von Zemraadmin | Apr. 4, 2015 | Feja Islame
Një vështrim i shkurtër si dhe një kthim prapa në retrospektiven historike të shoqërive njerëzore, të bënë të kuptosh se ngritjet dhe rëniet e popujve të ndryshëm, gjithmonë kanë ndodhur si rezultat i angazhimit dhe veprimit si dhe vet të bëmave të tyre. Qenia njeri, për dallim nga gjallesat tjera është graduar edhe nga Zoti me titullin “ mëkëmbës – vice geront”, përgjegjës i rendit dhe rregullit në tokë si dhe njëkohësisht është pajisur edhe me fuqinë e logjikës dhe të arsyes si dhe me forcën e perceptimit dhe akceptimit. Po të ishte ndryshe në fakt jo që nuk do mund të bënte diçka të mirë për veten dhe të tjerët, por edhe nuk do të dallohej nga gjallesat tjera shtazore dhe bimore, të cilat janë të panumërta në kozmosin e gjerë, e as që do të quhej me emrin njeri.
Me vetit e tij dalluese nga e gjithë bota tjetër e gjallë, krijesa humane në sipërfaqen e tokës, e ka pasur dhe e ka fuqinë e veprimit dhe të manovrimit të studiuar dhe të planifikuar, të cilën nuk e posedon ndonjë gjallesë tjetër i gjallë në mesin tonë. Fuqia e të logjikuarit dhe rezonimit si dhe aftësia studiuese e tij ishte dhe vazhdon të jetë gjithnjë evolutive, dhe si e tillë është e pandalshme deri në përfundimin e kësaj bote.
Këto mundësi dhe aftësi të robit, sa më mirë që shfrytëzohen, aq më e mirë dhe më efektive si dhe më e mirëfilltë do të jetë jeta individuale dhe shoqërore në tokë.
Ndryshe, të mirat e një shoqërie të prosperuar nuk arrihen brenda natës, por përmes një procesi të gjatë dhe të përkushtuar, duke filluar me edukimin e drejtë të gjeneratave të reja, punës së sinqertë dhe të çiltër, angazhimit për interesin e përbashkët si dhe veprimit dhe qasjes së drejtë ndaj të gjithëve.
Përderisa në një familje, rreth, shoqëri apo shtet, nuk investohet në kultivimin e vetive pozitive njerëzore, humane dhe etike, në vlerat e respektit të ndërsjellë dhe solidaritetit, transparencës, spiritualitetit dhe bamirësisë, dashurisë së vendit dhe atdheut etj., e ardhmja nuk mund të jetë ndryshe veçse anarki dhe çrregullim individual dhe kolektiv.
Vendi dhe shoqëria e jonë ka pësuar dhe po pëson pikërisht për gabimet e përsëritshme, të cilat janë bërë dhe po bëhen me veprimet tona të pamatura dhe të pa ndërgjegjshme.
Fajin për gjendjen tonë aspak të lakmueshme sot, duhet në rend të parë t`a adresojmë tek vetja jonë, e vetëm pastaj t’i kërkojmë dhe identifikojmë faktorët tjerë të jashtëm. Vite e dekada me radhë janë duke na ikur shumë shpejtë, ndërsa ne vazhdojmë me avazin e vjetër duke gjetur prehje dhe arsyetime në thëniet tona demo-de si ; “ jemi shoqëri në tranzicion”, ose se “të tjerët i kanë fajet për gjendjen tonë !”.
Shtëpinë tonë askush nuk mund t`a dojë më shumë sesa vet ne, siç edhe askush nuk dëshiron t`a shoh atë të rregulluar e të renditur më mirë se sa vet ne që jetojmë e banojmë në të. Mirëpo, vetëm dëshirat dhe aspiratat të cilat nuk shoqërohen me veprime konkrete dhe adekuate, ato gjithnjë ngelin vetëm ëndrra shterp dhe të parealizueshme, kurse tatëpjeta e jonë sa rrëshqet e thellohet më shumë.
