von Zemraadmin | Juni 12, 2015 | Kosova
Për dallim nga Sami Lushtaku, Sylejman Selimi, Jahir e Zeqir Demaku e Isni Thaçi që u dërguan në burgun e Dubravës, Nexhat e Fadil Demaku dhe katër të tjerëve nuk u është marrë pasaporta dhe kanë të drejtë të udhëtojnë jashtë shtetit.
Lëvizjet brenda dhe jashtë Kosovës, ushtrimi i funksioneve publike, por edhe komunikimi me media nuk janë të kufizuara për gjashtë nga njëmbëdhjetë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që njihen si “Grupi i Drenicës”, të cilëve ditë më parë Gjykata Themelore në Mitrovicë ua shqiptoi dënimin me mbi gjysmë shekulli burg.
Menjëherë sapo gjyqtari ka marrë vendim për dënimin me 65 vjet burg për 11 pjesëtarët e UÇK-së, nën masa të rrepta të sigurisë është bërë arrestimi i tyre, të cilët aktualisht bartin pozita të larta në vend, duke i dërguar për vuajtjen e dënimit në Burgun e Dubravës.
Por, nga masa e arrestit kanë shpëtuar vetëm ata që janë dënuar nën 5 vjet, përshirë këtu: Nexhat Demakun, kryetar i Komunës së Drenasit i dënuar me 3 vjet burg, vëllai i tij që është deputet i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku po ashtu me 3 vjet, Bashkim, Selman, Driton e Agim Demaj me nga 3 vjet burgim.
Për dallim nga pesë të akuzuarit e tjerë të “Grupit të Drenicës”, Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skenderajt, Sylejman Selimi, ish-ambasador i Kosovës në Shqipëri, Jahir e Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi që janë dërguar në vuajtjen e dënimit ende pa e marrë aktvendimin në formë të shkruar, gjashtë të tjerëve nuk u është mohuar lëvizja e lirë. (Zëri)
von Zemraadmin | Juni 12, 2015 | Kosova
Portali i televizionit të njohur beogradas “B92” i ka dalë në mbrojtje publicistit Veton Surroi për fushatën e zhvilluar kundër tij në rrjetet sociale.
Sipas këtij portali, Veton Surroi, është duke u sulmuar në rrjetet sociale për shkak se në mediet e Serbisë kishte pohuar se “Grupi i Drenicës” ka bërë krime të luftës ndaj serbëve të Kosovës.
B92 raporton sesi në rrjetet sociale është hapur një faqe në të cilën njerëzit e kanë quajtur Surroin tradhtar dhe anti-kombëtar.
Publicisti Veton Surroi ditë më parë e kishte promovuar në Beograd librin e tij “Miliarderi”, derisa për shumicën e atyre që kanë shkruar në rrjete sociale, ishte e papranueshme sesi Surroi ka gjetur Beogradin dhe mediet serbe për të kritikuar lidershipin e Kosovës dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, duke u bërë në këtë mënyrë mbase edhe padashje pjesë e agjendës së Serbisë kundër Kosovës.
Në një intervistë për televizionin serb “B92”, gazetari dhe publicisti kosovar Veton Surroi kishte thënë se Kosova mbizotërohet nga një trekëndësh i banalitetit. Për emisionin
“Kaziprst”, ai kishte thënë se krijimi i Gjykatës Speciale përbën një proces tejet të ndërlikuar.
Në anën tjetër, sipas Surroit, është e qartë se brenda Kuvendit të Kosovës ekziston një pjesë e strukturave të cilat i druajnë Gjykatës Speciale.
“Këta janë njerëzit që janë pjesë e raportit të Dick Marty. Ky raport është baza e kësaj gjykate, si rezultat i hetimit trevjeçar të raportuesit special Clint Ëilliamsonit”, kishte deklaruar Surroi, duke shtuar se Dick Marty dhe Clint Ëilliamson, për këtë përgjegjës i bëjnë pjesëtarët e grupit të njohur si “Grupi i Drenicës”.
Publicisti Veton Surroi për mediet beogradase kishte folur edhe për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Prishtina dhe Beogradi do të duhej të vinin deri te një akt, i cili nuk do të nënkuptonte njohjen e Kosovës nga Serbia, por që do të nënkuptonte vendosjen e marrëdhënieve në një nivel dukshëm më të lartë, i cili do të bënte që komunikimi të mos përqendrohej në çështje të politikave ditore”, ishte shprehur Surroi. (lajmi.net)
von Zemraadmin | Juni 12, 2015 | Kosova
Partitë opozitare të Kosovës, Lëvzja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate e Kosovës, nuk do të marrin pjesë në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, të organizuar për nderë të çlirimit të vendit.
