritet orientimi i të rinjve kah arsimi profesional, ndërsa theksoi se në arsimin e lartë është në debat publik Ligji i ri, i cili i jep autonomi të plotë universiteteve publike, ndërsa rregullon edhe sektorin privat të arsimit të lartë.
Ministri Bajrami falënderoi Britaninë e Madhe, respektivisht Këshillin Britanik, i cili ka ndihmuar Kosovën me përgatitjen e kuadrove përmes bursave për shkollim në universitetet britanike. Ai theksoi nevojën e përkrahjes edhe më tutje në këtë drejtim, sidomos në përgatitjen e kuadrove për shkencat ekzakte dhe teknologjike.
Ambasadori O’Connell konfirmoi mbështetjen që do ta ketë edhe më tutje arsimi kosovar nga Britania e Madhe dhe kjo mbështetje do të jetë e orientuar në arsimin e lartë, por edhe në atë parauniversitar, me theks të veçantë, arsimin profesional.
von Zemraadmin | Juni 13, 2015 | Kosova
Shteti nëpërmjet mekanizmave të tij ligjorë, ka sekuestruar pasuri në vlerë prej 31 milion eurosh, që dyshohet se është krijuar në mënyrë të paligjshme nga individë të ndryshëm.
Por paradoksi në raste të tilla është se sekuestrimi i pronave të paluajtshme ekziston vetëm në letër, pasi në praktikë ato vazhdojnë të shiten e madje edhe të stërshiten. Një prej shumë rasteve është edhe ndërtesa dhe prona e ish-Klinikës ‚Medicus‘. Ajo në letra figuron e sekuestruar për shkak të dyshimeve që ndërlidheshin me transplant ilegal veshkash. Por kësaj prone deri më tash i janë ndërruar disa pronarë dhe aty aktualisht vepron një klinikë me emër dhe pronar tjetër. Gazetarja Ardita Sylejmani ka hulumtuar për disa javë këtë çështje dhe në vazhdim sjell më shumë detaje.
Pasuritë që dyshohet se janë fituar nga krimi dhe të sekuestruara nga organet e drejtësisë, shteti nuk po arrin t’i menaxhojë. Reklamimi për sekuestrimin e këtyre pasurive rezulton të jetë i paefektshëm në praktikë. Fakt është se pronat e sekuestruara, nuk kanë kurrfarë ndalese dhe të njëjtat blihen e shiten pa asnjë problem edhe pse kjo është e kundërligjshme.
Fakti se për këtë pronë pra ‚Medicus‘, është lejuar shitblerja, e pranon edhe koordinatori kombëtar për luftimin e krimit ekonomik Shqipdon Fazliu. Moszbatimin e ligjit në këtë pikë, ai e arsyeton se një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kanë qenë të njoftuar se ekziston agjencia për konfiskim të pasurisë. Sipas tij, kjo ka ndikuar që shumë objekte të mos regjistrohen.
Shqipdon Fazliu vox:
“kjo është një qështje shumë e vërtetë ,ne kemi kërkuar nga prokurori i rastit të inicohen hetimet për personat që kanë lejuar shitblejrjen e atij objekti …”
Pavarësisht raporteve statistikore të sekuestrimit të pasurive që kapin shifrat milionëshe, nga hulumtimi i RTK-së, del se shumë prej tyre në realitet nuk e kanë statusin e pasurive të sekuestruara, pasi me to janë bërë shumë shitblerje dhe janë ndërruar pronarët. Krejt kjo ka ndodhur derisa shteti nuk ka arritur ta menaxhojë pronën e sekuestruar.
Objekti i ish-Klinikës ‚Medicus‘, është një prej tyre. Ne vitin 2014, kjo ndërtesë dhe pronë figuron në listën e aseteve të sekuestruara që burojnë nga krimi i organizuar. Por asnjëherë kjo pronë nuk është administruar nga Agjencia për Konfiskim të Pasurisë. Këtë e pohon edhe drejtori i kësaj agjencie, Rrahim Rama.