Individi dhe e gjithë shoqëria e jonë duhet t`a kuptojë njëherë e përgjithmonë se, vrapimi vetëm pas mirëqenies individuale, duke anashkaluar e shkelur interesin e përgjithshëm , është veprim i gabuar dhe i mëkatar, si tek njerëzit e ashtu edhe tek Zoti. Njeriu, edhe mbret po të jetë në mesin e një shoqërie të varfër ai nuk ndihet mirë dhe i qetë.
Është e vërtetë se në botë nuk ka shoqëri ideale, mirëpo ka të tilla ku në to funksionon rendi, rregulli, ligji, barazia sociale dhe trajtimi i barabartë e njerëzor për të gjithë.
Fëmijët dhe gjeneratën tonë që janë amanet i yni, nuk mund t`i edukojë tjetër kush, por vet ne duhet të jemi ata që marrim përgjegjësinë e orientimit të tyre të drejtë. Shkollat tona nuk i avancojnë të huajt e as nuk bëjnë rregulla pedagogjike e akademike për to, po që se ne vet nuk tregojmë interesim për avancimin dhe kredibilitetin e tyre.
Punësimet e njerëzve në institucione të rëndësishme të vendit pa kritere, nuk i përzgjedhin fqinjët tanë e as të largëtit, por vet dora dhe vullneti i jonë.
Vjedhjet, korrupsioni, dallaveret, haraçi, ryshfeti, fajdeja, prostitucioni, droga etj, nuk mund të zhvillohen e zgjerohen në mesin tonë, nëse ne nuk i mbyllim sytë ose nuk shtiremi se nuk po i shohim aktivitet e tyre.
Haku i tjetrit nuk nëpërkëmbet nga të fuqishmit dhe të priveligjuarit, nëse drejtësia e vendit kryen punën e vet për të cilën është ngarkuar nga populli.
Ngjarjet e fundit në shtetin tonë janë sinjali më eklatant i fillimit të ndërmarrjes së hapave të ri dhe të shpejtë. Eksodi i fundit, i ikjes masovike të bijave dhe bijve tanë, në rrugëtime pa adresë, në kërkim të një mirëqenie dhe sigurie më të mirë sociale, si asnjëherë më parë duhet të na bëjë që të mendojmë seriozisht për gabimet dhe lëshimet tona, por edhe për hapa konkret që duhet të bëhen drejtë përmirësimit të jetës dhe standardit të qytetarëve tanë.
Duke vajtuar e duke deklaruar për keqardhje të gjendjes në të cilën gjendemi nuk zgjidhen hallet dhe preokupimet tona.
Mendojë se këndellja për reflektim në vetveten tonë sot është më se e domosdoshme dhe e patejkalueshme, sepse duke mos i parë dhe analizuar gabimet tona si dhe duke mos i përmirësuar ato, ne nuk do të kemi të ardhme të ndritur.
von Zemraadmin | März 11, 2015 | Feja Islame
Aktivistët myslimanë në SHBA shprehën kënaqësinë e tyre pasi Nju Jorku mori vendim për të futur dy festat fetare islame në kalendarin e shkollave publike.
Vendimi do të thotë se Nju Jorku do të jetë metropoli më i madh i Amerikës që mbyllë shkollat publike në shenjë respekti ndaj Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit.
Nju Jorku është qyteti ku komuniteti musliman ka ndikim të dukshëm në politikat publike.
“Ne jemi shumë krenarë për komunitetin tonëm, për përfshirjen e festave myslimane në sistemin shkollor publik në Shtetet e Bashkuara,” tha Linda Sarsour, drejtoreshë ekzekutive e Shoqatës Amerikano-Arabe të Nju Jorkut.
Muslimanët në New York City ka kohë që janë duke kërkuar shwnimin e festave fetare islame në shkollat publike.
Këshilli i Qytetit kishte miratuar një rezolutë në vitin 2009 për të dhënë pushim në këto ditë, por ish-kryetari i bashkisë Michael Bloomberg kundërshtoi këtë rezolutë.
Përcaktimi i ditëve të para të Bajramit si festë zyrtare ishte një nga premtimet e fushatës së kryebashkiakut aktual Bill de Blasio.
