von Zemraadmin | Juni 8, 2015 | Ekonomi
Kryeministri Isa Mustafa tha sot se qeveria do të angazhohet për të shtuar sigurinë e investitorëve, ndërkaq me strategjinë e re, do të përmirësojnë edhe klimën e biznesit.
Përmes kësaj platforme, qeveria do të ndihmojë dialogun me bizneset, ka thënë kryeministri Mustafa në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.
Në këtë këshill po marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti biznesit, Aleanca Kosovare e biznesit, Oda ekonomike e Kosovës, ajo amerikane, si dhe përfaqësues ndërkombëtar.
von Zemraadmin | Mai 10, 2015 | Ekonomi
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) do të veprojë me masa ndëshkuese ndaj bizneseve që nuk duan të fiskalizohen, pasi që tashmë ka hyrë në fuqi Udhëzimi i Ri Administrativ për Fiskalizim.
Ndërkohë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkon që , ATK ta përfundojë procesin e fiskalizimit. Muharrem Saraxholli:
Mosfiskalizimi i një pjese të bizneseve, posaçërisht të kompanive që merren me shitje të derivateve të naftës, ka qenë temë diskutimi viteve të fundit. Tani me hyrjen në fuqi të një Udhëzimi të Ri Administrativ, konsiderohet se nuk ka më arsye për mos-fiskalizim. Zëdhënësja e ATK-së Valentina Bytyqi Sefa, thotë se do të ushtrohet presion ligjor mbi biznese në mënyrë që të fiskalizohen:
“Tek ato biznese të cilët hezitojnë ose nuk duan të fiskalizohen ne do të veprojmë me masa ndëshkuese që parasheh legjislacioni tatimor. Ne do t’iu bëjmë faktikisht atë presionin ligjor që e kemi me të drejt të plotë për tu fiskalizuar bizneset që u takon të kenë arka fiskale në kompanitë e tyre dhe do të shohim se si do të ecë gjithë procesi”, tha ajo.
Kurse drejtori i Odës Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, beson se ATK më në fund do të përfundojë procesin e fiskalizimit:
“Dëshiroj të besoj se çfarëdo shqetësimi që ka pasur nga të gjitha palët përfshirë edhe ndërmarrjet të cilat kanë refuzuar të fiskalizohen ose pajisen me arka fiskale, çfarëdo arsye që kanë mund të kenë në të kaluarën, tashmë nuk ekzistojnë edhe më tej edhe kjo do të duhej ta inkurajonte ATK-në ta përfundonte procesin e fiskalizimit sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.
Drejtues të Ministrisë së Financave patën premtuar se me hyrjen ne fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ, procesi i fiskalizimit do të përshpejtohet dhe brenda një periudhe të shkurtë ai do të përfundojë.
/RTKLive.com
von Zemraadmin | Mai 10, 2015 | Ekonomi-Kosove
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka vizituar fabrikën Intertex.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ka vizituar fabrikën Intertex, e cila sot ka nisur dërgesën e parë për eksport të mbulesave për makina, eksport ky i cili realizohet për herë të parë pas gjashtëmbëdhjetë viteve.
”Jam shumë e lumtur që po nisim dërgesën e parë për eksport në Suedi. Duket një hap i vogël, por një simbolikë e madhe për Gjakovën pasi ka filluar të eksportojë dhe njëherit shprehem se jam e sigurt që me hapjen e parkut të biznesit do të zhvillojmë edhe kapacitete tjera”, ka pohuar kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, e cila për këtë i është adresuar që nga viti i kaluar Agjencionit Kosovar të Privatizimit, që të jep në shfrytëzim pronën e disa ish-ndërmarrjeve shoqërore.
Në kontingjentin e parë eksportues janë 2.500 copë mbulesa të tilla që do të dërgohen në qendrën e kompanisë Trox, e cila edhe është investitori e kësaj fabrike në Gjakovë.
Ardita Rizvanolli, menaxhere e kompanisë “Intertex” ka bërë të ditur se pas këtij kontingjenti, në javën tjetër do të eksportohen 2.750 mbulesa ndërsa në muajin qershor pritet të dyfishohet kapaciteti i punëtorëve, si dhe kapaciteti i prodhimtarisë së mbulesave, e po ashtu pritet të fillojë edhe linja tjetër e prodhimit që ka të bëjë me prodhimtarinë e jelekëve antiplumb për ushtrinë amerikane.
RTKLive.com
von Zemraadmin | Apr. 13, 2015 | Ekonomi-Kosove
Gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ) prezanton planet për shndërrimin e Brezovicës në qendër të turizmit dimëror dhe veror, por vë në dyshim financimin e projektit nga kompania franceze
Qeveria e Kosovës dhe konsorciumi francez MDP Consulting – Compagnie des Alpes të martën pritet të nënshkruajnë kontratën për ndërtimin e resortit të Brezovicës.