Njoftimi për bojkotin e kësaj seance është bërë nga zyra për informim e Vetëvendosjes, ku edhe kanë paralajmëruar një konferencë për media, ku do t’i bëjnë të ditura arsyet e bojkotit.
Konferenca do të mbahet në ora 10 :30 në objektet e Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe në kuadër të shënimit të Ditës së Paqes, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë festive më ç’rast Filarmonia e Kosovës do të ekzekutojë vepra muzikore të kompozitorëve të njohur kombëtarë dhe botërorë. (lajmi.net).
von Zemraadmin | Juni 12, 2015 | Kosova
Partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, nuk do të marrin pjesë sot në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, organizuar me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, dhe këtë thonë se po e bëjnë shkaku i asaj se vendi nuk i ka punët mirë dhe nuk ka vend për festë.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, përfaqësues të tri partive politike opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë bërë të ditura arsyet e mos pjesëmarrjes në këtë seancë.
Glauk Konjufca, shef i Grupit Parlamentar të VV-së, ka thënë se një ndër arsyet e mos pjesëmarrjes në këtë seancë, është e refuzimi i kërkesës që të gjitha grupet parlamentare të mbajnë fjalime, raporton lajmi.net.
“Sot është paraparë të mbahet një seancë solemne për çlirimin e Kosovës. Ne kemi kërkuar nga kryetari i Kuvendit që të gjitha grupet parlamentare të mbajnë fjalë rasti. Kjo nuk është pranuar. Është paraparë që vetëm kryetari Kadri Veselit ë mbajë fjalim, më shumë në cilësinë e nënkryetarit të PDK-së, sesa në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit. Kohëve të fundit seancat e tilla janë shpeshtuar me iniciativë të kryetarit Veseli, për të dhënë përshtypjen se në
Kosovë po lulëzon gjithçka. Kjo është arsyeja pse ne nuk po marrim pjesë në këtë seancë”, ka thënë Konjufca.
Ndërsa, deputetja Donika Kada – Bujupi, nga AAK, ka thënë se heronjtë kanë vlerë për politikën vetëm një ditë, “kurse shumë bashkëluftëtar të tyre që sot janë gjallë po përballen me kushte të rënda ekonomike, duke mos pasur as bukë për të ngrënë”.
“Kërkojmë nga pushteti që festat të organizohen kur ka arsye për t’u gëzuar”.
“E as studentët të cilët diplomojnë nuk kanë ku të punësohen, pa pasur lidhje politike, nuk kanë arsye që sot ti gëzohen kësaj dite”, ka thënë ndër të tjera, Kadaj – Bujupi.
E Valdete Bajrami, nga partia NISMA, ka thënë se organizimet të cilat i pamë edhe në rastin e rivarrimit të Isa Boletinit tregojnë se ato nuk po mbahen në mënyrën siç e meritojnë këta heronj.
“Ky koncert i organizuar sot në Kuvend bëhet për treguar se kinse në Kosovë po funksion gjithçka e ku sektorët kryesorë të shtetit nuk funksionojnë”, ka thënë ajo. (lajmi.net)
von Zemraadmin | Juni 11, 2015 | Kronikë e Zezë
Interpol Tirana ka ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë shtetasin Alban Elezi, banues në Kavajë.
Gjykata e Breshias ka lëshuar urdhërin e arrestit për 38-vjeçarin për vepra penale të lidhura me terrorizmin.
Procedimi penal në Itali ka filluar në lidhje me një organizatë kriminale terroriste e cila rekrutonte luftëtarë.
Ndërkohë, është kryer ekstradimi nga Roma drejt vendit tonë i shtetasit Artur Beqo, banues në Fier, pasi gjykata e këtij rrethi, në maj të vitit 2013, ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të mashtrimit.
Në muajin nëntor të vitit 2008, 49-vjeçari i ka marrë borxh 100.000 dollarë shtetasit me iniciale L.R. duke e mashtruar dhe nuk ia ka kthyer më. / Top Channel
von Zemraadmin | Juni 11, 2015 | Kronikë e Zezë
Në fshatin Llugë të Istogut një person ka raportuar në polici se është përfshirë nga zjarri stalla e tij e bagëtive.
Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin. Sipas viktimës zjarri është shkaktuar nga fëmijët e tij të moshës 3-6 vjet.
Vlera e dëmit të shkaktuar është e konsiderueshme. Nuk raportohet për të lënduar. (RTKLive)