“Fushata në Nju Jork ka vërtetuar se kur komunitetet myslimane janë të bashkuara të organizojnë, ne kemi fuqi dhe ndikim mbi politikën,” tha Sarsour.
Pesë lagjet e Nju Jorkut janë shtëpi për rreth një milion muslimanë dhe studentë myslimanë përbëjnë afërsisht 10% të nxënësve të shkollave publike të qytetit. /mesazhi/
von Zemraadmin | Dez. 25, 2014 | Feja Islame
Marrë nga libri, i Raffaelo Russo-s: Islam storie e dottrine, f. 115-22
Lexuesi perëndimor shpesh habitet, kur njihet me faktin, se myslimanët e njohin Jezusin si një profet të tyre, por kjo nuk duhet të na bëjë habi, nëse marrim parasysh faktin se Muhamedi nuk e konsideronte veten themeluesi i një “religjoni të ri”, por përkundrazi një përsosës dhe përmbushës i asaj që profetët kishin përgatitur para tij.
Është e natyrshme, që rrëfimi për Jezusin ashtu siç shfaqet në Kuran dhe në traditën profetike, të jetë pjesërisht i ndryshëm nga ajo që gjejmë të shkruar në ungjij.
Para së gjithash Jezusi nuk është biri i Zotit, ide gati e pakonceptueshme kjo për monoteizmin e rreptë Islam dhe nga ky këndvështrim qartësisht e pavërtetë, duke qenë se cënon rëndë trashendencën e Zotit.
Nuk ekziston as teologjia e kryqit, asnjë akt shpëtimtar i kryer përmes vdekjes në kryq, që për myslimanët nuk ka ndodhur kurrë: Jezusi u shpëtua nga vdekja përmes një ndërhyrje të mrekullueshme nga ana e Zotit dhe kjo mrekulli është një nga shenjat më të mëdha që garanton vërtetësinë e misionit profetik të tij, siç ndodhi për Moisiun (gjatë kalimit të detit) dhe për vetë Muhamedin (i shpëtuar nga Zoti shumë herë nga sulmet e mekasve).
Ne fakt, janë të shumta detajet e jetës Islame të Jezusit, të cilat të sjellin ndërmend edhe histori të profetëve të tjerë.
Së pari, konteksti: tekstet islame e paraqesin Perandorinë Romake si perandorinë pagane të radhës, e cila dominohej nga një ideologji religjioze, që i shpinte njerëzit të adhuronin statuja prej guri, sikur ata me të vërtetë të ishin në gjendje që t`i bënin keq ose mirë njerëzve.
Perandori shihet si një lloj Faraoni dhe vartësit e tij (Guvernatori i Judesë në kohën e Jezusit, ose Herodi mbret i Sirisë dhe i Izraelit në momentin e lindjes së Jezusit), si njerëz që përsërisin të njëjtat veprime si të lashtët, që gjatë atyre kohëve, në kohën e Nuhut, Hudit, Musait, kanë shkaktuar zemërimin ndëshkues të Zotit. Jo pa qëllim që nga lindja e tij, në tekstet islame, Jezusi paraqitet si një luftues i madh i idhujtarisë: “Kur Jezusi, paqja qoftë me të, erdhi në këtë botë, të gjithë idhujt në tokë u rrëzuan kokëposhtë” Sipas traditave Islame, ky ishte një moment kthimi në historinë e njerëzimit, në fakt nuk kishte asgjë më efikase për humbjen e njerëzimit sesa këto idhuj, xhindët futeshin brenda tyre e u flisnin njerëzve, duke ndikuar në jetën e tyre e këto të fundit besonin, se ishin idhujt që flisnin. Po kur ndodhi ky fakt, idhujt humbën respektin në sytë e njerëzve. (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 60-61).