“Eulexi nuk e ka sjellë, ne kemi bashkëpunimme ta po këtë objekt asnjëherë se kanë regjistruar te ne …”, thotë Rama.
RTK ka provuar të kontaktojë me pronarin e fundit të objektit nga katër sa janë ndërruar që nga koha e sekuestrimit të patundshmërisë, ku ishte ish-klinika ‚Mediucus‘, ku ushtron veprimtarinë Fidaim Ymeri, por ai nuk ka pranuar të flasë para kamerave. Ndërkohë, përmes telefonit Ymeri tha se këtë objekt e ka blerë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në rastin Medicus, që i bie në vitin 2013. Por RTK merr vesh që licenca për këtë objekt është marrë në muajin mars të vitit 2013, ndërkohë që sekuestrimi i këtij objekti rezulton të jetë bërë shumë më herët.
Lidhur me këtë RTK ka pyetur edhe zyrtarët e EULEX-it, por këta të fundit kanë preferuar të mos flasin për këtë çështje duke thënë se presin aktgjykimin përfundimtar për të parë hapat e mëtutjeshëm.
Aktivitetet dhe lufta kundër pasurive të paligjshme shihet me skepticizëm nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët e mbikëqyrin punën e sistemit të drejtësisë. Genc Nimoni nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se institucionet e drejtësisë deri në vitin 2014 kanë dështuar pothuajse në tërësi në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme.
Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar i shpallur si prioritet i të gjitha institucioneve të drejtësisë, sipas Raportit të Progresit për Kosovën në vitin 2014, gjithsesi duhet të përcillet me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme, fushë kjo në të cilën sipas BE-së, Kosova ka ngecur vazhdimisht.
von Zemraadmin | Juni 13, 2015 | Kosova
Mbi 5 mijë fustane janë dhuruar nga gra dhe burra nga mbarë Kosovë për të krijuar instalacionin artistik “Mendoj për ty”, në shenjë solidarizimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Instalacioni është realizuar në fushën e stadiumit të Prishtinës, ku janë varur mijëra fustane dhe funde të grave.
Në mesin e tyre ishin edhe dy funde të varura ku kishin dy mbishkrime personale.
“E kam një përjetim të hidhur,” ishte shkruar në njërin, dhe në tjetrin shkruante “Ky fund ka një histori të mbyllur nga pranvera e vitit 1998″.
Instalacioni është realizuar nga artistja Alketa Xhafa – Mripa, dhe është mbështetur edhe nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kryeson Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte në hapje të instalacionit “Mendoj për Ty” ka theksuar se bërja e kësaj vepre artistike dha shumë për të menduar dhe preku zemrat e shumta.
“Përjetuam shumë emocione. Dëshmuam se Kosova nuk ka qytetarë për të humbur. Se ne nuk i lëmë ata pas. Dhe që në përvjetorin e çlirimit të vendit tonë, në këtë ditë të veçantë, me të mbijetuarit e kësaj torture, që jetojnë ende me këtë luftë brenda vetes, do të jemi bashkë. Sepse, sot, derisa e festojmë lirinë, e përkujtojmë edhe vuajtjen e thellë të shkaktuar nga lufta. Sepse paqja jonë kurrë nuk do të jetë e plotë pa paqen e tyre”, ka theksuar presidentja Jahjaga.
Artistja Alketa Xhafa – Mripa, ka treguar se ideja për instalacionin i kishte ardhur para tre vjetësh kur kishte dëgjuar intervistat e dhëna nga të mbijetuarit e dhunës seksuale se nuk ishin të përkrahur nga shoqëria.
Realizimi i kësaj vepre artiske në fushën e futbollit, sipas Alketës, ka një domethënie.