Gazeta e njohur gjermane FAZ i ka kushtuar këtij synimi një tekst të gjatë, duke theksuar që në fillim se shumë kosovarë preferojnë të shkojnë për skijim në Maqedoni për shkak se infrastruktura e sporteve dimërore në Brezovicën e afërt është e papërshtatshme dhe jo e mirëmbajtur si duhet.
Por gjithçka mund të jetë ndryshe nëse realizohet plani për shndërrimin e Brezovicës në qendër të turizmit dimëror dhe veror. Tani, shkruan gazeta gjermane, prej nëntë teleferikëve shumica nuk punojnë; nuk punon as teleferiku i pistës kryesore në mbi 2,500 metra lartësi mbidetare. Teleferikët e tjerë punojnë herë pas here për shkak të ndërprerjes së rrymës dhe mirëmbajtjes së dobët.
E njëjta vlen edhe për hotelet, shumica e të cilëve janë ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë.
“Në fund të viteve 70-të këtu është investuar shumë për ta përgatitur këtë trevë si alternativë për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 1984 në Sarajevë”, shkruan FAZ.
“Tani një konsorcium nën drejtimin francez synon të ndërtojë parkun më të rëndësishëm rekreativ në Europën Juglindore. Grupit i takon Compagnie des Alpes, një ndërmarrje gjysmështetërore, e cila vetë prezantohet si udhëheqëse në tregun botëror të mirëmbajtjes së terreneve të skijimit”, shkruan FAZ.
“Jemi duke planifikuar resortin më të madh në Ballkan, që do të punojë gjatë tërë vitit”, thotë Pascal Roux, shef i firmës konsultuese MDP nga Meylan afër Grenoble, e cila i prin konsorciumit.
“Dhe do të jetë në nivel të klasit botëror për familje dhe për profesionistë. Në fazën përfundimtare të realizimit, pistat do të jenë 100 kilometra të gjata, tani janë vetëm 16 kilometra. Së paku 20 teleferikë të rinj janë planifikuar. Deri në 15 mijë skiatorë mund të jenë në pista njëkohësisht, për 7,000 prej tyre do të ketë mundësi fjetjeje në hotele dhe vila”, raporton gazeta gjermane.
Sipas saj, investimi i përgjithshëm i palës franceze pritet të jetë 409 milionë euro. Planifikuesit vlerësojnë se ky resort turistik do të ketë qarkullim vjetor prej 100 milionë eurosh. Nga kjo pritet të përfitojnë edhe banorët e Kosovës, ku kuota e papunësisë është rreth 50 për qind.
Nëse gjithçka shkon mirë, në rajonin e Brezovicës llogaritet se do të hapen 3,000 vende pune, në rastin më të favorshëm gjatë gjithë vitit. Gjatë stinëve të nxehta, vizitorët pritet të joshen nga një park i madh me pishina të hapura dhe me staza për biçikleta.
Parku Kombëtar i Sharrit ka 3,400 hektarë dhe ofron përjetime në natyrë gjatë gjithë vitit. 260 hektarë gjenden në lartësi prej 900 deri në 2,500 metra lartë mbidetaere. Planifikuesit llogarisin me së paku 120 ditë skijimi, me borë artificiale madje mund të arrihen 150 ditë, deri në muajin prill. Sipas planifikuesve, në Brezovicë bie dyfish më shumë borë se në terrenet konkurrente në Maqedoni, Malin e Zi apo Serbi. Për suksesin e Brezovicës flet edhe pozita e mirë mes Prizrenit dhe Prishtinës, si dhe Shkupit, në Maqedoni. Rrugët deri te aeroportet e të dy kryeqyteteve janë 60 dhe 70 kilometra larg. Vizitorë nga 16 qytete mund të shkojnë në Prishtinë me avion për dy orë. Aeroporti i Prishtinës parashihet të ketë kapacitet për 4 milionë pasagjerë, por tani vetëm 1,6 milionë pasagjerë aterrojnë aty. Sipas Lorik Haxhiut, drejtor i konsorciumit lokal “Outdoor Kosovo”, kjo është arsyeja që edhe ndërmarrja Aéroports de Lyon merr pjesë në projektin për Brezovicën. Kjo ndërmarrje bashkë me Limak-Holding nga Turqia në vitin 2010 e ka marrë me koncesion aeroportin e Prishtinës për 20 vjet. /Reporteri.net
Përkundër planeve impresive, ende shumë pikëpyetje e shoqërojnë projektin për Brezovicën. Është ende plotësisht e paqartë se kush e financon atë. Planifikuesit shpresojnë se do të marrin kredi nga investitorët, bankat dhe institucionet qeveritare përgjegjëse për zhvillim. Lorik Haxhiu thotë për FAZ se donatorët mezi po presin për të investuar, por pas pak thotë: «Për fat të ke,q imazhi i Kosovës është i tmerrshëm. Nuk është e lehtë të gjenden investitorë». Një problem tjetër është se Brezovica gjendet në një komunë me shumicë serbe, në Shtërpcë, dhe planifikuesit duhet të marrin edhe mbështetjen e popullsisë lokale serbe, transmeton dialogplus këtë shkrim të gazetës gjermane.