Elementë të tjerë të historisë së mrekullueshme të lindjes së Jezusit të sjellin ndërmend episode të ngjashme të jetës së profetëve të tjerë, përfshi këtu edhe Muhamedin. Për shembull ngjarja e takimit të parë midis Merjemes (Maries) dhe Kryeengjëllit Gabriel (Xhibril) (Deklarimi i të krishterëve: momenti kur virgjëresha Mari, mëson se do të lindë një djalë) është shumë e ngjashme me takimin e parë ndërmjet Muhamedit dhe Xhibrilit. Sharjet dhe fyerjet që ka kaluar Maria (Merjemja), për faktin se mendohej se kishte lindur një djalë “pa baba”, janë të ngjashme me sharjet dhe fyerjet e pësuara nga shumë profetë të tjerë. Si shumë profetë të tjerë edhe Maria (Merjemja) u largua për një farë kohe nga vendi i saj (Ajo e barti atë (Isain), pastaj (me të në bark) u izolua në një vend të largët (Sure Merjem 22), e shoqëruar nga Jozefi, zdrukthtari, i cili sipas disa haditheve thuhet se ka qenë kushëriri dhe jo burri i saj. Ata u larguan, për arsye se jeta e fëmijës ishte në rrezik dhe jo vetëm nderi i saj. Më tej në biografitë tradicionale për Jezusin është tezja e Maries ajo, që i tërheq vëmendjen me këto fjalë: “Nëse ti do të lindësh fëmijën tënd duke qëndruar në mes të njerëzve, ata do të të ofendojnë, do të shpifin dhe së fundmi do të të vrasin ty së bashku me fëmijën tënd” (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 57)
Gjatë arratisë, Maria (Merjemja), u pushtua për një çast nga lodhja dhe humbja e shpresës: Dhimbja (e lindjes) e mbështeti atë te një trup hurme. Ajo tha: “Ah sa mirë ka qenë për mua, të kisha vdekur para kësaj e të isha e harruar që moti!” E prej së poshtmi atë e thirri (Xhibrili): “Mos u brengos, Zoti yt bëri pranë teje një përrockë (uji). E ti shkunde trupin e hurmës se do të bien ty hurma të freskëta”. (Sure Merjem 23-25). Në atë vend Maria lindi Jezusin dhe uji dhe hurma ishin ushqimi i parë i saj. Traditat islame saktësojnë “se nuk ka asgjë më të mirë për nënat që po lindin se uji dhe hurma” dhe se ajo përrockë uji e mrekullueshme ishte e ftohtë, nëse e pije dhe e vakët nëse e përdorje për larje” dhe thuhet se Muhamedi (a.s) e kishte zakon të përtypte hurma dhe t’ia vente në gojë fëmijëve të shokëve të tij, kur ato vinin në këtë botë. (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 59-60)
Udhëtimi i Maries nuk kishte për të përfunduar në Betlehem. Edhe në librat e myslimanëve rimerret historia biblike e masakrës së fëmijëve të pafajshëm dhe ikjes në Egjipt, ngjarje kjo që përbën precedentin e fundit të hixhretit të profetit Muhamed.
Maria dhe biri i tij ndenjën në Egjipt për 12 vjet deri në vdekjen e Herodit…
Mrekullitë do ta shoqërojnë Jezusin gjatë gjithë kohës e do të shumfishohen sidomos gjatë viteve të fundit të “jetës publike të tij”, që për Islamin korrespondon me shpalljen nga ana e Jezusit të fesë së Allahut, d.m.th. besimit në ekzistencën e një Zoti të vetëm, Krijues të qiellit dhe të tokës, si dhe të bindjes që duhet treguar ndaj urdhrave të tij për të fituar shpëtimin. Edhe Jezusit, ngjashëm si profetëve të tjerë, iu desh të përballej me sulmin dhe përqeshjet e popullit të tij, i cili nuk e pranonte mesazhin e tij.
Shumëfishimi i mrekullive i detyrohet pikërisht nevojës për të dhënë shenja të profetësisë, që janë të afta të shkundin skeptikët e t`i tregojnë atyre provat, se Jezusi ishte i dërguari i Zotit.
I këtij lloji është edhe një nga mrekullitë që i atribuohen Jezusit në Kuran, por jo në ungjijtë kanonikë.