“Fusha e futbollit njihet si bota e mashkullit, është aty ku adrenalina, fishkëllimat ndodhin, e tëmbijetuarave iu është dashur një përkrahje e shoqërisë, e burrave në familje dhe institucioneve dhe unë me këtë kam dashur që ato të kenë një vend të veçantë në atë botë. Po ashtu, në të njëjtën kohë, e ka edhe anën tjetër, kur ka ndodhur kjo para 16 vjetësh, ato kanë qenë të kufizuara ashtu siç është fusha e futbollit”, ka sqaruar ajo.
Fustanet e tyre për këtë instalacion artistik kanë dhuruar edhe Cherie Blair, gruaja e ish-kryeministrit Tony Blair, si dhe Baronesha Anelay.
Fustanet, që janë të vendosur në stadiumin e Prishtinës, do të qëndrojnë aty gjatë tërë ditës së premte , pastaj me to do të bëhet një skulpturë që do të jetë e përhershme në sheshin e Prishtinës.
Në Prishtinë, të premten, gjithashtu është bërë edhe inaugurimi i memorialit „Heroinat“, i cili nderon sakrificën dhe kontributin e gruas gjatë luftës së vitit 1998-1999.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili ka qenë i pranishëm në inaugurimin e këtij memoriali, ka theksuar se ky memorial nderon në mënyrë simbolike kontributin e gjithanshëm të gruas në Kosovë, që ka dhënë gjatë luftës.
“Kjo vepër e realizuar artistike është një nderim për sakrificën e vajzave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, por edhe për sakrificat e grave të dhunuara”, ka theksuar Mustafa.
Edhe pas 16 vjetësh të përfundimit të luftës, ende nuk ka një numër të saktë të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, por mendohet që numri i tyre të jetë rreth 20 mijë.
von Zemraadmin | Juni 13, 2015 | Kosova
Kosova sërish ka shkruar historinë – kësaj radhe vendi jonë për herë të parë në historinë e vet ka parakaluar në Lojërat Olimpike Evropiane me flamur e simbole shtetërore.
Të prirë nga Majlinda Kelmendi, sportistët nga Kosova që do të përfaqësojnë vendin tonë në këto Lojëra Olimpike Evropiane, parakaluan në stadiumin impozant në Baku.
Ditë më parë flamuri shtetëror i Republikës së Kosvoës i është dorëzuar Majlinda Kelmendit dhe ekipit olimpik të Kosovës.
Ky është absolutisht momenti më i madh për sportin e Kosovës, pasi që tash barrierat për pjesëmarrje me simbolet tona në të gjitha sportet olimpike definitivisht janë të thyera. /Telegrafi/
von Zemraadmin | Juni 13, 2015 | Kosova
Seanca festive e Kuvendit të Kosovës për Ditën e Çlirimit u bojkotua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të partive tjera opozitare me preteksin se “populli s’ka bukë për të ngrënë“ dhe nuk ka arsye për festë.
“Kohëve të fundit seancat e tilla janë shpeshtuar me iniciativë të kryetarit Veseli, për të dhënë përshtypjen se në Kosovë po lulëzon gjithçka. Kjo është arsyeja pse ne nuk po marrim pjesë në këtë seancë”, tha Glauk Konjufca, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së.
Por, ende pa i ardhur vakti tjetër popullit për të ngrënë bukë, pa kaluar as 8 orë nga këto deklarata, lulëzoi gjithçka për Vetëvendosjen dhe deputetët e saj që refuzuan ta festojnë përvjetorin e çlirimit, filluan festën e tyre për një përvjetor tjetër, atë të themelimit të Lëvizjes Vetëvendosjes, për të cilin mbajtën edhe një koncert festiv në sheshin “Zahir Pajaziti”, sepse përvjetori i tyre ishte më i rëndësishëm se përvjetori i çlirimit të popullit nga regjimi serb.
Megjithatë, kjo nuk ishte hera e parë që lidershipi i Vetëvendosjes vepron me standarde të dyfishta politike, me synim manipulimin e opinionit. (lajmi.net)