von Zemraadmin | März 30, 2015 | Ekonomi
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim Steven N. Schonberger, si Menaxher i Sektorit për Ujë dhe Bujqësi për rajonin e Evropës, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore në Bankën Botërore, zonjën Meeta Seghal, udhëheqëse e projektit të Bankës Botërore për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kosovë dhe drejtorin e Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters.
Ministri Krasniqi falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen që kanë dhënë deri me tash në sektorin e bujqësisë, duke e vlerësuar se ka sjellë rezultate mjaft konkrete dhe të rëndësishme. Ai i njoftoi ata me Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2015, dhe me hapat tjerë që po ndërmerren në fushat që ka përgjegjësi ministria.
Ministri shtoi se sivjet buxheti që do të shpërndahet tek fermerët përmes granteve është mjaft premtues për rezultate në zhvillim të bizneseve dhe rritje të punësimit. Ai tha se në implementimin e këtyre politikave dhe programeve prioritet kryesor do të jetë rritja e transparencës dhe efikasitetit.
Duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit, ministri Krasniqi theksoi nevojën që ky bashkëpunim me Bankën Botërore të shtrihet në përmirësimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore, konsolidimin e tokave dhe në përmirësimin e infrastrukturës rurale. Këto, tha ai, janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë, rritjen e prodhimit dhe motivimin e qytetarëve për t’u marrë me bujqësi.
Nga ana tjetër, Schonberger shprehi gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen, dhe e vlerësoi si të rëndësishëm fokusimin në të tri këto komponente, që tha se janë mjaftë të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë. /Reporteri.net/
von Zemraadmin | Aug. 15, 2014 | Ekonomi
Do të ketë sërish krizë?
Problemet e perandorisë së bankës Espírito Santo po mbajnë në tension që prej muajsh financat dhe bankat portugeze. Në fund të muajit maj u gjetën parregullsi tek kompania bijë Dach-Holding Espírito Santo International (ESI). Një raport zbuloi se humbjet e kësaj kompanie arrinin shumën e 1,3 miliard eurove. Problemet financiare do të rregullohen nga kompania mëmë Banka Espírito Santo. Shumë kompani të familjes janë shkrirë. Disa ditë më parë u arrestua Ricardo Espirito Santo Salgado, kryebankieri i familjes, për pastrim parash dhe evazion fiskal. Familja është aksioneri më i madh i bankës BES.
Kryeekonomisiti i bankës private zviceriane Julius Bär, David Kohl, nuk beson se nga kjo zhvillim të mund të kthehet sërish kriza. “Këtu kemi një problem bankar shumë specifik dhe ka pak të bëjë me sistemin e krizës, që ka qenë prezent në Europë disa vite më parë.” Atëherë bankat e Irlandës dhe financat e shtetit ranë në një krizë të thellë pas kolapsit të tregut imobiliar. Shteti nuk mund të jepte një garanci prej 400 miliard eruosh, prandaj kërkoi ndihmë ndërkombëtare. Të njëtën gjë mund ta bëjë edhe Portugalia.
Nuk ka arsye për panik
“Probleme në banka të veçanta do të ketë gjithnjë”, thotë kryeekonomisti i Berenberg, Schmieding. Sipas e tij e rëndësishme është që të ndalohet që i njëjti problem të mos përfshijë banka të tjera ose të gjithë ekonominë. BES duhet të rregullojë problemet e saj, të vazhdojë normalisht funksionimin me emrin “Novo Banco” dhe të qendrojë në duart e aksionerëve aktualë. Në këtë mënyrë ata që kanë kurismet e tyre aty janë sigurtë dhe nuk kanë pse të frikësohen se mund t’i humbasin, shpjegon Schmieding.
Edhe kolegu i tij nga banka Julius-Bär nuk beson se shpëtimi i BES do të ketë ndikim në tregun fianciar. Në vitet e fundit Portugalia ka fituar dalëngadalë besimin në tregjet financiare. Sipas një raporti të fundit të agjencisë së vlerësimit Moodys, është rritur besimi për kreditim në vend. Vlerësimi i Moodys: Pasiguritë për Bankën Espírito Santo nuk duhet të kenë ndikim tek financat e shtetit. Portugalia gjendet në një situatë të qetë likuiditeti, vendi ka qasje tek tregu ndërkombëtar i kredive dhe ka reverza të mjaftueshme parash.
/reporteri.net/