ATK me masa ndëshkuese ndaj bizneseve që nuk fiskalizohen

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) do të veprojë me masa ndëshkuese ndaj bizneseve që nuk duan të fiskalizohen, pasi që tashmë ka hyrë në fuqi Udhëzimi i Ri Administrativ për Fiskalizim.

Ndërkohë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkon që , ATK ta përfundojë procesin e fiskalizimit. Muharrem Saraxholli:
Mosfiskalizimi i një pjese të bizneseve, posaçërisht të kompanive që merren me shitje të derivateve të naftës, ka qenë temë diskutimi viteve të fundit. Tani me hyrjen në fuqi të një Udhëzimi të Ri Administrativ, konsiderohet se nuk ka më arsye për mos-fiskalizim. Zëdhënësja e ATK-së Valentina Bytyqi Sefa, thotë se do të ushtrohet presion ligjor mbi biznese në mënyrë që të fiskalizohen:
“Tek ato biznese të cilët hezitojnë ose nuk duan të fiskalizohen ne do të veprojmë me masa ndëshkuese që parasheh legjislacioni tatimor. Ne do t’iu bëjmë faktikisht atë presionin ligjor që e kemi me të drejt të plotë për tu fiskalizuar bizneset që u takon të kenë arka fiskale në kompanitë e tyre dhe do të shohim se si do të ecë gjithë procesi”, tha ajo.
Kurse drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, beson se ATK më në fund do të përfundojë procesin e fiskalizimit:
“Dëshiroj të besoj se çfarëdo shqetësimi që ka pasur nga të gjitha palët përfshirë edhe ndërmarrjet të cilat kanë refuzuar të fiskalizohen ose pajisen me arka fiskale, çfarëdo arsye që kanë mund të kenë në të kaluarën, tashmë nuk ekzistojnë edhe më tej edhe kjo do të duhej ta inkurajonte ATK-në ta përfundonte procesin e fiskalizimit sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Drejtues të Ministrisë së Financave patën premtuar se me hyrjen ne fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ, procesi i fiskalizimit do të përshpejtohet dhe brenda një periudhe të shkurtë ai do të përfundojë.

/RTKLive.com

Gjakova fillon eksportin

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka vizituar fabrikën Intertex.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka vizituar fabrikën Intertex, e cila sot ka nisur dërgesën e parë për eksport të mbulesave për makina, eksport ky i cili realizohet për herë të parë pas gjashtëmbëdhjetë viteve.

”Jam shumë e lumtur që po nisim dërgesën e parë për eksport në Suedi. Duket një hap i vogël, por një simbolikë e madhe për Gjakovën pasi ka filluar të eksportojë dhe njëherit shprehem se jam e sigurt që me hapjen e parkut të biznesit do të zhvillojmë edhe kapacitete tjera”, ka pohuar kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, e cila për këtë i është adresuar që nga viti i kaluar Agjencionit Kosovar të Privatizimit, që të jep në shfrytëzim pronën e disa ish-ndërmarrjeve shoqërore.

Në kontingjentin e parë eksportues janë 2.500 copë mbulesa të tilla që do të dërgohen në qendrën e kompanisë Trox, e cila edhe është investitori e kësaj fabrike në Gjakovë.

Ardita Rizvanolli, menaxhere e kompanisë “Intertex” ka bërë të ditur se pas këtij kontingjenti, në javën tjetër do të eksportohen 2.750 mbulesa ndërsa në muajin qershor pritet të dyfishohet kapaciteti i punëtorëve, si dhe kapaciteti i prodhimtarisë së mbulesave, e po ashtu pritet të fillojë edhe linja tjetër e prodhimit që ka të bëjë me prodhimtarinë e jelekëve antiplumb për ushtrinë amerikane.

RTKLive.com

Banorët e Lagjes së Trimave kthehen në shtëpitë e tyre

(E plotësuar) Banorët e Lagjes së Trimave në Kumanovë kanë filluar të kthehen nëpër shtëpitë e tyre.

Shumë emocione ka nëpër fytyrat e banorëve të kësaj lagje.
Kanë shpërthyer në lot ata banorë që gjetën shtëpitë e djegura dhe të shkatërruara.
Gëzhoja plumbash e gjak nëpër rrugë, kjo është pasqyra e Lagjes se Trimave, pasi nga aty është larguar me policia.
Lagja është në terr, pasi që largpërçuesi është dëmtuar nga granatimet e policisë.

Gjatë tërheqjes nga Kumanova, policia ka marr me veti edhe 14 trupat e shqiptarëve të armatosurve që, u përleshen ditë më parë me forcat policore. Qeveria ka paralajmëruar personat e shtëpive që u janë shkaktuar dëme gjatë aksionit të policisë, do tu jepen kompensim financiar pas përfundimit të vlerësimit.