Ai, ndërsa po predikonte një ditë përballë një grupi të madh njerëzish, tha: “Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryej atij dhe ai me lejen e All-llahut bëhet shpend…” (Ali Imran 49). Sipas disa biografive mbi jetën e Jezusit të bëra nga dijetarë myslimanë pohohet se “zogu i bërë nga jezusi fluturonte për sa kohë njerëzit e shihnin, e kur ato e hiqnin shikimin prej tij, ai binte në tokë i vdekur. Kjo ndodhte, për të bërë një dallim ndërmjet asaj që bëhej nga Jezusi dhe asaj që bëhej nga Zoti i lartmadhëruar, si vërtetim i faktit se vetëm ajo që është e krijuar nga Zoti i Gjithfuqishëm është e përsosur” (Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 88)
Mrekulli të tjera që i atribuohen Jezusit si në Kuran ashtu edhe në hadithet profetike, gjenden edhe në Bibël me dallime shumë të vogla në rrëfimin e ngjarjes. Midis tyre më të njohurat janë shërimi i të verbrit dhe ngjallja e Lazarit.
Dallime të mëdha ekzistojnë, përsa i përket kryqëzimit dhe vdekjes së Jezusit, një element thelbësor ky në religjionin e krishterë. Sipas shumë biografive të hershme, Jezusi dënohet nga autoritetet hebraike me ndihmën e romakëve, por në moment të fundit shpëtohet në mënyrë të mrekullueshme nga Zoti. Në Kuran pohohet, se hebrenjtë dhe romakët kishin bindjen e gabuar, se e kishin kryqëzuar dhe vrarë Jezusin, birin e Marisë të dërguarin e Zotit, por Zoti e kishte zëvendësuar atë me një tjetër “Po ata as nuk e mbytën as nuk e gozhduan (nuk e kryqëzuan në gozhda), por atyre u përngjau” (Nisa 157). Ngjashëm si në rrëfimin biblik, por këtë herë pa elementin e ringjalljes, Jezusi u ngrit në qiell sipas vullnetit të Zotit, duke i shpëtuar përfundimisht armiqve të tij, jo pa përfunduar më parë edhe misionin e tij.
Së fundmi, dallimet themelore ndërmjet Krishterimit dhe Islamit lidhur me Jezusin mund të përmblidhen si më poshtë:
1. “Doktrina e trinitetit: sipas myslimanëve është një triteizëm i panevojshëm brenda religjionit të krishterë.
2. Ideja që Jezusi mund të jetë “Biri i Zotit” në kuptimin strikt dhe literal të termit.
3. Ideja e shëlbimit, fakti që Jezusi i mori mbi vete të gjitha mëkatet e njerëzimit, përmes vdekjes së tij në kryq.
4. Ideja që Zoti është mishëruar në një njeri, është e papërputhshme me idenë e trashendencës hyjnore në Islam.
Doktrina e Jezusit është e ngjashme në të dy versionet e historisë, të ngjashme janë mrekullitë që i atribuohen atij, domethënia e tyre dhe e mesazhit të fjalëve të tij, ndonëse ka një dallueshmëri të madhe në rolin që i mvishet këtyre të fundit në planin shpëtues të Zotit. Sepse Jezusi, sipas myslimanëve është i ngjashëm në rolin e tij me Gjon Pagëzorin siç njihet në teologjinë e të krishterë. Misioni i tij konsistonte në shpalljen e ardhjes së profetit të fundit të Zotit, Muhamedit.
Në shumë biografi të Jezusit të shkruar nga myslimanët lexojmë: Në fillim të misionit të tij para se dishepujt ta ndiqnin atë i thanë: “A do të ketë një profet tjetër përveç teje”? Dhe përgjigja ishte: “Sigurisht, do të jetë profeti Arab”.
(Vita di Gesu secondo le tradizioni islamiche, Palermo 2000; f. 83)
Përktheu: Rezart Beka
von Zemraadmin | Apr. 30, 2014 | Feja Islame
“Vërtetë që tashmë kanë fituar besimtarët. Ata të cilët janë të nënshtruar në faljen e namazit. Edhe ata të cilët largohen nga Laghvu (fjalët e kota, të rreme e të liga, mashtrimet, përgojimet dhe gjithë çfarë ka ndaluar Allahu).” (Muminun, 1-3)
Dëmet e gjuhës janë të mëdha. Ebu Bekri e kapte gjuhën me dorë, e qante, dhe shprehej: “Kjo do të më humbë.” Ibni Abasi i drejtohej gjuhës me fjalët: “Flit vetëm të mirën, do të përfitosh ose hesht, do të shpëtosh.”
“Dhe thuaju robërve të Mi se duhet të flasin vetëm fjalët më të mira, sepse vërtet shejtani mbjell mosmarrëveshje mes tyre. Me të vërtetë që shejtani është për njeriun armik i hapur.” (Israë, 53)
“O ju që keni besuar! largohuni prej dyshimeve. Vërtet mjaft nga dyshimet përbëjnë gjynahe. Edhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave, as mos përgojoni njëri-tjetrin. A do të donte ndonjëri prej jush të hante mishin e vëllait të vet të vdekur? Vërtet që do ta urrenit një gjë të tillë. Dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Ai fal dhe e pranon pendimin, është Mëshirëplotë.” (Huxhurat, 12)
Të nderuar agjërues! Çdo fjalë është e ruajtur. Për çdo fjalë do të jepet llogari. “Nuk ka fjalë që ai (njeriu) të nxjerrë nga goja, veçse për të është një vëzhgues pranë tij i gatshëm (për ta shënuar atë).” (Kaf, 18)
Atëherë, si mund të agjërojë gjuha kur ajo përgojon dhe shpif?! Si mund të agjërojë kur ajo gënjen dhe mashtron?! Si mund të agjërojë kur fyen dhe dëshmon rrejshëm?!
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thotë: “Besimtar i mirë është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit muslimanët janë të ruajtur.” (Transmeton Buhariu)
Të kujtojmë edhe këtë: I Dërguari i Allahut thotë: “Njerëzit më të urryer tek Allahu janë polemizuesit e ashpër dhe ata që nuk lëshojnë pe në hasmëri.” (Buhariu dhe Muslimi)
Muhamedi (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) thotë: “I garantoj shtëpi në qoshet e xhenetit atij që le polemikën edhe nëse është në të drejtë, shtëpi në mes të xhenetit atij që le gënjeshtrën edhe në shaka dhe shtëpi në lartësi të xhenetit për atë që ka moral të mirë.”(Transmeton Ebu Davudi)
Atëherë, agjërim i vërtetë është kur gjuha është në përmendje të Allahut të Lartësuar. Dhikri më i mirë i këtij lloji është lavdërimi i Allahut me atë që e ka lavdëruar Allahu vetveten dhe me atë që e ka lavdëruar i Dërguari (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të). Ky lavdërim është në tri shkallë: hamd, thena dhe mexhd.
Kur të thuash Elhamdu lil-lah, kjo është lajmërim mbi Allahun me cilësi të plota, duke e dashur dhe duke qenë i kënaqur me Të, por nëse e përsërit këtë gjë herë pas here, bëhet thena, e nëse e lavdëron me cilësi të madhështisë dhe mbretërisë, atëherë bëhet mexhd.
Allahu i Lartësuar këto tre lloje i ka përmendur në fillimin e Fatihasë. “Kur të thotë njeriu: “El-Hamdu lil-lah rabbil-alemin”, Allahu thotë: “Më falënderoi robi Im.” Kur të thotë: “Errahman Errahim”, Allahu thotë: “Më lavdëroi robi Im”, kurse kur të thotë: “Maliki jeumud-din”, Allahu thotë: “Më madhëroi robi Im.”
Përmendja e Allahut është një dhunti e madhe, dhuratë bujare, me të afrojmë nimetet (dhuntitë) dhe largojmë nikmetet (dënimet), është ushqim i zemrës, kënaqësi e syrit, lumturi e shpirtit, shpirt i jetës dhe jetë e shpirtit.
Allahu im! Më mundëso që gjuha ime të thotë vetëm të vërtetën!
Allahu im! Ruaje gjuhën time nga çdo gjë që Ti nuk e do dhe nuk je i kënaqur!
Ulvi Fejzullahu – Bujanoc