14 persona të grupit të armatosur janë vrarë kurse nga policia 8 pjesëtarë të intervenimit të shpejtë janë vrarë dhe 37 të tjerë kanë ngelur të plagosur, gjatë konfrontimit në mes policisë dhe personave të armatosur në lagjen e trimave në Kumanove, kështu kumtoi sot pasdite Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë.

Zëdhënësi i kësaj ministrie, Ivo Kotevski, në një konferencë për media, tha se grupi i armatosur është udhëhequr nga 5 persona kryesor, tre prej të cilëve janë dorëzuar. Në mesin e të dorëzuarve nuk bën pjesë Mirsad Ndrecaj – NATO, ndërsa të gjithë pjesëtarët e përfshirë në këtë konflikt kanë qenë pjesë e Brigadës 113 të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, beri të ditur Kotevski.

Ai shtoi se “Janë dorëzuar rreth 30 persona të tjerë, kurse në vendin e ngjarjes janë gjetur shumë armë. Duke pasur parasysh se gjatë kësaj kohë e kanë sulmuar policinë kanë pasur snajper, bomba dhe topa dore” njoftoi Kotevski. /RTKLive.com

Shqiperia: Hetim i thelle e transparent ne Kumanove – shqiptaret te dalin nga ankthi

Deklaratë e Qeverisë Shqiptare mbi ngjarjet në Kumanovë të Maqedonisë

Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Kumanovë të Maqedonisë.
Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cënuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas.

Në këto kushte është me shumë rëndësi mbrojtja e jetës, pronës dhe lirive e të drejtave të çdo qytetari të Maqedonisë, pavarësisht, përkatësisë së tij etnike. Më shumë së asnjëherë, kjo vlen aktualisht për Kumanovën e banuar kryesisht nga shqiptarë.
Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e rënda të Kumanovës, të cilat u përjetuan me ankth nga shqiptarët kudo ku jetojnë, duhet t\'ia lënë vendin sa më parë transparencës së plotë për këtë ngjarje. Përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pa mbrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit. Por po ashtu kjo e bën edhe më imediate nevojën për kthjelltësi, qartësi dhe durim për t’i shkuar të vërtetës deri në fund.

Qeveria e Shqipërisë i bën thirrje qeverisë dhe autoriteteve ligj zbatuese në Maqedoni që të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vet stabilitetit të Maqedonisë e rajonit. Vetëm transparenca e thellë dhe e plotë, nëpërmjet paraqitjes së fakteve e provave të besueshme për qytetarët, do të shërbente në rikthimin e besimit në institucione dhe do të shmangte përsëritjen e këtij precedenti aq të padëshirueshëm nga popullata civile të një ngjarjeje të tillë.

Republika e Shqipërisë dënon çdo akt dhune, duke e konsideruar atë të papranueshëm për një shoqëri demokratike që aspiron integrimin euro-atlantik. Republika e Shqipërisë gjithashtu do ta konsideronte jo vetëm kundër produktive po edhe të papranueshme për ambicien europiane të rajonit, çdo paragjykim mbi baza etnike të çdo personi apo grupi personash të armatosur.

Qeveria e Shqipërisë e mirëkupton shprehjen e revoltës qytetare të shprehur përmes mjeteve të komunikimit, ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një ankthi e paqartësie kaq të madhe. Por Qeveria e Shqipërisë thekson me forcë po ashtu se do të ishte e papranueshme humbja e drejtpeshimit në raport me këtë ngjarje dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që kriza politike e Maqedonisë të konvertohet në një krize ndëretnike, e cila do të ishte shkatërrimtare për Maqedoninë.

Republika e Shqipërisë bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit.

Protesta e 18 Prillit, rreth e rreth Prishtines

Protesta e 18 Prillit, rreth e rreth Prishtines

Protesta e paralajmëruar nga partitë opozitare, e cila ka moto “Kundër kapjes së shtetit”, do të mbahet të shtunën, duke filluar nga ora 14:00.
Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Erzen Vraniqi e ka publikuar marshutën e kësaj proteste.

Marshi i protestuesve do të fillojë nga Sheshi “Zahir Pajaziti”, për të vazhduar drejt Gjykatës Kushtetuese, e cila gjendet në Pejton, mandej pranë objektit të KEDS-it, për të vazhduar drejt objektit të RTK-së, dhe për të përfunduar te sheshi “Skënderbe” /Reporteri.net

 

WP Radio
WP Radio
OFFLINE LIVE